Qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë pa takim që nga 2022, analistët rikthejnë ‘prapaskenat’ – tregojnë se ku qëndron faji

Politika

Qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë pa takim që nga 2022, analistët rikthejnë ‘prapaskenat’ – tregojnë se ku qëndron faji

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 16 nëntor 2024 Në ora: 16:19
Albin Kurti dhe Edi Rama

Qeveria e Kosovës të hënën pritet të mbajë një mbledhje me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.

Gjersa, pritet mbledhja e përbashkët, rikujtohet se qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë nuk kanë zhvilluar mbledhje të përbashkët që nga viti 2022. Kjo pas anulimit që i bëri kryeministri i Shqipërisë mbledhjes së vitit 2023, ende nuk është caktuar ndonjë datë se kur do të mblidhen dy qeveritë.

Profesori dhe analisti, Enver Bytyçi, thotë se pas Shqipërisë, lidhjet e Kosovës me Maqedoninë e Veriut janë më të rëndësishmet.

Sipas tij, do të ishte mrekulli që e njëjta të ndodhë edhe me qeverinë e Malit të Zi, por aty ku është Vuçiqi, nuk mund të jetë edhe interesi kombëtar i shqiptarëve.

“E shoh si produktive dhe të dobishme takimin e dy qeverive, asaj të Kosovës dhe të vendeve fqinjë. Të hënën do të mbahet mbledhja e radhës midis qeverisë së zotit Kurti dhe qeverisë së Maqedonisë së Veriut të kryesuar nga zoti Mickovski. Pas Shqipërisë, lidhjet e Kosovës me Maqedoninë e Veriut janë më të rëndësishmet. Në këtë vend jetojnë qindra mijë shqiptarë dhe duhet thënë se ata ruajnë e konservojnë traditën tonë kombëtare më mirë se kudo. E di se dikush do të thotë se “ata janë besimtarë, shpesh herë fanatikë”! Por unë flas për traditën familjare dhe atdhetare. Interesat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut ruhen e rriten vetëm përmes bashkëpunimit dhe forcimit të lidhjeve të forta midis Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Do të ishte mrekulli që e njëjta gjë të ndodhë edhe me qeverinë e Malit të Zi, por aty ku është Vuçiq, nuk mund të jetë edhe interesi kombëtar i shqiptarëve. Shpresoj shumë që në samitin e së hënës të bisedohet e t’i jepet fund dilemave të disa eksponentëve të palës maqedone për të investuar në drejtimin e kufirit me Kosovën dhe Shqipërinë, sepse infrastruktura modern krijon gjithashtu shanse për një bashkëpunim modern e demokratik midis vendeve tona. Por vetë mbledhja e përbashkët është mesazh i qartë integrimi dhe paqtimi”, shprehet Bytyçi.

Bytyçi: Mungon një qasje pozitive, pra mungon vullneti politik për të organizuar një samit të tillë midis qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës.

Mbledhja e së hënës i shërben natyrisht të gjitha këtyre synimeve për integrime euro-atlantike, thotë Bytyçi, gjersa shton se duhet nxitur takime të tilla.

Image
Profesori dhe analisti, Enver Bytyçi

“Sa kohë që qeveritë e vendeve përkatëse mblidhen e diskutojnë, aq kohë krijohen e eksplorohen mundësi të reja për thellimin e bashkëpunimit dy palësh dhe shumëpalësh. Për pasojë edhe paqja e stabiliteti në rajon konsolidohen. Më tej afrohet koha për integrime euro-atlantike të njëmendta. Mbledhja e së hënës i shërben natyrisht të gjitha këtyre synimeve dhe zgjon interes edhe në qarqet e Bashkimit Evropian. Ndoshta do të duhej një inkurajim më i madh i Brukselit për të nxitur takime të tilla të përbashkëta, të cilat nuk janë vetëm model i këtyre vendeve në Ballkanin Perëndimor, por kanë nis që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore midis Gjermanisë dhe Francës”, nënvizon profesori.

Ai thotë se mungon vullneti politik për një samit mes qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës.

Sipas tij, iniciativa e nisur nga Rama e Thaçi, më tepër ishte iniciativë personale për promovimin reciprok të të dy liderëve politikë të kohës.

“Por ndërsa dy qeveritë e lartpërmendura mblidhen e diskutojnë për të sotmen e të ardhmen e bashkëpunimit midis tyre, mungon një qasje pozitive, pra mungon vullneti politik për të organizuar një samit të tillë midis qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës. Janë bërë më shumë se dy vite që kur këto dy qeveri nuk mblidhen më. Ndonëse mbledhja e përbashkët e këtyre dy qeverive ishte iniciativë e qeverisë shqiptare, ato erdhën duke u zbehë dhe tash dy vite nuk kujtohet njeri për to. Nisi si iniciativë e Edi Ramës dhe e Hashim Thaçit dhe përfundoi si model, kur Thaçi u largua nga pushteti. Më duket se qe një iniciativë personale për promovimin reciprok të të dy liderëve politikë të kohës. Më pas, për inerci vazhdoi deri të qeveria Haradinaj, pra sa kohë Thaçi ishte në pushtet. Në nëntorin e vitit 2018 u mbajt takimi i përbashkët të qeverisë së Edi Ramës dhe asaj të zotit Haradinaj në Pejë. Aty filloi konflikti i egër që përfundoi me padi në Gjykatën e Prishtinës të kryeministrit të Shqipërisë kundër kryeministrit të Kosovës. Se si do të vijonte një iniciativë e mbledhjeve të përbashkëta me dy kryeministra që do të ballafaqoheshin në gjykatë kundër njëri-tjetrit, këtë një zot e di! Në Pejë Edi Rama i tha Ramushit se “Kush i thotë Hashim Thaçit tradhtar, ai është gomar”! Ndërkohë që ai sapo kishte përfunduar mbledhjen e përbashkët me qeverinë e “gomarit”!”, shprehet Bytyçi.

Ai rikthen në kujtesë si ka dështuar mbledhja e fundit, gjersa shton se duhej të fliste Edi Rama me një shoqërim të kërkim-ndjesës, nëse ai do ta shihte marrëdhënien Shqipëri-Kosovë interes strategjik i dyanshëm.

“Është sa komike, aq edhe tragjike historia e mbledhjeve të përbashkëta midis qeverisë shqiptare dhe asaj kosovare. Megjithatë kulmi i denigrimit të këtyre mbledhjeve dhe të injorimit të Kosovës nga ana e kryeministrit të Shqipërisë ishte fundi i qershorit 2023. Vetëm 24 orë para organizimit të mbledhjes së qeverisë së Ramës dhe asaj të Kurtit në Gjakovë, Rama njoftoi anulimin e saj. Në mënyrë të njëanshme, pa asnjë konsultim me kryeministrin Kurti, për qëllime të pushtetit të tij personal dhe për t’i kontribuar “të drejtës serbe mbi Kosovën”! Ishte koha kur në komunat e veriut u promovuan kryetarët e komunave. Serbia ishte në krizë për shkak të bojkotit dhe duhej ndihmuar nga Rama për ta fajësuar Kosovën për bojkotin serb. Ndërkohë në këtë linjë qenë të gjithë sorosistët euro-amerikanë. Rama me anulimin e kësaj mbledhjeje përfitonte dyfish, simpatinë e Vuçiq dhe të ndërkombëtarëve. Ndaj dhe iu kundërvu interesave të Kosovës. Për prestigjin e tij në terrenin serb dhe atë evropian. Në këto kushte, prej asaj kohe askush nuk ka folur më për një mbledhje të përbashkët të të dy qeverive të të dy shteteve që quhen si shtete shqiptare. Duhej të fliste Edi Rama me një shoqërim të kërkim-ndjesës, nëse ai do ta shihte marrëdhënien Shqipëri-Kosovë interes strategjik i dyanshëm. Por nuk ka ndodhur e nuk ka për të ndodhur. Megjithëse bëri agresionin politik kundër Kosovës me anulimin e mbledhjes së përbashkët të të dy qeverive, kryeministri i Shqipërisë nuk ka aftësinë e të marrit të përgjegjësisë përkatëse. Askush nuk duhet ta presë këtë!”, përfundon profesori.

Zogaj: Raportet e pa lakmueshme ndërmjet dy shteteve shqiptare - Kosovës e Shqipërisë, janë një e metë e madhe dhe shumë e dëmshme

Ndërsa, analisti Skënder Zogaj, thotë se raportet e pa lakmueshme të dy shteteve shqiptare dhe Maqedonisë që është gjysmë shtet shqiptar, janë një e metë e madhe.

Image
Skënder Zogaj

Sipas tij, Shqipëria dhe Kosova si dy kokat e shqiponjës në flamur duhet ta përfaqësojnë trupin e qenies shqiptare dhe kjo nuk është duke ndodhur për shkak të udhëheqjes shtetërore.

“Raportet e pa lakmueshme ndërmjet dy shteteve shqiptare - Kosovës e Shqipërisë dhe Maqedonisë që realisht është gjysmë shteti shqiptar, janë një e metë e madhe dhe shumë e dëmshme për fatin historik aktualisht, por edhe për të ardhmen e shqiptarëve, që pas disfatave shekullore, e kanë në dorë rastin e volitshëm (të papërsëritshëm) për ta nxjerrë nga pengu kolonial tokën dhe të drejtën kombëtare për të qenë zotër në hapësirat e veta etnike padrejtësisht të shkëputura dhe të aneksuara! Çështja është hamletiane "të jesh a të mos jesh!?" që e ka e ka marrë drejtimin sepse, pjesa e parë e pyetjes është zgjidhur - JEMI, dhe tash duhet të tregojmë A DO TË JEMI? Kjo është çështja që shqiptarët duhet ta zgjidhin. Dhe kjo çështje nuk zgjidhet me angazhime të pjesërishme, por kërkon unitet të plotë gjithëkombëtar të faktorit shqiptar. Shqipëria dhe Kosova si dy kokat e shqiponjës në flamur duhet ta përfaqësojnë trupin e qenies shqiptare. A po ndodh kjo? Përgjigjja është Jo! Pse nuk po ndodh padyshim që diku qëndron faji, dhe ku është ky faj, e kanë për detyrë udhëheqjet shtetërore në të gjitha anët e kufijve ta gjejnë dhe ta eliminojnë nëse janë të vetëdijshëm për mision historik që i ngarkon para kombit e Zotit!”, shprehet Zogaj.

Sipas tij, takimi i Qeverisë së Kosovës me atë të Maqedonisë duhet përshëndetur motivuar edhe për bashkëpunim sistematik me Shqipërinë. Këtë çështje shumë serioze duhet ta kenë "vath në vesh" edhe elektoratet në Kosovë e në Shqipëri me rastin e zgjedhjeve të reja

“Unë e preferoj në rend të parë vetëkritikën prandaj, fajin për raportet jo të kënaqshme me Shqipërinë ia ngarkoj udhëheqjes kosovare, sepse, Kosova e di më mirë se Shqipëria jetën nën robërinë e huaj, prandaj, pavarësisht nga sjelljet patërnaliste të Tiranës, mendoj se duhet të insistoj dhe të bëjë të pamundurën që bashkëpunimi të jetë më i afërt, më i thellë, më jetik për interesat e larta kombëtare që janë siameze dhe, absolutisht të pandashme! Gabim është nëse dikush mendon ndryshe! Mendimi ndryshe shkon kah vetasgjësimi i paevitueshëm, për të cilin po punojnë të gjithë armiqtë e shqiptarëve! Takimi i Qeverisë së Kosovës me atë të Maqedonisë duhet përshëndetur motivuar edhe për bashkëpunim sistematik me Shqipërinë. Këtë çështje shumë serioze duhet ta kenë "vath në vesh" edhe elektoratet në Kosovë e në Shqipëri me rastin e zgjedhjeve të reja, sepse, vota duhet të favorizoj ata që duan bashkëpunimin ndërshqiptar dhe që pas zgjedhjeve do t'i ndryshojnë këto raporte! Nuk ka rëndësi cilët krah partiakë e ideologjikë fitojnë pushtetin, të gjithë duhet ta kenë të qartë dhe të punojnë për shtetet e sotme dhe shtetin e së nesërmes!”, përfundon analisti.

Tradita e mbledhjeve ndërmjet dy qeverive kishte filluar në vitin 2014, ku dy qeveritë ishin takuar në Prizren, qytetin e Lidhjes së Prizrenit me motin “Qyteti i Lidhjes ju mirëpret”. Atë kohë Qeveria në Kosovë drejtohej nga Hashim Thaçi.

Mbledhja tjetër e përbashkët ishte mbajtur në 23 mars 2015 në Tiranë me motin “Një tokë, një popull, një ëndërr”. Në atë kohë në Qeveri ishte Isa Mustafa.

Në vitin 2016 mbledhja ishte kthyer në Prishtinë, po ashtu kryeministër ishte Isa Mustafa.

E viti 2017 i kishte bërë bashkë në qytetin e Korçës dy qeveritë shqiptare, të udhëhequra nga Edi Rama e Ramush Haradinaj.

Në vitin 2018 mbledhja ishte mbajtur në Pejë më 26 nëntor, edhe në këtë vit në qeverisje ishte Ramush Haradinaj

Në vitin 2020 mbledhja e dy kabineteve ishte zhvilluar në Tiranë nga Qeveria Hoti dhe ajo Rama 2.

Në vitin 2021 Qeveria Kurti dhe Qeveria Rama ishin takuar në Elbasan.

Takimi i fundit mes kabinetit të Kurti dhe Ramës ishte zhvilluar në Prishtinë, më 20 qershor 2022.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat