Profesori amerikan “zbulon” pse ende nuk hiqen masat ndëshkuese/ Ja çka thotë për “shkëmbimin” anëtarësim në NATO e Asociacion

Politika

Profesori amerikan “zbulon” pse ende nuk hiqen masat ndëshkuese/ Ja çka thotë për “shkëmbimin” anëtarësim në NATO e Asociacion

Nga: N.E Më: 13 nëntor 2024 Në ora: 12:03
Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins

Dialogu Kosovë- Serbi dhe ecuria e tij është duke ndikuar edhe në proceset tjera të rëndësishme për Kosovën.

Boris Ruge, Ndihmës Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, në deklaratën e fundit të tij dhënë javë më parë ka thënë se tani nuk është situata që mund të flitet për anëtarësimin e Kosovës në Aleancën Veriatlantike, NATO.

Ai është shprehur se Kosova deri tani nuk është duke ecur drejt anëtarësimit në Partneritetin për Paqe.

“Nuk mendoj se aktualisht jemi në një situatë kur mund të flasim për anëtarësim. Por e di që presidentja Osmani dhe të tjerët, kanë folur për Partneritetin për Paqe, dhe ajo natyrisht që do të ishte hapi i parë. Siç e dini, kjo është diçka që kërkon konsensus, duhet që 32 shtetet anëtare të NATO-s të votojnë për këtë dhe nuk jemi ende as ty. Nuk jemi duke lëvizur drejt Partneritetit për Paqe tani për tani. Por mendoj se fakti që përshtypja e popullit të Kosovës karshi NATO-s është kaq pozitive është, diçka që duhet ta kemi parasysh, ta vlerësojmë dhe është një hap i madh drejt së ardhmes”, ka deklaruar ai.

Ndër tjera, Ruge theksoi se NATO nuk ka hequr dorë nga mbështetja në dialogun Kosovë-Serbi, dhe se janë me shpresë së ky proces do të vazhdojë tutje.

Në anën tjetër, politika në Kosovë nuk është duke “hequr” dorë nga kërkesa për anëtarësim të përshpejtuar në NATO.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një vizitë me ka folur për vizitën e tij në me drejtorin kryesor për Evropën dhe Politikat e NATO-s, Alton Buland, ka argumentuar nevojën për anëtarësimin e shpejtë të Kosovës në NATO.

“Gjatë takimit me z. Buland argumentova nevojën për anëtarësimin e përshpejtuar të Kosovës në NATO. Theksova se një proces i përshpejtuar i anëtarësimit të Kosovës në NATO e ndihmon sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon. Theksova se Kosova dhe Ushtria gjithmonë do të jetë në krah me Amerikën dhe shteteve tjera anëtare të Aleancës veri-atlantike të NATO-s”, kishte njoftuar Haradinaj.

Një anëtarësim të përshpejtuar në NATO, e konsideron të vlefshëm për Kosovën edhe Eksperti i njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer.

Serwer i pyetur nga “Bota sot”, nëse do të duhej Kosova të kërkonte anëtarësim të përshpejtuar në këmbim të asociacionit, ai thotë se Gjykata Kushtetuese ka të ngjarë të vendosë atë që disa nga kolegët e mi kanë sugjeruar: vetëm një OJQ është e pranueshme me kushtetutë për Asociacionin.

“Anëtarësimi i përshpejtuar në NATO, me njohjen nga të gjithë anëtarët e NATO-s, do të ishte i vlefshëm për Kosovën. Por unë mendoj se Gjykata Kushtetuese ka të ngjarë të vendosë atë që disa nga kolegët e mi kanë sugjeruar: vetëm një OJQ është e pranueshme me kushtetutë për Asociacionin. Çështja është nëse Serbia mund ta pranojë këtë. Duhet, por dyshoj se nuk do. Jo pa një presion të madh nga SHBA dhe BE, të cilin ata nuk kanë qenë të gatshëm ta ushtrojnë. Lavdërimet e fundit të Von der Leyen për Presidentin Vuçiç sugjerojnë se evropianët nuk janë të përgatitur të ushtrojnë ndonjë presion mbi Vuçiç”, shprehet Serwer.

Në anën tjetër, Kosova ende gjendet nën masat ndëshkuese të BE-së tash e një vit e gjysmë.

Gjersa, nga Kosova thonë se janë plotësuar të gjitha kushtet që të largohen masat, nga BE thonë se vendimi për largimin e masave ndëshkuese vjen nga shtetet anëtare dhe se Kosova dhe kryeministri i saj nuk vendosin nëse masat do të hiqen apo jo.

“Nuk është Kosova dhe as kryeministri i saj që vendos nëse masat do të hiqen apo jo, ky është një vendim që duhet ta marrin shtetet anëtare. Përfaqësuesi i Lartë ka lëshuar më 3 qershor një Deklaratë në emër të BE-së, e pasuar nga raporti i HRVP-së për përmbushjen nga Kosova të kërkesave të BE-së. Diskutimet për heqjen e masave për Kosovën vazhdojnë mes shteteve anëtare në Këshill”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një deklaratë të fundit.

Serwer thotë se një ose më shumë vende anëtare të BE-së kundërshtojnë heqjen e masave ndëshkuese.

Sipas tij, diplomatët e Kosovës e dinë dhe po përpiqen ta zgjidhin situatën.

“Nuk e di, por mendoj se një ose më shumë vende anëtare të BE-së kundërshtojnë heqjen e masave ndëshkuese. Jam i sigurt se diplomatët e Kosovës e dinë dhe po përpiqen ta zgjidhin situatën, por kjo mund të marrë kohë”, është shprehur profesori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat