Veprimtari dhe njohësi i ҫështjeve politike, Prof.Dr. Eshref Ymeri një bashkëbisedim me “Bota sot” komentoi rizgejdhjen e Donald Trumpit si president i SHBA-së, derisa foli edhe për ndikimin e tij në politikën ndaj Kosovës.
Si fillim, ai tha se nuk dihet ende se çfarë mund të ndodhë me Kosovën, pas fitores së Trumpit.
Mirëpo, ai përmendi “dy fakte” që sipas tij tregojnë që Trump nuk mbështet shumë shqiptarët.
Në këtë pikë, ai citoi disa informacione që VOA kishte dhënë vite më parë.
“Se si do të ndikojë Trumpi për Republikën e Dardanisë, nuk dihet asgjë. Por dy faktet në vijim vërtetojnë pa mëdyshjen më të vogël se Trump-i është antishqiptar.
Fakti i parë:
Në njërin nga emisionet e veta të muajit tetor 2016, Zëri i Amerikës ka dhënë informacionin në vijim:
“Kandidati presidencial nga radhët e republikanëve në Shtetet e Bashkuara, Donald Trump, u ka kërkuar ndjesë serbëve për bombardimet e NATO-s … Duke iu kërkuar falje serbëve për politikën amerikane e veçanërisht të presidentit Klinton, ai paralajmëroi që nëse bëhet president “do të forcojë lidhjet me qeverinë në Beograd”… Grupet politike ekstreme në Serbi mbështesin kandidatin republikan. Gjatë vizitës së nënpresidentit amerikan Joe Biden në Serbi në muajin gusht të këtij viti, qindra mbështetës të Partisë Radikale serbe protestuan kundër vizitës së tij, duke brohoritur në favor të kandidatit presidencial amerikan, Donald Trump… “Trumpi është alternativë e globalizmit. Ai do të shkatërrojë qendrat e vjetra të fuqisë në Amerikë dhe është mbështetës i Rusisë”, - tha kryetari i Partisë Radikale Vojislav Sheshel. “Joe Biden duhet ta dijë që Serbia nuk e do, por e urren atë”, - tha Sheshel, duke nënvizuar rolin e Shteteve të Bashkuara në fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999, që çuan në përfundimin e luftës në Kosovë” (Citohet sipas: “Donald Trump i kërkon ndjesë Serbisë për bombardimet e NATO-s”. Faqja e internetit “zëri i Amerikës”. 13 tetor 2016)”, nënvizoi ai.
Më tej, profesori përmendi edhe “faktin tjetër”, deklaratën e Philips.
“Fakti dytë:
Miku i shqiptarëve, intelektuali dhe analisti i shquar amerikan David L. Filips (Phillips), ka thënë:
“Trump e ka tradhtuar Kosovën. Kur të votojnë në nëntor, shqiptaro-amerikanët duhet të kërkojnë ndryshimin e regjimit në Amerikë” (Citohet sipas: David L. Phillips. “Trampi e tradhtoi Kosovën”. Faqja e internetit “Front Online”.04 maj 2020)”.
Mirëpo, pavarësisht këtyre “fakteve”, Ymeri kërkoi që shqiptarët ta mbështesin administratën e re amerikane, pasi dihet se kontributi kyç i SHBA-së në themelimin e shtetit tonë.
Krahas kësaj, kërkoi që të formohet edhe lobi shqiptar në Kongresin amerikan.
“Megjithatë, shqiptarët duhet të vazhdojnë të mbeten pro amerikanë, sepse në themel të miqësisë shqiptaro-amerikane është qëndrimi tejet fisnik i Presidentit Uilson në Konferencën e Paqes të vitit 1919, kur ujqit evropianë, me krye ujkun rus në ballë, kërkonin ta fshinin Shqipërinë nga harta e Evropës. Por, duhet të kemi parasysh se miqësia e shqiptarëve për Amerikën nuk forcohet dhe as kalitet, duke organizuar manifestime me flamuj të duar dhe veshur me kostume kombëtare nëpër rrugët e Nju Jorkut apo të Uashingtonit. Ajo miqësi çimentohet me krijimin e lobit shqiptar në Kongresin amerikan - në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, ashtu siç e kanë krijuar grekët dhe serbët, të cilët nuk i kemi parë kurrë të organizojnë manifestime me flamuj nëpër rrugët e qyteteve amerikane”, përmbylli Eshref Ymeri për “Bota sot”.