“Heshtja” e Kallas për dialogun Kosovë-Serbi shkaktoi shqetësime dhe konfuzion – çfarë pritet më tej?

Politika

“Heshtja” e Kallas për dialogun Kosovë-Serbi shkaktoi shqetësime dhe konfuzion – çfarë pritet më tej?

Arife Morina-Mulaku Nga Arife Morina-Mulaku Më 19 nëntor 2024 Në ora: 08:01
Kaja Kallas

Dialogu Kosovë-Serbi ka stagnuar tash e një kohë.

Por, është rikthyer një optimizëm se mund të marrin kah tjetër zhvillimet në këto negociata. Kjo për faktin e zgjedhjes së Kaja Kallas, si shefe e re e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.

Konsiderohet se, Kallas e ka mundësinë ta riformojë qasjen e bllokut ndaj dialogut Kosovë-Serbi. Por, në seancën e saj të konfirmimit, ajo gati se nuk foli fare për këtë çështje – gjë që ngriti shqetësime.

Ajo u shfaqu këtë javë në seancë dëgjimore para Parlamentit Evropian, ka folur për luftën në Ukrainë, për konfliktin në Lindjen e Mesme, për rrezikun nga Kina, për forcimin e mbrojtjes në Evropë e çështje të tjera, por, çuditërisht, fare pak për Ballkanin Perëndimor - rajonin ku BE-ja ka shumë ndikim dhe është e përfshirë direkt në disa procese, përfshirë ndërmjetësimin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

E mos përmendja e dialogut që po zhvillohet në Bruksel, nga ana e Kallas, u konsiderua mjaft shqetësuese.

Kjo për faktin se kishte pritshmëri shumë të mëdha nga shefja e re e politikës së jashtme të BE-së.

Shabani: Qëndrimi i gjithë aleancës perëndimore në thelb dikton qëndrimin e Komisionit Evropian ndaj Serbisë dhe qasjen e këtyre dy politikanëve ndaj çështjes së Kosovës.

E në lidhje me këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur njohësi për çështjet evropiane, Amir Shabani.

Së pari, ai rikujtoi se Kallas është zotuar se do merret me dialogun Kosovë-Serbi, por që këtë nuk e përmendi në fjalën hapëse të saj.

Image
Amir Shabani.

Mirëpo, tregoi se në cilën pikë e përmendi dialogun.

“Kaja Kallas është pyetur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, çështje me të cilën është zotuar se do të merret gjatë mandatit të saj si kryediplomate e BE-së. Mirëpo, ajo nuk e përmendi dialogun as në fjalën e hapjes dhe as në fjalën mbyllëse dhe nuk pati pyetje nga deputetët e Parlamentit Evropian.

Vetëm në fund të debatit pyetja e fundit ishte ajo e deputetes nga Kroacia, Zheljana Zovko, e cila pyeti për bashkëpunimin me SHBA-në për ruajtjen e paqes në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në fqinjësinë juglindore të BE-së. Më pas, Kallas ka përmendur edhe dialogun”.

Gjithashtu, Shabani përmendi edhe zgjerimin e BE-s, derisa tha se është sinjal pozitiv që Kallas vjen nga një shtet që e ka njohur Kosovës, por qëndrimet e saj mund të ndikohen nga politikat e SHBA.

“Sa i përket Zgjerimit të BE-së si investim gjeo-strategjik të saj, ajo ka deklaruar se do punojë fuqishëm me Komisionin për Zgjerim dhe se fokusi kryesor do jetë normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Kaja Kallas vjen nga një vend me qëndrim negativ ndaj Rusisë, andaj do të shohim se cili do të jetë qëndrimi i saj ndaj gjendjes aktuale të dialogut. Edhe Estonia edhe Sllovenia e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe ky qëndrim është i qartë. Megjithatë, qëndrimi i SHBA-së ndaj Kosovës mund të ndikojë shumë tek ata, pavarësisht nga ky fakt. Në fund të fundit, të dyja janë të rëndësishme. Në BE, megjithatë, të gjithë tonin e vendos presidenti i Komisionit dhe SHBA-ja, e cila udhëheq politikën perëndimore ndaj Kosovës”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, shtoi se Kallas njihet për qëndrimet e saj në favor të integrimit të rajonit tonë në BE.

“Qëndrimi i gjithë aleancës perëndimore në thelb dikton qëndrimin e Komisionit Evropian ndaj Serbisë dhe qasjen e këtyre dy politikanëve ndaj çështjes së Kosovës.

Kallas është takuar disa herë me liderët e Kosovës dhe njihet për qëndrimet e saj në favor të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, kritike e Rusisë dhe simpatizuese për rolin e NATO-s në Evropë”, përmbylli Amir Shabani për “Bota sot”.

Halimi: Kaja Kallas, ka raporte të mira me njerëz në Kosovë, por ky ngërçi politik e bëri të sillet jo mirë me Kosovën

Image
Jeton Halimi

Kurse, analisti Jeton Halimi në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se Kallas ka shqetësime për moszbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara, nga të dy palët.

Në këtë pikë, ai e vlerësoi lartë figurën e shefes së re të BE-së për politikë të jashtme, derisa tha se ka arsye të jetë e shqetësuar për nivelin e dialogut mes dy vendeve.

“Kjo qasja e znj.Kaja Kallas, dëshmon shumë qartë se në çfarë niveli dhe çfarë gjendje gjendet dialogu Kosovë-Serbi. Duhet me iu bë presion edhe më të madh dy palëve që të fillojnë zbatimin e marrëveshjeve që janë të nënshkruara mes dy shteteve Kosovës dhe Serbisë”.

Krahas kësaj, Halimi tha se Kallas ka qasje të mirë me Kosovën, vetëm se e ‘nervozoi’ ngërçi politik.

“Shqetësime duhet të këtë për paraqitjen e parë të znj. Kallas, e cila është konsideruar si nervozuar me politikën e Kosovës e Serbisë dhe me mos zbatimin të gjithave marrëveshjeve të nënshkruara mes dy shteteve, përfshirë edhe këtë të fundit që u nënshkrua në Ohër të Maqedonisë së Veriut, vitin e kaluar. Përtej asaj, si një gjë shumë pozitive për Kosovën, znj. Kaja Kallas, ka raporte të mira me njerëz në Kosovë, por ky ngërçi politik e bëri të sillet jo mirë me Kosovën, si në paraqitjen e fundit e saj.

Paqja mundet me ardhur. nëse fillojnë dy shtetet me i zbatua të gjitha marrëveshjet”, përmbylli Jeton Halimi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat