Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë ditë më parë se ai, si kryeministër i vendit, nuk mund ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili është ndër kërkesat kryesore ndaj Kosovës sipas një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve mes saj dhe Serbisë.
Kurti tha se ai, megjithatë, kishte shprehur gatishmëri ta përpilonte vetë një draft-statut për Asociacionin në mars 2023 në Ohër, kur Kosova dhe Serbia kishin arritur pajtueshmëri për aneksin e Marrëveshjes Bazë.
“Unë kam ofruar ta shkruaj draft-statutin më 18 mars 2023 në Ohër, por jam refuzuar. Por, në anën tjetri, më lejoni të theksoj se jam kryeministër i republikës demokratike. Meqë Kosova është republikë demokratike, kryeministrat nuk formojnë asociacione komunash”, tha Kurti.
Për themelimin e Asociacionit dhe kërkesat e ndërkombëtarëve ka folur eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava.
Ai thotë se, formimi i Asociacioni me ndërmjetësuesit ndërkombëtar i jep sinjal qeverisë së Kosovës që të mos hezitojnë ta bëjnë atë pavarësisht reagimeve.
Për themelimin e Asociacionit, Tërnava thotë se duhet të harmonizojë me kushtetutën e Kosovës.
“Kosova duhet ta shfrytëzojë maksimalisht potencialin profesional akademik dhe juridik, për t’i dhënë statutit të Asociacionin atë formë dhe përmbajtje që do të jetë plotësisht i harmonizuar me kushtetutën, që nuk interferon me asnjë element në kompetencat e nivelit të lartë të shtetit, pra pa kompetenca paralele të pushtetit të cilat do ta rrezikonin në faza të mëvonshme stabilitetin dhe funksionalitetin normal të shtetit unitar, ashtu siq është përcaktuar edhe me ligje e kushtetutë. Është në interesin e Kosovës që Asociacioni të themelohet në harmoni me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës, dhe Kosova ta vazhdoj rrugën e zhvillimit të sajë pa pengesa si shtet demokratik i pavarur ku të gjithë qytetarët e sajë i gëzojnë të drejtat e tyre të barabarta në përputhshmëri me ligjet e Kosovës”, thotë Tërnava.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për formimin e Asociacionit më 2013 dhe një tjetër marrëveshje për parimet më 2015.
Por, Qeveria e Kosovës refuzon të formojë, siç thotë, asociacion njëetnik, ndërsa Serbia insiston për zbatimin e marrëveshjes.
Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vlerësuar se marrëveshja për parimet nuk është në përputhje me Kushtetutën në 23 pika të saj, ndonëse ato mund të harmonizohen.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian insistojnë vazhdimisht që Kosova ta dërgojë në Gjykatën Kushtuese një draft-statut për Asociacionin, të cilin e prezantoi Perëndimi në tetor të vitit të kaluar.
E pyetur për të komentuar deklaratën e Kurtit, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Nabila Massrali, tha se themelimi i Asociacionit është obligim ligjor për Kosovën, sipas të drejtës ndërkombëtare.
Sipas saj, fakti që marrëveshjet për Asociacionin janë arritur në kuadër të dialogut, “nënkupton që secili propozim duhet të diskutohet me Serbinë dhe ndërmjetësuesin e BE-së”.