Administrata e Presidentit Joe Biden ka hequr kufizimet që nuk e lejonin Ukrainën të përdorte armatime amerikane për të kryer sulme në thellësi të territorit rus, thanë për agjencinë e lajmeve Reuters tre burime që kanë dijeni për këtë çështje.
Ukraina planifikon të kryejë sulmet e saj të para me rreze të gjatë veprimi në ditët në vazhdim, thanë burimet për Reuters, pa dhënë detaje për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë e operacioneve.
Ky vendim i Shteteve të Bashkuara, rreth 2 muaj përpara se Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump të marrë detyrën më 20 janar, vjen pasi për muaj me radhë Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy kishte kërkuar që ushtria e vendit të tij të lejohej të përdorte armatimet amerikane për të goditur objektivat ushtarake ruse që gjenden larg kufirit.
Në lidhje me këtë vendim që nga mbrëmja e djeshme ka pasur reagime të mëdha.
Mirëpo a mund të ketë ndonjë përshkallëzim më të thellë të situatës?
A do të ketë ndikim kjo çështje në Ballkan?
Për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Fatjon Softa duke shtjelluar këtë temë dhe ndikimin e këtij vendimi.
Ai thotë se me këtë vendim mund të kemi përshkallëzim të konfliktit Rusi – Ukrainë.
Sipas tij, ky përshkallëzim i rrezikshëm, mund të krijojë probleme serioze të sigurisë globale.
“Përshkallëzim i konfliktit Rusi - Ukrainë, Presidenti SHBA në largim President Joe Biden autorizoi Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky të përdorë raketat me rreze të gjatë veprimi për të goditur Rusinë, në përgjigje të dërgimit nga Koreja e Veriut të 12000 ushtarëve në Rusi.
Ky përshkallëzim i rrezikshëm, mund të krijojë probleme serioze të sigurisë globale. Në ditët në vazhdim, bota mbanë frymën për çfarë mund të ndodhë. Ky moment mund të ndryshoj ekuilibrat dhe përdorimin e armëve të avancuara që Ukraina disponon nga ndihma SHBA”, u shpreh ai.
Në bised e sipër eksperti kujton një deklaratë të Putinit që nëse ndodhë një vendim i tillë, NATO do të jetë në luftë me Rusinë.
“Situata mund të nxisë dhe motivojë goditjen e zonave me konflikte si Ballkani që janë anëtare të NATO-s dhe ku sistemet e sigurisë janë më të dobëta”, shtoi tutje ai.
“Kujtojmë deklaraten Putin: Nëse Ukraina përdorë armët me rreze të gjatë, NATO është në luftë me Rusinë!
Bota në duart e Donald J. Trump për vendimet e tij.
Situata mund të nxisë dhe motivojë goditjen e zonave me konflikte si Ballkani që janë anëtare të NATO-s dhe ku sistemet e sigurisë janë më të dobëta”, përfundoi eksperti i sigurisë, Fatjon Softa për “Bota sot”.