Çitaku tha se PDK do ta ndryshonte marrëveshjen e Brukselit/ I vjen kundërpërgjigjja e ashpër nga analistët – ‘zbulojnë’ prapavijën e deklaratës!

Politika

Çitaku tha se PDK do ta ndryshonte marrëveshjen e Brukselit/ I vjen kundërpërgjigjja e ashpër nga analistët – ‘zbulojnë’ prapavijën e deklaratës!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 16 nëntor 2024 Në ora: 14:18
Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitak

Afrimi i zgjedhjeve të 9 shkurtit ka arritur të sjellë mobilizim të partive politike, sidomos atyre në opozitë.

Premtimet dhe deklaratat për ndryshime në vend duket se nuk kanë të ndalur që nga momenti i caktimit të zgjedhjeve.

Opozita po vazhdon që përmes konferencave dhe tubimeve me qytetarët të premtoj shumë gjëra duke u munduar t’i bind qytetarët për mos votimin e LVV.

Së fundi, është Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku e cila thotë se nëse kjo parti vjen në pushtet do ta ndryshojë Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit – të arritur në vitin 2023 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Sipas saj, kjo marrëveshje është e dëmshme për Kosovën pasi nuk e ka njohjen reciproke në qendër dhe se “flet për një autonomi territoriale dhe politike për komunitetin serb në Kosovë”.

Për të gjetur zgjidhje në dialog, zyrtarja e lartë e partisë opozitare thotë se nevojitet komunikim me vendet aleate. Këtë, thotë ajo, PDK do ta bënte menjëherë pas marrjes së mandatit.

“Ajo çka kemi në tavolinë është një marrëveshje e cila nuk është as finale, as gjithëpërfshirëse dhe nuk e ka në qendër njohjen reciproke, por mosnjohjen reciproke. Sikurse më nuk flitet për Asociacion, por në thelb është një autonomi territoriale dhe politike…Ne do të trajtojmë me seriozitet këtë çështje dhe menjëherë porsa të marrim detyrën, dialogun do ta nisim me aleatët tanë për të gjetur një zgjidhjej”, thotë Çitaku.

Elezaj: Marrëveshja e Brukselit mbetet e pandryshueshme

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Rexhep Elezaj.

Ai thotë se PDK nuk mund të kaloj në pushtet, nëse nuk bënë koalicion me ndonjë parti politike, në veçanti me LVV.

Ndërsa, sa i përket deklaratës së saj për ndryshim e Marrëveshjes, sipas analistit është një iluzion politikë pasi një ndryshim i tillë nuk mund të bëhet sepse është nënshkruar nga të dy palët.

Image
Rexhep Elezaj.

“Së pari, partia e Sekretares së përgjithshme të PDK-së, znj. Vlora Çitaku, mund të vije në pushtet vetëm nëse bën koalicion pas zgjedhor me partinë e cila do të fitojë më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, që siç vlerësojnë sondazhet, duket se ajo do të jetë LVV-je, dhe mbase gjasat që këto dy parti të bëjnë koalicion pas- zgjedhor janë pothuajse të sigurta, pa marrë parasysh dallimin në përqindje të votave të fituara mes PDK-së dhe LDK-së, meqë secila nga këto dy parti opozitare synon ta zënë vendin e dytë në zgjedhjet e ardhshme.

Së dyti, deklarata e znj. Çitaku, se nëse PDK-ja vjen në pushtet ajo do ta ndryshojë Marrëveshjen bazë të Brukselit (27 shkurt 2023) dhe Aneksin e Ohrit (18 mars 2023), thënë më së buti, është iluzion politik dhe floskulë e garës parazgjedhore, ngase Marrëveshjen bazë (Planin franko-gjerman), nuk mund ta ndryshon asnjë parti dhe asnjë qeveri e Kosovës, pa marrë parasysh, se cilat parti do ta formojnë qeverinë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. Kjo sepse Marrëveshja në fjalë është pranuar nga të dyja palët në dialogun Kosovë-Serbi, dhe e cila ka hyrë në agjendën e BE-së për Ballkanin perëndimorë, si rrugë dhe opsion e cila do çon në marrëveshjen finale për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Pra, të gjitha obligimet që dalin nga kjo marrëveshje prej 11 pikave, palët janë të obligueshme që t’i zbatojnë, sado që pala serbe në mënyrë djallëzore vazhdon të bën manipulime politike si dhe ikje taktike nga obligimet e marra në Bruksel dhe Ohër, dhe po ashtu, pala shqiptare e ka tejet të vështirë që t’i shmanget formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, mbase kjo si kompromis që i hap rrugën marrëveshjes finale, gjithëpërfshirëse, juridikisht të obligueshme si për Kosovën, ashtu dhe për Serbinë dhe atë me njohje reciproke”, shpjegoi analisti.

Elezaj më tej thekson që marrëveshjen e Brukselit nuk mund ta ndryshojë as Kosova dhe as Serbia, dhe këtë duhet ta ketë të qartë kushdo që tenton të përfitojë poenë politik gjatë fushatës zgjedhore.

“Pra, opinioni ynë duhet ta kuptojë njëherë e mirë, por edhe znj. Çitaku, se Marrëveshja bazë e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, nuk është akti final i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, e cila brenda saj e ka njohjen “de-facto” të Kosovës nga Serbia, si fazë kalimtare e normalizimit gradual të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, deri në arritjen e normalizimit final të marrëdhënieve midis dy shteteve, e që do përmbyllet me njohjen reciproke midis dy shteteve, prandaj marrëveshjen e Brukselit nuk mund ta ndryshojë as Kosova dhe as Serbia, dhe këtë duhet ta ketë të qartë kushdo që tenton të përfitojë poenë politik gjatë fushatës zgjedhore, e cila ngadalë po hynë në një fazë të nxehtë garuese”, foli ai.

Në fund, analisti përmend refuzimin e Qeverisë Kurti për Draf-Statutin e hartuar nga BE-ja për Asociacionin, duke potencuar që marrëveshja e Brukselit mbetet e pandryshueshme si dhe bazë për zhvillimin e mëtutjeshëm të dialogut Kosovë-Serbi.

“Ndërsa, konstatimi se marrëveshja bazë e Brukselit përmban autonomi për serbët në veri, ose nuk e njeh mirë lëndën juridike, ose flet hava, sepse shprehja në anglisht “Self Management”, nuk nënkupton autonomi, veçse vetë-menaxhim lokal, siç parashihet kjo edhe me Draft-Statutin e hartuar nga BE-ja për asociacionin, të cilin qeveria Kurti refuzoi ta dërgonte në Gjykatën Kushtetuese, për shkak të cilit veprim Kosova nuk u pranua në KiE-së, nga frika se gjykatësit tanë nën presionin ndërkombëtarë do ta miratojnë dokumentin e BE-së, Draft-Statutin, frikë e cila ka qenë e pa vend dhe e dëmshme për Kosovën.

Me një fjalë, marrëveshja e Brukselit mbetet e pandryshueshme si dhe bazë për zhvillimin e mëtutjeshëm të dialogut Kosovë-Serbi”, foli Elezaj për “Bota sot”.

Mehmeti: PDK do të mbesë në opozitë

Image
Faton Mehmeti

E analisti tjetër politikë, Faton Mehmeti në nje bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh se Çitaku nuk ka të drejtë të flas për këto marrëveshje, kur e njëjta ka bërë veprime të dëmshme për Kosovën.

“Kush po flet për marrëveshje të dëmshme të Kosovës, Vlora që ia ka mbajt " zhagun" Hashimit edhe kur bënte përpjekje për ndarje. Jam i bindur se Vlora as që e kupton Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe as atë të Ohrit, e cila në njërën prej pikave flet për njohje të Kosovës nga Serbia, nuk e di për çfarë marrëveshje tjetër flet Çitaku”, u shpreh ai.

Tutje, analisti thekson që PDK do të vazhdojë të mbesë në opozitë dhe se nuk do të ketë rastin të merret aspak me Marrëveshje.

“Edhe nëse do të ishtë kështu, dhe kjo marrëveshje nuk ka asgjë të mirë per Kosovën, Vlora dhe PDK nuk kanë të drejtë morale të flasin per marrëveshje të dëmshme per Kosovën kur kanë qenë të përfshirë në ndarje të vensit, e kjo është tradhti ndaj Kushtetutës, qytetarëve të vendit. Vlorës i siguroj se do të mbetën prap në opozitë, kështu që s’do kenë fare nevojën me u marrë me këtë marrëveshje, e cila ka disa pika kontestuese por ka njohjen përmes anëtarësimit të Kosovës në OKB”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat