Ishte viti 2020, koha kur në Washington ishte arritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, nën praninë e presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Donald Trump, i cili do të rizgjidhet edhe njëherë në këtë pozitë pas fitores që shënoi në zgjedhjet e javës së kaluar në SHBA.
Por në kohën kur ishte arritur kjo marrëveshje, kryeministër i Kosovës ishte Avdullah Hoti nga LDK, ndërsa më të ardhur në krye të qeverisë, kryeministri Albin Kurti nuk e ka pranuar asnjëherë marrëveshjen e Washingtonit.
E tani kryeministri Kurti, thotë se dëshiron që fillimisht të zbatohet Marrëveshja e Brukselit e arritur me Serbinë vitin e kaluar, e më pas të trajtohet ajo e Uashingtonit.
“Unë mund të jem përgjegjës për marrëveshjet në të cilat kam marrë pjesë dhe kam pranuar dhe pres të njëjtën gjë edhe nga Beogradi, edhe pse ata e shtypin dhe nuk e respektojnë këtë marrëveshje. Le të fillojmë me marrëveshjen e fundit, e cila është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, sepse ajo normalizon marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes njohjes de facto të njëra-tjetrës”, tha Kurti.
E lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti Blerim Burjani.
“Ende Kurti nuk ka ndonjë kërkesë specifike për marrëveshjen e Washingtonit që të zbatohet, Kurti nuk është pro kësaj marrëveshje por te shohim se si do të sillet Tramp me këtë marrëveshje, dhe cili do të jetë qëndrimi i Trump”, shprehet Burjani.
Ai thotë se Kurti fokusin kryesor e ka te marrëveshja e Ohrit, dhe jo tek ndonjë marrëveshje tjetër.
“Unë mendoj që Trump duhet të fokusohet në Marrëveshjen e Ohrit edhe nëse ajo e Washingtonit kërkohet të zbatohet nuk do te ndryshoj diçka esencialisht në mes Kosovës dhe Serbisë, pasi nuk kishte të bëj me objektin thelbësor të normalizimit, por ishte si urë në arritjen e normalizimit. Kurti nuk besoj se për momentin ka ndonjë qëndrim për marrëveshjen e Washingtonit, ai është fokusuar në atë të Brukselit të arritur”, thekson Burjani.
Por a mund të ketë një marrëveshje të re mes Kosovës dhe Serbisë?
“Deri më tash janë këto dy marrëveshje. Një është marrëveshja e Washingtonit, tjetër ajo e Brukselit. Tash se besoj se do të ketë një marrëveshje të tretë, por mund të ketë një letër akordimi për normalizim, pra akordim të thjeshtë e të saktë”, përfundon analisti Blerim Burjani.