Vonesa në hetimin dhe padinë për krimet e luftës dhe gjenocidin serb në Kosovë: Një dështim i madh i qeverive të pasluftës

Politika

Vonesa në hetimin dhe padinë për krimet e luftës dhe gjenocidin serb në Kosovë: Një dështim i madh i qeverive të pasluftës

Nga: M.Lakna Më: 15 nëntor 2024 Në ora: 12:17
Foto ilustrim

Ditë më parë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se gjatë vizitës që i ka bërë Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës, ka parë qindra materiale që dëshmojnë krimet e kryera në Kosovë.

“Aty pash se si po ruhen materialet, e nëse do të thuhej se sa ka material, do ishte 189 metra gjatësi në këmbë me foldera, apo thënë ndryshe një 15.8 terabajt informacion. E gjithë kjo falë atyre që kanë kontribuar, qytetarëve, institucioneve, komunave e gazetarëve e shumë të tjerëve. E dimë që ky proces nuk është i lehtë por është thelbësore për të jetësuar të vërtetën, për ta dokumentuar të vërtetën dhe për ta mundësuar dhe ndihmuar drejtësinë”, u shpreh Kurti.

Çështja e dokumentimit dhe ndëshkimit të krimeve serbe në Kosovë, sikur është lënë anash ndër vite, ndërsa vëmendja është përqëndruar më shumë tek avancimi i dialogut me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve.

Kohë më parë ishte përmendur mundësia që Kosova të ushtrojë padi ndaj Serbisë për krime dhe gjenocid, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, publicisti Rexhep Elezaj ka rikujtuar se instituti për hulumtimin e krimeve të luftës dhe gjenocidit serb në Kosovë, i themeluar në 2011 dhe i mbyllur në 2018, u rithemelua në vitin 2023 nga qeveria Kurt.

Image
Rexhep Elezaj

“Siç dihet, Instituti i parë për hulumtimin e krimeve të luftës dhe gjenocidit serb në Kosovë është themeluar në vitin 2011 nga qeveria e Hashim Thaçit, por i njëjti është mbyllur në vitin 2018 në kohën e qeverisë Haradinaj, të cilin në shkurt të vitit 2023 do ta rtihemelojë qeveria Kurti, i cili sipas raportit të dhënë para pak ditësh nga ky Institut, rezulton të ketë tubuar materiale dhe dokumentacion të shumtë që dëshmojnë për krimet dhe gjenocidin e Serbisë të kryer në Kosovë gjatë viteve 1998/99.

Mbase, instituti apo organi përkatës që merret me krime dhe gjenocid, ai do duhej të ishte krejtësisht i pavarur në punën e tij hulumtuese, kuptohet për shkak të natyrës së veprimtarisë së tij që përfshinë cenimin e të drejtave të njeriut dhe një populli të tërë, siç janë krimet dhe masakrat të cilat i takojnë organeve të drejtësisë si dhe gjykatave speciale për dënimin e krimeve kundër njerëzimit”, ka thënë ai.

Elezaj ka shprehur shqetësimin se ky institucion ka ardhur shumë vonë, duke pasur parasysh se pas luftës duhej të kishte nisur menjëherë mbledhja e materialeve dhe dëshmive të krimeve dhe gjenocidit serb në Kosovë.

“Mirëpo, ajo që ju e keni shtruar me të drejtë në pyetjen tuaj, se a ka qenë themelimi i këtij Instituti shumë i vonuar, mendoj se konstatimi juaj qëndron plotësisht, sepse menjëherë pas mbarimit të luftës në Kosovë është dashur të formohet një institut i këtillë, i cili pa humbur kohë do duhej t’i tubonte dhe sistemonte të gjitha dëshmitë e krimeve dhe gjenocidit serb në Kosovë, derisa ato kanë qenë të freskëta, më lehtë për t’u tubuar, por edhe me dëshmitarë të gjallë, dhe jo tani pas 23 viteve vonesë, kur materialet dhe dëshmitë e shumta janë shkapërderdhë nëpër arkiva private, janë deponuar nëpër shumë gjykata vendore dhe ndërkombëtare, etj., në vend se të tubohen vetëm në një vend, si një materie faktike dhe dokumentacion i gjallë për përgatitjen e ngritjes së padisë për gjenocid ndaj Serbisë që e ka kryer në Kosovë”, ka shtuar analisti.

Sipas tij, dëshmitë janë shpërndarë në arkiva të ndryshme, duke e bërë të vështirë grumbullimin e tyre në një vend.

Ai ka kritikuar mungesën e një veprimi të koordinuar për të ngritur një padi ndaj Serbisë për gjenocidin dhe thekson se kjo vonesë ka lejuar Serbinë të bëjë propagandë ndërkombëtarisht për pastrimin e imazhit të saj.

“Pra, për këto dhe shumë shkaqe tjera të pajustifikueshme, as nuk është arritur që të gjitha materialet e krimeve të tubohen në një vend, por as nuk janë bërë me kohë përgatitjet për padi ndaj Serbisë, me arsyetimin se Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së, pra se nuk ka pasur të drejtë të ngritë një padi të tillë, duke mos e shfrytëzuar mundësinë dhe të drejtën natyrore (vëllazërore) që këtë veprim ta bën përmes Shqipërisë, duke ia lënë kështu regjimin fashist të Serbisë duart e lira, që të bëjë propagandë në arenën ndërkombëtare qe 23 vite, se gjoja serbët dhe Serbia nuk kanë kryer gjenocid në Kosovë, që mjerisht edhe ia ka arritur në masë të madhe për shkak të neglizhencës së institucioneve të Kosovës. Ky mos veprim i qeverive të Kosovës pasluftës në këtë drejtim, sipas mendimit tim, është ndër dështimet më të mëdha që i kanë ndodhur shtetit dhe shoqërisë sonë, duke pasur parasysh faktin, se çështja e krimeve të luftës dhe gjenocidit serb në Kosovë implikon në vete edhe çështjen e kërkim faljes, reparacioneve të luftës, kompensimin e dëmeve ekonomike dhe shkatërrimin e mijëra shtëpive, dhe ç’ është më kryesorja, shpalljen e Serbisë shtet gjenocidial, çfarë ajo edhe është në realitet”, ka nënvizuar Elezaj.

Për analistin, ushtrimi i padisë ndaj Serbisë në muajt apo vitet në vijim do të varet nga efikasiteti i organeve vendore dhe gjetja e akteve juridike ndërkombëtare me të cilat lejohet të bëhet një gjë e tillë.

“Se, a do arrin Kosova të ushtrojë padi ndaj Serbisë në muajt dhe vitet në vijim, kjo varet nga efikasiteti i organeve shtetërore të saj, gjetjes së akteve juridike dhe konventave ndërkombëtar me të cilat Kosovës i lejohet ushtrimi i padisë, por edhe nga plotësimi i normave dhe akteve të parapara për krimet dhe gjenocidet e kryera nëpër botë, mbase së paku të shikohet mundësia që kjo padi shumë e vonuar të ushtrohet përmes gjykatave ndërkombëtare, siç u veprua me rastin krimeve të Izraelit në Gaza, ku Afrika e Jugut ngriti padi pranë Gjykatës Ndërkombëtare të drejtësisë (GJND)”, përfundoi Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat