Janë arrestuar në nëntor të vitit 2020, ndërsa gjykimi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin është duke vazhduar.
Për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka folur të martën, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova.
Ajo ka thënë se u takon gjykatësve që të vendosin nëse do të lirojnë nga paraburgimi katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur Prokuroria e Specializuar të përfundojë rastin e saj.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka thënë se deri në prillin e vitit 2025 pret që të përmbyllë marrjen në pyetje të dëshmitarëve në rastin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-deputetit Rexhep Selimi dhe dy ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
“Nuk e di [nëse do të lirohen nga paraburgimi]. U takon gjykatësve të vendosin. E dini që gjykatësit lëshojnë vendime [për masën e paraburgimit] çdo dy muaj. Nuk e di se çfarë vendimi do të merret”, është shprehur Trendafilova gjatë një konference online për media.
Qarri: Mbyllja e parakohshme e Gjykatës Speciale nuk vije në pyetje
Analisti Gani Qarri, thotë se përmbyllja e parakohshme e Speciales nuk vije në pyetje.
Sipas tij, ajo do të ndodhë vetëm atëherë kur rastet të mbyllen.
“Siç dihet Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës, më 7 janar të vitit 2011 kishte miratuar raportin e raportuesit special, zviceranit Dick Marty, ku nga ai, ishin ngritur akuza të rënda për kryerjen e krimeve të luftës gjatë viteve 1998-2000 nga ish-kryeministri Hashim Thaçi të cilin Marty e përshkruante si udhëheqës të një grupi kriminal. Kurse më 3 gusht të vitit 2015, Kuvendi i Kosovës ka miratuar themelimin e Gjykatës Speciale, funksionalizimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë, ndërsa të dy ftuarit e parë të Gjykatës Speciale, ishin Sami Lushtaku dhe Rrustem Mustafa, të cilët, siç dihet në mungesë të provave, më vonë u liruan. Kështu që, duke qenë se, siç thuhet zyrtarisht, Gjykata Speciale dhe institucioni i Dhomave të Specializuara, janë projekt i përbashkët i Kosovës dhe Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës që njihen si promovuesi kryesor i sundimit të ligjit në botë, sipas kryetares së kësaj Gjykate Ekaterina Trandafillova, as që do të ndërhyjnë në çështjen e kësaj Gjykate dhe Dhomat e Specializuara të saj, mund të mbyllen, vetëm pasi të përfundojnë rastet dhe jo kur dëshiron, apo kërkon Richard Grenell. Madje përkundër ankesave të z.Grenell se aktakuza kundër Hashim Thaçit, është ngritur pikërisht në kohën kur ai dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ishin nisur rrugës për në Uashington për ta nënshkruar marrëveshjen e ndryshimit të kufijve, sipas kryetares E. Trandafilova, as që mund të merret me mend, që pikërisht SHBA, do të përfshihen në çfarëdo kërkese, për mbylljen e Dhomave të Specializuara të Kosovës para se të përmbyllen të gjitha rastet, pra mbyllja e parakohshme e Gjykatës Speciale nuk vije në pyetje dhe do të ndodhë vetëm atëherë, kur rastet do të përmbyllen”, shprehet Qarri.
Sipas tij, muajt e ardhshëm priten të jenë mjaft “të nxehta” e intensive dhe varësisht nga mbarëvajtja e procesit, aktgjykimet përfundimtare, mund të komentohen në fund të vitit 2025, apo fillim të vitit 2026
“Parë realisht, sa i takon procesit të gjykimit të ish-anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, për krime lufte; Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit, që ka filluar qysh para katër vitesh dhe të cilin Trandafillova e cilëson si rastin më të madh gjyqësor në Hagë, ka gjasa që prokuroria para prillit të ardhshëm, ta përmbyllë procesin e paraqitjes së provave kundër tyre. Dhe vetëm bazuar në njoftimin e Këshillit të Bashkimit Evropian se për rastet para Dhomave të Specializuara të Kosovës, janë përmbyllur të gjitha hetimet, kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, hetimet e Prokurorisë, mund të përfundojnë deri në prill të vitit 2025 ka deklaruar Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova. Andaj në muajt e ardhshëm, zhvillimet në Gjykatën Speciale, pritet të jenë mjaft të "nxehta" e intensive dhe varësisht nga mbarëvajtja e procesit, aktgjykimet përfundimtare, mund të komentohen në fund të vitit 2025, apo fillim të vitit 2026, kur edhe do të bëhet publik vendimi përfundimtar i Gjykatës Speciale mbi dënimet, kohëzgjatjet dhe vendet ku do të dërgohen në mbajtje, të dënuarit me vendim të plotfuqishëm të Gjykatës Speciale, për vuajtjen e dënimeve të shqiptuara, në bazë të provave dhe argumenteve të vërtetuara, që u vihen në barrë të akuzuarve për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, gjatë dhe pas mbarimit të luftës në Kosovë”, thekson analisti.
Çfarë thuhet në aktakuzën ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit?
Sipas aktakuzës, krimet dyshohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore “dhe u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime”.
“Ndër viktimat përfshihen persona që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, konkretisht: (i) serbë, romë dhe ashkalinj; (ii) katolikë; (iii) civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë; (iv) shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së; (v) shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe (vi) individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Dhomat e Specializuara pretendojnë se për këto krime, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, “që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së”.
Në aktakuzë pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtar të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.
Kundërshtarët, sipas aktakuzës, ishin njerëz që u perceptuan se kanë “bashkëpunuar me forcat e ish-Republikës Jugosllave, me zyrtarët apo institucionet shtetërore ose nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së, përfshirë personat e lidhur me LDK-në dhe persona të etnisë serbe, rome dhe etnive tjera”.
Sipas aktakuzës pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi “kanë pasur synimin e njëjtë për kryerjen e të gjitha krimeve që janë në këtë aktakuzë, së bashku me anëtarë të tjerë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.
Sipas aktakuzës së Dhomave të Specializuara, pjesëtarë të tjerë “të ndërmarrjes së përbashkët kriminale janë Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së”.
Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, personalisht kanë marrë pjesë në “kërcënime, marrje në pyetje, keqtrajtimin dhe ndalimin e kundërshtarëve”.
Haziri: Nuk pritet fundi në vitin 2025
Ndërsa, analisti Nexhat Haziri, nuk pret muaj të nxehtë apo të ftohtë sa i përket zhvillimeve rreth Gjykatës Speciale.
Sipas tij, deklarata e Trendafilovës ka të bëjë për shkak të aftësimit të punës së prokurorisë.
“Nuk pres muaj të nxehtë, e as të ftoftë sa i përket zhvillimeve rreth Gjykatës Speciale, përkundër deklaratave të kryetares së Gjyaktës Speciale znj. Trendafilova, por një proces normal që do ta marrë kohën e tij. Dhe se kjo deklaratë e saj për aftësimin e punës së prokurorisë, paksa më duket befasuese, pasi edhe gjatë procesit në zhvillim prokuroria është ajo që ndjek dinamikën e procesit gjyqësor me pjesën e saj akuzuese dhe në varësi të zhvillimit të këtij procesi ajo mund të reduktojë apo edhe të zgjerojë aktakuzën duke u bazuar edhe në dëshmitë e dëshmitarëve të saj”, shprehet Haziri.
Ai ka shtuar se “marrë parasysh edhe mbrojtjen e të akuzuarve dhe dëshmitarëve që ajo mund t’i paraqes apo t’i ftojë nuk pres një aktgjykim të shpejt dhe assesi që kjo të ndodhë në vitin 2025”.
Gjykata Speciale apo Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Gjykata është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.