Çdo ditë e më shumë, ‘lufta’ e partive politike për pushtet po bëhet me e ashpër.
Me zgjedhjet parlamentare që po afrohen, para fushatat elektroale po bëhen gjithnjë e më intensive.
Opozita duket se ‘është e bashkuar’ kundër partisë në pushtet LVV-së, kjo po konfirmohet me deklarata të ndryshme që po bëhen nga akterët opozitarë.
Së fundi, ishte kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, që befasoi me një propozim, që pas zgjedhjeve të përgjithshme të bëjnë bashkëpunim me PDK-në dhe LDK-në për postin e kryeministrit.
Ai propozoi që të bëjnë rotacion me PDK-në dhe LDK-në në lidhje me postin e kryeministrit, “njëri një vit, tjetri një vit, tjetri një vit”.
Sipas tij, Albin Kurti, nuk është opsion për këtë bashkëpunim. Madje, beson se, Kurti nuk do të jetë më kryeministër.
‘’Kurti nuk është më kryeministër. Ju kam thënë edhe më herët kështu. Nuk do të jetë më kryeministër Albin Kurti, nuk qeverisë Vetëvendosje më. Me qenë në vend të tij e kisha shkruar qysh tash një fjalim të opozitarit të ardhshëm. Kisha dërgua sinjale që nuk do ta mbaj vendin peng më. Ju po e shihni se si po ndodhin ndryshimet aq të shpejta në Gjermani. Brenda 24 orëve ka tronditje në Qeverinë Gjermane. Nuk është mirë Kurti me vonuar vetën e vet. Ka pasoja dhe thellon pasojat. Ne nuk kem qare pa i sanuar këto pasoja. Për këtë arsye unë e kërkojë udhëheqjen e Qeverisë, qoftë me rotacion që tre opozitarët të merren vesh njëri një vit, tjetri një vit, tjetri një vit. Unë kërkojë udhëheqjen e Qeverisë në fillimin e qeverisjes me qëllim që me i kthye këto marrëdhënie të besueshme, kontraktuale me SHBA-në dhe aleatët e tjerë. Me i krye disa punë të vështira që pastaj qeverisja me qenë e zakonshme, e zhvillimit ekonomik. Por, vazhdimi i mbetjes në pushtet i Kurtit nuk është opsion është e kryne kjo pjesë”, tha Haradinaj.
Mirëpo, sa i realizueshëm dhe i zbatushëm në realitet, është ky propozim i çuditshëm i Haradinajt?
Batusha: Subjekti që rrezikon pragun zgjedhor, do duhej të kenë edhe votat e Listës Serbe në Parlament, që të bëjnë shumicën e kërkuar
E në lidhje me këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Agon Batusha.
Së pari, ai tha se LVV është subjekti i parë me vota dhe këtë sipas tij e tregojnë matjet e fundit.
Po ashtu, deputeti ironizoi me Haradinajn, ku tha se subjekti i tij rrezikon pragun zgjedhor dhe mungesa e votave ia pamundëson propozimin e tij.
“Në çfarëdo lloj matje, VV është subjekt i parë, me diferencë të trefishtë nga subjekti më i afërt. Për të ndodhë ky opsion që po propozon dëshpërimisht subjekti që rrezikon pragun zgjedhor, do duhej të kenë edhe votat e Listës Serbe në Parlament, që të bëjnë shumicën e kërkuar”.
Krahas kësaj, Batusha potencoi se ka besim që LVV me Kurtin do udhëheqin me shumicë parlamentare edhe një mandat tjetër.
“Pra, kur bëjnë propozime le të ju tregojnë popullit të gjithë të vërtetën. Besoj që qytetarët do ia mundësojnë edhe një mandat solid LVV-së dhe Albin Kurtit, pa pasur nevojë për koalicione me subjektet që stërkeqen Kosovën”, përfundoi Agon Batusha për “Bota sot”.
Zogaj: Kërkesa e liderit të AAK, Ramush Haradinajt për ta udhëhequr Qeverinë e Kosovës, me rotacion ndëmjet AAK-PDK-LDK, kapërcen vijën e kuqe
Ndërsa, publicisti Skënder Zogaj u shpreh se ky propozim po bëhet vetëm për të tërhequr vëmendjen e elektoratit.
Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” kritikoi para fushatat dhe fushatat e partive politike.
“Para fushatat dhe fushatat në vendet në tranzicion dhe të pakonsoliduara mirë politikisht e institucionalisht, veprohet sipas inspirimeve rrethanore të individëve dhe grupeve të interesit, të cilat i përdorin të gjitha format dhe mjetet propagandistike për të tërhequr vëmendjen e elektoratit. Kjo metodë për fat të keq është bërë modë dhe, kjo i ka "degjeneruar" konceptet politike dhe programet e partive, të cilat në vend se të angazhohen për konsolidimin sa më të mirë të strukturave partiake dhe reformimin e tyre për kauza qeverisëse sa më adekuate për vendin, partitë kosovare, të gjitha pa dallim, bëjnë propagandë primitive, madje edhe banale e me thashetheme qesharake!”
Gjithashtu, Zogaj tha se propozimi i Haradinajt kapërcen vijën e kuqe, sepse, e zhvlerëson ambicien për fitore.
Në këtë pikë, kishte edhe një pikëpyetje për këtë çështje.
“Kjo gjendje ka filluar në para fushatën aktuale, me nismën e promovimit të listave zgjedhore, që, në vend se të paraqes pasqyrën e kualitetit profesional e intelektual të kandidatëve, po shprehen projektimit e aspiratave të tyre. Kërkesa e liderit të AAK, Ramush Haradinajt për ta udhëhequr Qeverinë e Kosovës, me rotacion ndërmjet AAK-PDK-LDK, kapërcen vijën e kuqe, sepse, e zhvlerëson ambicien për fitore të partive opozitare, të sipas kësaj kërkese të Haradinajt, qenkan pajtuar që tani për humbjen e garës zgjedhore dhe se, vetëm të tria bashkë mund ta mundin VV-në!?” – theksoi ai.
Në fund, publicisti shtoi se propozimi i kreut të AAK-së është utopik dhe i papranueshëm.
“Nuk ma merr mendja se kështu llogarit LDK e edhe më pak PDK, e cila në mënyrë pompoze tashmë ka lansuar në publik kandidatin e saj që ka emër të mirë dhe pretendime serioze që të jetë fituesi i garës! Pra, kërkesa e Haradinajt është tepër e parakohshme, ndërsa propozimi i tij për qeverisje më rotacion, është utopik dhe i papranueshëm sepse nuk i përgjigjet momentit historik në të cilën ndodhet Kosova, që ka nevojë për qeverisje autoritative, funksionale dhe strukturalisht stabile. Vota e ndërgjegjshme për një verdikt të denjë për shtetin dhe jo për pushtetin, është ajo që do të duhej ta realizojnë zgjedhjet e reja!”- përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.