Ndonëse duhet të kalojnë edhe rreth tre muaj deri në mbajtjen e zgjedhjeve të 9 shkurtit, partitë politike kanë nisur jo zyrtarisht fushatat e tyre para zgjedhore.
Opozita ka rritur ambiciet e saj për marrjen e pushtetit, ndërsa sikurse edhe në periudhat zgjedhore të mëparshme, premtimet megalomane kanë zënë një vend të rëndësishëm në diskursin e tyre publik.
I bindur për fitore po shprehet edhe kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-Nisma-Konservatorët-E30, Ramush Haradinaj.
Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë e kryeministrit Albin Kurti, se nuk po i bën presion Serbisë për t’i zbatuar marrëveshjet e nënshkruara në dialogun me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel.
Mirëpo, përveç kritikave ai po vazhdon të jetë shumë premtues për qytetarët e vendit duke paralajmëruar se nëse e merr besimin e popullit në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit do të krijojë edhe ministrinë e kategorive të lirisë.
“Në të kaluarën ka qenë e paraparë, çdo punë që e bëjmë ne për dialogun edhe Serbia ta bëjë dhe në fund të na njohë si shtet. Po e shihni çfarë stresi ka qenë qëkur ka ardhur Qeveria e Albinit, nuk po na trajtojnë shkaku i zgjidhjeve dhe veprimeve të gabuara të tij dhe nuk e kanë në agjendë Serbinë të na njohë. Nuk po i bënë presion Vuçiqit t’i nënshkruajë marrëveshjet. Atëherë, ne po u themi amerikanëve, ne po duam të hyjmë në NATO, nuk e ndërlidhim me Serbinë, nuk po ua kërkojmë nënshkrimet e marrëveshjeve, nuk janë të gatshëm, vetëm me ju po dëshirojmë të kemi punë… Është mirë të fuqizojmë rininë. Do ta krijojmë ministrinë e kategorive të lirisë, e kanë edhe vendet e tjera, për t’iu rikujtuar të gjithëve sa është e rëndësishme është kjo temë. Nuk do të heqim dorë një ditë dhe do të ndërtojmë shtëpitë e UÇK-së”, ka thënë Haradinaj.
Por, sa ka nevojë Kosova për një ministri të tillë 25 vjet pas përfundimit të luftës?
Burjani: Shteti duhet të ketë kujdes për veteranët
Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi Blerim Burjani.

Ai thotë se ka kaluar kohë që nga përfundimi i luftës dhe se tani duhet të dënohen personat që janë të zhytur në krim të organizuar.
“Ajo punë ka përfunduar me çlirimin e vendit, tashmë duhet të mendohet plotësisht duhet me marr dënimin e merituar të gjithë personat e zhytur në krim të organizuar. Prokuroria duhet me vepru ngjashëm si SPAK të Shqipërisë, pa u shkatërruar rrjetet kriminale në Kosovë për 24 nuk ka gjë. Kosova s’mundet të bëhet anëtare e BE-së, sa më parë që fillon ky proces aq më i lehtë dhe më i shpejt integrimi në BE”, foli ai.
Më tej, juristi thekson që ideja për një ministri për kategoritë e lirisë, nuk është e menduar në mënyre racionale, pasi një të tillë nuk e kanë as SHBA.
Gjithashtu, ai shton që pa pastrimin e listës me veteranë, nuk do të ketë mbrojtje adekuate ligjore për pjesën reale që ishte pjesë e luftës.
“Shteti ka nevojë mbi të gjitha me pas kujdes për veteranët, SHBA janë shteti më i madh në botë me lufta të përhershme e nuk ka pas asnjëherë ministri për veteran, pra duhet me mendu racionalisht, me rëndësi me u kujdes për atë veteran të sotëm të cilët duhet të gëzojnë privilegje e pension vetëm ata të cilët janë kanë pjesë aktive, deri më tash asnjëherë nuk u pastrua lista me veteran të rrejshëm të luftës. Pra pa pastrimin e listës me veteran nuk do të ketë mbrojtje adekuate ligjore për pjesën reale që ishte pjesë e luftës, pra duhet të hiqen dhe dënohen veteranët e rrejshëm që i kanë bërë shteti me buxhet me qindra milionë. Pra i kanë bë dëm në buxhet shtetit për vitesh”, foli Burjani për “Bota sot”.
Ahmeti: Debati duhet të ndërtohet në një nivel tjetër

Ndërsa, analisti politik, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim për “Bota sot”, kritikon Haradinajn duke e cilësuar deklaratën e tij të pamenduar dhe imponuese për votuesin.
“Përpjekja e kreut të AAK-s është e pa-kontrolluar racionalisht, pasi me çdo kusht mundohet të improvizoj diçka për ta “imponuar” bindjen se ky ka ndryshuar në krahasim me të kaluarën. Votuesi i emancipuar nuk i beson fjalëve boshe e pa përmbajtje reale, pasi e njohin mirë logjikën qeverisëse të AAK-së”, u shpreh ai.
Më tej, Ahmeti thotë që debatet duhet të ndërtohen në një nivel tjetër, të shikohen nevojat reale të shoqërisë dhe jo të ngarkohet buxheti i Kosovës me pozita për militant politik.
“Debati duhet të ndërtohet në një nivel tjetër, duke u bazuar në nevojat reale të shoqërisë dhe zgjidhjen e problemeve racionalisht. Shteti i Kosovës nuk ka nevojë të ngarkojë buxhetin e varfër të saj për të akomoduar njerëz politik me pozicione të reja politike, përkundrazi çdo qeveri duhet të reduktoj këto ngarkesa buxhetore. Pasi administratat e çdo institucioni janë të ngarkuara zyrtar enorm, por edhe me pozita të panevojshme.
Zgjidhja e problemeve nuk duhet reduktuar në kuantitet, pasi çdo pozicion publik duhet të ketë detyra dhe përgjegjësi të specifikuara mirë e jo të ngarkohet buxheti i Kosovës me pozita për militant politik”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.