‘Parashikim i keq’ për Thaçin e të tjerët, juristi nga Belgjika paralajmëron zhvillime të reja në Hagë: Do ketë dëshmitar me…!

Politika

‘Parashikim i keq’ për Thaçin e të tjerët, juristi nga Belgjika paralajmëron zhvillime të reja në Hagë: Do ketë dëshmitar me…!

Nga: A.M. Më: 16 nëntor 2024 Në ora: 20:01
Ish-pjesëtarët e UÇK

Ditë më parë, kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova mbajti një konferencë, në të cilën foli për rrjedhat e Prokurorisë Speciale në procesin gjyqësor kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, me ç’rast ajo theksoi se puna e Prokurorisë si organ i akuzës, mbase kanë mbetur të ndëgjohen edhe 43 dëshmitar, parashikohet të përfundojë në prill të vitit 2025, dhe pastaj i hapet rruga mbrojtjes.

E në lidhje me këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.

Si fillim, ai rikujtoi se mandati i Speciales është rregullar me ligjin për ZPKS, derisa tha se vendosja e saj në Hagë, erdhi si pasojë se në Kosova kishte ‘mbeturina’ në sistemin gjyqësor e prokurorial.

Po ashtu, potencoi se pas përfundimit të gjykimit të Thaçit e të tjerëve, do të ketë të akuzuar të rinj në lidhje me vepra të ngjashme penale.

“Të përkujtoj se mandati i Gjykatës është rregulluar me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar që kanë jurisdiksion mbi krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, të kryera nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000. Vendosja e selisë së gjykatës në Hagë me staf ndërkombëtar, është bërë nga fakti se Kosova kishte, dhe për fat të keq ende ka mbeturina të së kaluarës në sistemin gjyqësor dhe prokurorial, drejtësi të kapur, kishte ndikim të madh të politikës në drejtësi, frikësim të dëshmitarëve, prishje të provave, veprime kundër administrimit të drejtësisë e deri te likuidimin e dëshmitarëve.

Prandaj, edhe përkundër zërave, sidomos nga ata që vet e formuan Gjykatën Speciale të shuhet ajo, konsideroj se proceset gjyqësore domosdoshmërisht duhet t’a vazhdojnë punën deri në fund, në mënyrë që drejtësia t’a jep verdiktin e merituar, pa paragjykuar epilogun definitiv. Madje, edhe me përfundimin e procesit gjyqësor kundër H.Thaçit, K.Veselit, J.Krasniqit dhe R.Selimit, Dhomat e Specializuara nuk e përfundojnë punën me kaq, sepse siç ishte paralajmëruar më herët, do të ketë të akuzuar të tjerë që lidhen me veprat e njejta penale”, shpejgoi ai.

Po ashtu, Musliu vlerësoi se prokuroria ka kryer një punë të mirë, sa i përket mbrotjes së dëshmitarëve.

Image
Juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.

Ai në këtë pikë përmendi edhe seancat e mbyllura, ku përveç dëshmitarëv u mbrojtën edhe familjet e tyre.

“Gjatë procesit gjyqësor, organi i akuzës – Prokuroria Speciale është treguar shumë e kujdesshme në mbrojtjen e dëshmitarëve, prandaj edhe ka patur seanca të redaktuara dhe të mbyllura për publikun, sepse vetëm në këtë mënyrë kanë mundur të sigurohen dhe mbrohen, jo vetëm dëshmitarët, por edhe familiarët e tyre. Kjo maturi e Prokurorisë ndaj dëshmitarëve është bërë edhe për prevenimin e ndërhyrjes në procesin gjyqësor, të cilat nuk kanë qenë të pakta, sikurse rasti i Nasim Haradinaj, Hysni Gucati, dhe të tjerë, për të cilët nga buxheti i Kosovës u dhanë miliona euro.

Sikur seancat gjyqësore të kishin qenë publike dhe të paredaktuara, atëherë edhe publiku do të kishte mundur t’a krijoj opinionin e vet, e në veçanti ata të profesionit, edhe pse për të pranishmit në procesin gjyqësor çdo gjë është transparent”.

Tutje, juristi nga Belgjika konsideron se tash e sa vite është bërë një propagandë për Gjykatën Speciale, se kinse kjo e fundit po gjykon luftën e UÇK-së.

Sipas tij, kjo gjë u bë nga “PDK-ja dhe disa televizione, gazetarë dhe analistë mercenar që paguhen me para të pista”.

Gjithashtu, konsideron se zhbërja e Gjykatës Speciale nuk duhet të jetë opsion.

“Në këtë kontekst, lidhur me dëshmitarët, dëshiroj të potencoj faktin se, në opinion është krijuar një fenomen që ka ndikuar negativisht në mbarëvajtjen e tërë procesit gjyqësor, respektivisht përmes një propagande të egër dhe të pandershme që bazohet në manipulime, ndër vite është ndërtuar narativa e kauzave të rrejshme, sidomos nga PDK-ja dhe disa televizione, gazetarë dhe analistë mercenar që paguhen me para të pista, se në Dhomat e Specializuara po mbrohet UÇK-ja dhe lufta e saj e drejtë, që nuk ka të bëjë aspak me realitetin dhe të vërtetën, sepse të akuzuarit në fjalë, akuzohen për vepra penale që kualifikohen si krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera ekskluzivisht ndaj civilëve të pambrojtur shqiptar, veprimtarëve dhe patriotëve të dalluar, kundërshtarëve politik, komandantëve dhe ushtarakëve të FARK-ut, si dhe civilëve të etnive tjera. Duke u nisur nga kjo propagandë mashtruese dhe gebelsiane, një pjesë e dëshmitarëve i kanë ndryshuar dëshmitë, kanë abstenuar nga dëshmitë dhe nuk e flasin të vërtetën, duke menduar se do të gjykohen nga opinioni si tradhtarë, disa të tjerë janë kërcënuar dhe likuiduar, që dukshëm e ka vështirsuar punën e Prokurorisë Speciale. Në këtë kuptim, konsideroj se dëshmitarët e kanë obligim t’a flasin të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, sepse kështu e ndihmojnë drejtësinë, e pastrojnë UÇK-në dhe i ngushllojnë familiarët e të vrarëve, prandaj zërat për zhbërjen e Gjykatës Speciale nuk duhet të jetë opsion. Deri në përfundimin e dëshmive, konsideroj se do të ketë dëshmitar me peshë, më kredibil që mund të kenë njohuri për akuzat në fjalë dhe që mund t’a ndihmojnë drejtësinë”.

Në fund, ai theksoi se gjykimi në Hagë është vetëm në shkallën e parë, ku do ketë sigurisht ankimime nga mbrotja dhe se kjo gjë do marrë shumë kohë.

“Vlen të theksoj edhe heshtjen e LDK-ës në tërë këtë proces gjyqësor, e cila që nga paslufta, nëpër fushata zgjedhore, por edhe në Kuvendin e Kosovës, drejtpërdrejtë dhe publikisht e kanë akuzuar lidershipin e PDK-së për vrasjet, para, gjatë dhe pas luftës të veprimtarëve të dalluar të LDK-së, mbase për të bërë akuza kaq të fuqishme, sigurisht se lidershipi i LDK-së duhet të ketë njohuri solide dhe të rëndësishme për këto vrasje, kurse tani hesht!

Së fundmi, dua të theksoj se procesi gjyqësor kundër të akuzuarve në fjalë, është vetëm shkalla e parë, më pas, sigurisht se do të ketë ankimime nga mbrojtja ose Prokuroria Speciale dhe do të pasojë shkalla e dytë dhe e tretë, që mund të merr kohë”, përmbylli Skënder Musliu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat