Trysnia e ndërkombëtarëve për një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë po vazhdon të jetë prezente.
Përmbajtjen e marrëveshjeve të nënshkruara si dhe dakordim në bisedime janë disa nga kërkesat që në vazhdimësi fliten nga bashkësia ndërkombëtare të realizohen.
Por, është Serbia ajo e cila nuk po arrinë të “jetoj në realitet” duke bërë veprime jo të duhura ndaj Kosovës dhe duke mos respektuar asnjë marrëveshje.
E së fundmi, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani konsideroi se Kosova mund ta zbatojë njëanshëm marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit nëse merr garanci nga partnerët ndërkombëtarë se në këmbim do të përfitonte njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Megjithatë, ajo thotë se deri tani nuk ka pasur përgjigje konkrete për një gjë të tillë.
Presidentja theksoi se pa miratimin e një akti juridik nga ana e Qeverisë së Kosovës lidhur me draft-statutin e Asociacionit të propozuar nga Bashkimi Evropian askush nuk mund ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim.
“Është qëndrimi vetëm i imi, jo domosdoshmërisht i institucioneve tjera, e kam thënë, ka të bëjë me mënyrën të cilat ne i kemi shfrytëzuar në vitin 2007-2008. Atëherë kur Serbia nuk zbatonte, ne e kemi pasur me marrëveshjen tonë me partnerët, me aleatët edhe pse Kosova pakon e Ahtisarit e kishte zbatuar në mënyrë të njëanshme ajo çfarë kishte përfituar ishte pavarësia, njohjet, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare. Në qoftë se partnerët ndërkombëtarë janë të interesuar që ne të ulemi me ta dhe zbatimi i marrëveshjeve nga ana e Kosovës të lidhet me përkrahje ndërkombëtare, garanci të sigurisë, njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare kjo është një situatë e re”, tha ajo.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se nuk mund të kërkohet zbatimi i detyrimeve të dala nga marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit vetëm për Kosovën, derisa Serbia formalisht është tërhequr nga marrëveshja në fjalë.
Agusholli: Çdo veprim duhet të ndërmerret me kujdes dhe në koordinim të plotë me partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë
Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur deputeti Gramos Agusholli.
Ai thotë se deklarata e presidentes Osmani reflekton një qasje për të avancuar interesat e Kosovës në raport me marrëveshjet ndërkombëtare dhe integrimin tonë në organizatat ndërkombëtare.
Gjitashtu, deputeti konsideron që çdo veprim duhet të ndërmerret me kujdes dhe në koordinim të plotë me partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë.
“Konsideroj se Kosova duhet te zbatojë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare përderisa ato i zbaton edhe Serbia. Deklarata e presidentes Osmani reflekton një qasje për të avancuar interesat e Kosovës në raport me marrëveshjet ndërkombëtare dhe integrimin tonë në organizatat ndërkombëtare. Por, nëse ne i zbatojme ato njëanshëm, duhet të mbajmë përgjegjës dikë që kujdeset që edhe pala tjetër do i zbatojë.
Si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, konsideroj se çdo veprim duhet të ndërmerret me kujdes dhe në koordinim të plotë me partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë. Por, duke e ruajtur dinjitetin tonë si shtet”, u shpreh ai.
Më tej, deputeti nënvizon që ndryshimet në raport me Serbinë, varen nga zhvillimet në proceset diplomatike si te brendshme, ashtu edhe në politiken e jashtme.
“Është e rëndësishme që të sigurohemi se çdo hap që ndërmarrim forcon pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe shërben për realizimin e objektivave tona kombëtare. Sa i përket ndryshimeve të mundshme, kjo do të varet nga zhvillimet në proceset diplomatike si te brendshme, ashtu edhe në politikën e jashtme. Nëse ndryshojnë poltikat e brendshme do ta kemi më të vështirë të përparojmë në këtë proces sepse e dijmë se ccfarë gafa kanë bërë politikat e kaluara në diplomaci”, foli Agusholli për “Bota sot”.
Batusha: Kosova ka qenë dhe mbetet palë konstruktive në dialog
Ndërsa, deputeti tjetër nga radhët e LVV-së, Agon Batusha në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që Marrëveshja e Brukselit dhe ajo e Ohrit nuk është pranuar zyrtarisht nga Serbia, andaj Kosova mbetet palë konstruktive në dialog.
“Kosova ka qenë dhe mbetet palë konstruktive në dialog. Marrëveshja e Brukselit dhe ajo e Ohrit nuk janë pranuar zyrtarisht nga Serbia dhe mbetet e paarsyeshme mungesa e ndonjë mase ndaj qeverisë së Serbisë për këtë çështje”, potencoi ai.
Deputeti nuk preferon të komentoj deklaratën e presidentes Osmani, mirëpo potencon që Kosova duhet të forcojë tutje sovranitetin e vetë në gjithë territorin, të zbatojë Kushtetutën dhe ligjet për gjithë qytetarët njëjtë.
“Nuk jam i informuar me detajet e propozimin e Presidentes, andaj nuk dua të komentoj në këtë pikë. Por, mendoj që Kosova duhet të forcojë tutje sovranitetin e vetë në gjithë territorin, të zbatojë Kushtetutën dhe ligjet për gjithë qytetarët njëjtë, e për më tepër të kërkojë nga BE-ja statusin e shtetit kandidat, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe partneritetin me NATO-n, si çështje të merituara në bazë të përformancës. Nuk kemi çka e presim Serbinë dhe as që duhet të lejojmë pengimin e përparimit tonë prej këtij shteti fashist”, përfundoi Batusha për “Bota sot”.