Lufta në Ukrainë dhe fitorja e Trump-it, çfarë pritet të ndodhë me sigurinë në Kosovë?

Politika

Lufta në Ukrainë dhe fitorja e Trump-it, çfarë pritet të ndodhë me sigurinë në Kosovë?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 12 nëntor 2024 Në ora: 10:01
Donald Trump

Pas fitores së madhe të Donald Trump në zgjedhjet e fundit në Amerikë, priten ndryshime të mëdha në gjithë botën.

Kjo pasi edhe presidenti i ri amerikan, Trump bëri premtime të mëdha në fushatën e tij zgjedhore.

Një ndër premtimet që u komentua shumë, kishte të bënte me luftërat botërore për të cilat ai premtoi se do t’i ndalojë.

“Ne mposhtim ISIS-in në kohë rekord, por nuk patëm luftëra”, ka thënë Trump.

Ata thanë ai do të fillojë një luftë”. Unë nuk do të filloj një luftë, do t’i ndaloj luftërat. Ne do të zhbllokojmë fatin e lavdishëm të Amerikës, ne do të arrijmë të ardhmen më të pabesueshme për popullin tone. Dhe tani ne do ta përmbushim atë mision”, ka deklaruar Trump gjatë fushatës.

Pra, si pritet të përfundoj lufta në Ukrainë tani pas fitores se Presidentit Trump dhe cili mund të jetë impakti për Kosovën? Çdo vendim që mund të merret karshi Ukrainës, qoftë për ndarjen e saj apo vazhdimin e luftës, a nënkupton një rrezik edhe për sigurinë e Kosovës?

Gecaj: Një zgjidhje që përfshin ndarjen e Ukrainës ose lëshime ndaj kërkesave të Rusisë mund të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë edhe për Kosovën

Lidhur me këtë ҫështje, ka folur për ‘Bota sot’ eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj.

Ai thekson se, në qeverisjen e Donald Trump, ka shumë të ngjarë që politika e SHBA-së ndaj Ukrainës të ndryshojë.

Image
Hysen Gecaj.

“Trump ka shprehur më parë synimin për të kufizuar mbështetjen ushtarake dhe financiare për Ukrainën dhe për të nxitur një zgjidhje të negociuar. Nëse një ndryshim i tillë do të ndodhte, do të rritej presioni për Ukrainën që të bëjë lëshime territoriale ose të pranojë një marrëveshje kompromisi me Rusinë, për të ndaluar konfliktin”, thekson ai.

Eksperti Gecaj thotë po ashtu se, një zgjidhje që përfshin ndarjen e Ukrainës ose lëshime ndaj kërkesave të Rusisë mund të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë edhe për Kosovën, duke ndikuar në mënyrën se si Rusia dhe vendet e tjera e shohin integritetin territorial dhe sovranitetin e saj.

“Rusia e ka kundërshtuar pavarësinë e Kosovës dhe shpesh e përdor atë si shembull për të justifikuar ndërhyrjet në shtetet e tjera, duke sugjeruar se kompromiset e mundshme në Ukrainë mund të forcojnë pozicionin rus në mbështetje të aleatëve të saj, si Serbia. Në këtë kontekst, çdo pranim i ndarjes ose lëshimeve në Ukrainë do të mund të krijonte një precedent të rrezikshëm për vende të tjera të cënueshme si Kosova, duke rritur shqetësimet për një destabilizim të mundshëm në rajon”, vlerëson Gecaj.

Prof.Dr. Ymeri: Ndarjen e Kosovës për interesat e Serbisë e bëri fakt të kryer vetëm kryetradhtari Thaçi dhe banda e tij me Isa Mustafën

Po ashtu për këtë ҫështje, ka folur edhe veprimtari dhe njohësi i ҫështjeve politike, Prof.Dr. Eshref Ymeri.

Ai thotë për ‘Bota sot’ se, duhet pasur parasysh, se ‘ndonjë vendim për ndarjen e Ukrainës mund të merret vetëm nëse do të nxjerrë kokë tradhtia në udhëheqjen e saj’.

Image
Prof.Dr. Eshref Ymeri.

“Kjo për arsye se historia e marrdhënieve mes Ukrainës dhe Rusisë ka dëshmuar pa mëdyshjen më të vogël se Rusia, tradicionalisht, ka qenë dhe mbetet armike e betuar e popullit heroik ukrainas. Kjo armiqësi shekullore është pasqyruar bukur artistikisht në një poezi me katër vargje të poetit kombëtar ukrainas Taras Shevçenko (1814-1861):

Vetullzeza, argëtohi, Por jo me moskalë, Se moskalët janë të huaj, Kanë për t’ju tallë”, vlerëson ai.

Duke e lidhur me rastin e Kosovës, Prof.Dr.Ymeri thotë se, ndarja e saj për interesa të Serbisë u bë nga udhëheqësit e mëparshëm, ish-presidenti Hashim Thaҫi me ish kryeministrin Isa Mustafa dhe të tjerë.

“Pra, edhe në rastin e Republikës së Dardanisë, ndarjen e saj për interesat e Serbisë e bëri fakt të kryer vetëm kryetradhtari Thaçi dhe banda e tij me Isa Mustafën, Edita Tahirin, Enver Hoxhajn etj., me marrëveshjet që nënshkruan në Bruksel, si edhe kryetradhtari Rama me flirtimet e tij me Vuçiçin”, thekson ai.

Tutje, profesori thotë se edhe Kosova mund të ndahet vetëm nëse do të ketë tradhti në udhëheqjen e saj.

“Nëse Vetëvendosja dhe formacioni politik Guxo do të mbështeten fuqimisht te populli dardan, nuk mund të ketë kurrë ndarje të Republikës së Dardanisë, pavarësisht nga simpatia për Serbinë dhe miqësia me Putinin që ka Trumpi i saporizgjedhur president”, vlerëson ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat