Rusia dha ‘paralajmërim jo të mirë’ pas vendimit të Joe Biden për armët, eksperti ‘zbulon’ nëse do të përshkallëzohet lufta në Ukrainë

Politika

Rusia dha ‘paralajmërim jo të mirë’ pas vendimit të Joe Biden për armët, eksperti ‘zbulon’ nëse do të përshkallëzohet lufta në Ukrainë

Nga: N.E Më: 18 nëntor 2024 Në ora: 22:14
Putin- Zelensky

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka hequr kufizimet që e parandalonin Ukrainën që të përdorte armët amerikane për të sulmuar thellë brenda territorit rus, kështu kanë raportuar mediat amerikane më 17 nëntor.

Këto raportime nuk i ka komentuar Shtëpia e Bardhë, ndërsa të hënën më 18 nëntor, Presidenti amerikan, Joe Biden e ka përmendur sërish mbështetjen e Qeverisë amerikane për Ukrainën, teksa ka folur në samitin e 20 vendeve më të industrializuara në botë (G20) që po mbahet në Rio de Zhaneiro të Brazilit.

“Ne të gjithë duhet të punojmë për t’iu dhënë fund konflikteve dhe krizave që janë duke gërryer përparimin drejt përmirësimit të sigurisë në botë”, ka thënë Biden.

Ai ka thënë se “Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”.

“Secili në këtë tavolinë, sipas bindjes sime, duhet të veprojë njëjtë”, ka thënë Biden.

Më herët gjatë ditës, Kremlini e ka akuzuar Bidenin se po synon të përshkallëzojë konfliktin në Ukrainë me heqjen e kufizimeve në armët me rreze të gjatë.

Këto deklarata janë bërë pas raportimeve të disa mediave se Biden ka dhënë leje që ukrainasit t’i përdorin armët amerikane më thellë në sulmet kundër Rusisë.

Këto zhvillime vijnë pas disa muajve të lobimit të zyrtarëve ukrainas, përfshirë presidentin Volodymyr Zelensky, që shtetet e Perëndimit t’i japin Kievit dritën e gjelbër për të përdoruar armët për të qëlluar shënjestrat më larg.

Shtetet e Bashkuara, dhe disa vende të NATO-s, kanë vendosur deri më tani kufizimin se deri në çfarë distance mund të përdoren armët.

Arben Dashevci, ekspert i sigurisë duke komentuar vendimin e presidentit amerikan Joe Biden, e konsideron si përfitim të Ukrainës në pozicionet e vijës së frontit.

“Vendimin i presidentit Joe Biden për përdorimin e raketave ATACMS nga Ukraina në Kursk e shoh si përfitim të Ukrainës në pozicionet e vijës së frontit. Pra një përfitim të shpejtë. Aty Rusia ka marë ndihmë 10 mijë trupa koreano-veriore në rajonin e Kurskut, qasjen e Rusisë e shohë si një hakmarrje ndaj Ukrainës”, shprehet Dashevci.

Image
Arben Dashevci, ekspert i sigurisë

Ai parashikon një përfundim të shpejtë të luftës.

“Po afrohet edhe inaugurimi i presidentit në ardhje Trump, dhe ShBA-ja (Biden) po mobilizohet plotësisht për të mbështetur fitoren e Ukrainës në terren sa më shpejt. Pra një shpresë për Ukrainën, por me ardhjen e Trump mendoj që lufta atje do të përfundojë shpejt me arritjen e një marrëveshje paqeje”, thekson eksperti.

Në anën tjetër, një ish-zëdhënës i presidentit rus Vladimir Putin ka paralajmëruar britanikët për ‘luftë bërthamore deri në Krishtlindje’, kjo pasi Ukrainës iu dha leja për të lëshuar raketa perëndimore me rreze të gjatë veprimi në territorin e Kremlinit.

Sergej Markov, një ish-zëdhënës i Putin tha sot se aleatët perëndimorë, duke përfshirë Britaninë, Francën dhe SHBA-në, kishin bërë një “hap të madh” drejt konfliktit bërthamor duke i dhënë Ukrainës një miratim të tillë.

Markov tha se lëvizja e presidentit amerikan Joe Biden mund të nënkuptojë se britanikët “nuk do të jenë në gjendje t’i urojnë njëri-tjetrit ‘Gëzuar Krishtlindjet’ pasi mund të ishin në strehimoret nukleare”.

I pyetur nëse mund të ketë një përshkallëzim të luftës, Arben Dashevci, eksperti sigurie ka thënë se gjasat janë të vogla.

Duke u bazuar edhe në deklarata ukrainase, Dashevci thotë se më afër është marrëveshja.

“ Gjasat për përshkallëzim i shoh si të vogla, sepse arritja e një marrëveshjeje mes palëve ose ndalja e luftës është më afër se përshkallëzimi. Këtë e ka thënë vetë edhe presidenti ukrainas për presidentin në ardhje Trump”, shton Dashevci.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat