Komentohet mbledhja e qeverive Kosovë-Maqedoni, pse u “zemëruan” BDI dhe PDK?

Politika

Komentohet mbledhja e qeverive Kosovë-Maqedoni, pse u “zemëruan” BDI dhe PDK?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 19 nëntor 2024 Në ora: 10:05
Takimi i Qeverisë së Kosovë dhe Qeverisë së RMV-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të hënën me nderime të larta shtetërore homologun e tij maqedonas, Hristijan Mickovskin.

Pritja pasoi para mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

Dy kryeministrat fillimisht parakaluan para pjesëtarëve të Gardës të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët intonuan himnet shtetërore të dy vendeve.

Kryeministri Albin Kurti u shpreh se takimi ka dhe një rëndësi simbolike se përkon me 15 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve.

Sipas tij “Marrëdhëniet e mira mes dy vendeve  reflektohen edhe në rritjen e vazhdueshme të tregtisë”.

Ndërsa, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski është shprehur i lumtur  për pritjen që ia bëri homologu i tij, Albin Kurti, në Prishtinë në kuadër të takimit të përbashkët mes të dyja vendeve.

“I dashur, Albin. Faleminderit për pritjen e shkëlqyer, energjinë dhe atmosferën që na e mundësuat sot këtu në Prishtinë. Shpresoj se kjo energji e bukur dhe koha e bukur do të jenë impulse të reja për marrëdhënie akoma më të mira midis të dyja vendeve. Shpesh herë takohemi jashtë shteteve tona dhe bisedojmë për gjendjen në vendet tona. Jemi të vetëdijshëm për sfidat, çdo herë konkludojmë se nëse punojmë bashkë do të jemi më të fuqishëm”, tha ai.

Mickoski tutje tha se bashkëpunimi ekonomik do të jetë mbi gjysmë miliard euro tregti midis të dyja vendeve.

“Gjatë takimit bilateral përcaktuam një qëllim këtë vit, bashkëpunimi ekonomik do të jetë mbi gjysmë miliard euro tregti midis dy vendeve tona, në vitet që pasojnë bashkëpunimi ekonomik do të jetë akoma më i madh, jam i bindur se do ia dalim. Takimi ndërqeveritar është provë dhe dëshmi se të dyja qeveritë tregojnë se bashkëpunojnë dhe kemi marrëdhënie miqësore dhe të afërta të cilat do t’i avancojmë. Kemi marrëveshje në pjesën e energjetikës, e po ashtu edhe të rregullimit të kalimeve ndërkufitare që qytetarët që hynë dhe dalin nga vendet tona do të ndalen në një pikë kalimi dhe jo në dy, dhe në këtë mënyrë të mos ketë rrëmujë nëpër kufi. Të kemi një pikë kufitare dhe të përshpejtohet transferi i udhëtarëve”, u shpreh kryeministri maqedonas.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut në një ceremoni kanë nënshkruar një protokoll për zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e qytetarëve në dy pika kufitare, por edhe memorandumin e mirëkuptimit për energjinë dhe memorandumin për arsim.

Analistë e politologë konsiderojnë se takime të tilla padyshim se janë të mirëseardhura dhe gjykuar nga marrëveshjet e nënshkruara dhe tërësinë e përfaqësimit politik prezent mund të cilësohet si mbledhje e suksesshme dhe shpresëdhënëse.

Ramadani: Mbledhje konkrete e suksesshme dhe shpresëdhënëse

Ramadan Ramadani,  analist politik pranë Institutit për mendim të lirë “Nisma” nga Shkupi, duke komentuar mbledhjen e qeverive, thotë se ajo mund në aspektin diplomatik cilësohet si mbledhje e natyrshme mes dy shteteve fqinje.

Image
Ramadan Ramadani

Sipas tij, mbledhje të tilla janë shpresëdhënëse për efikasitet të shpejtë.

“Gjykuar nga marrëveshjet e nënshkruara dhe tërësinë e përfaqësimit politik prezent në këtë mbledhje kjo mund prej tash të cilësohet si një mbledhje konkrete e suksesshme dhe shpresëdhënëse për efikasitet të shpejtë; sidomos për projektet infarstrukturore lidhëse mes dy shteteve. Në aspektin diplomatik cilësohet si mbledhje e natyrshme mes dy shteteve fqinjë me një këmbim aq të madh tregtar dhe si e tillë duhet të vijojë nga tjera të rregullta”, shprehet Ramadani.

Sulimani: Retorika e politikanëve protagonistë nga dy anët, humb sensin

Ndërsa, politiologu shqiptar në Maqedoni, Xhenis Sulimani, thotë se takimet marrin kuptim kur zbatohen iniciativat që janë në letër.

Image
Xhenis Sulimani

Sipas tij, takimi në mes RMV dhe Republikës së Kosovës merr kuptim kur ajo që është shënuar dhe dakorduar në letër bëhet në realitet.

“Bashkëpunimi rajonal, takimet e shpeshta ndërqeveritare të vendeve nga rajoni, padyshim se janë të mirëseardhura. Mirëpo, ato marrin kuptim në moment që nisin nismat dhe zbatohen iniciativat që janë në letër, e që zakonisht kanë për synim lidhjen infrastrukturore, dialogun politik dhe procesin eurointegrues. Andaj, edhe takimi i sotëm në mes RMV dhe Republikës së Kosovës merr kuptim kur ajo që është shënuar dhe dakorduar në letër bëhet realitet. Gjithçka tjetër, sidomos retorika e politikanëve protagonistë nga dy anët, humb sensin. Për shembull deklaratat e tipit: "Presim që më në fund të përfundojë autostrada Bllacë-Shkup! Të angazhohemi për jetësimin e tunelit Prizren-Tetovë", nuk duhet të përsëritet edhe në takimin e radhës në mes dy qeverive.”, deklaron Sulimani.

Reagimet

Për mbledhjen e qeverive kanë reaguar nga opozita si në Maqedoni, ashtu edhe në Kosovë.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar lidhur me mbledhjen e sotme të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Kosovës, duke thënë se ky takim nuk mund të shërbejë si një fasadë për të mbuluar dështimet e qeverisë aktuale dhe orientimin e saj kundër interesave të barazisë dhe multietnicitetit në vend.

BDI nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke kujtuar se ishte pikërisht BDI ajo që ndërmori dhe realizoi takimet më të rëndësishme ndërqeveritare ndërmjet dy vendeve.

Ndërsa, reagime ka pasur edhe nga Partia Demokratike e Kosovës. Enver Hoxhaj, deputet i kësaj partie, para mbledhjes e ka cilësuar qeverinë e Maqedonisë së Veriut, si përkushtuese për ta përmbysur dhe ta rikonfigurojë Marrëveshjen e Ohrit.

“Është mirë që deri më tani ka pasur mbledhje të përbashkëta, por e veçanta e kësaj mbledhjeje është kjo: Sot vjen në Kosovë Qeveria e Maqedonisë së Veriut, e cila është e përkushtuar që ta përmbysë dhe ta rikonfigurojë Marrëveshjen e Ohrit, e cila është arritja më e madhe e vetë shqiptarëve në Maqedoni””, ka thënë Hoxhaj.

Koordinim PDK-BDI?

Analisti Ramadani konsideron se opozitat në të dyja vendet ishin të koordinuara.

Ai thekson se ky nuk ishte koordinimi i parë mes dy subjekteve opozitare, PDK e Kosovës dhe BDI e Ali Ahmetit.

“Opozitat më të mëdha në dy vendet ashiqare ishin të koordinuara mes vete pasi që që para mbledhjes mes dy qeverive të shteteve u munduan, njëzëri, të problematizojnë çështje që nuk janë në domenin e tyre si qeveri të dy shteteve ose janë të brendshme të vetëm njërës palë. Vlen të theksohet se ky nuk ishte koordinim i parë mes këtyre dy subjekteve, tani opozitare, PDK e Kosovës dhe BDI e Ali Ahmetit pasi si i pari koordinim politik mund të cilësohet edhe dëgjimi i dëshmisë së Ali Ahmetit nga ana e Tribunalit Special në Kosovë, pas të cilit u burgosën disa nga krerët e PDK-së”, shton Ramadan Ramadani, analist politik pranë Institutit për mendim të lirë “Nisma” nga Shkupi.

Ndërsa, politologu Xhenis Sulimani duke komentuar reagimet e partive opozitare, kërkon nga ata të qëndrojnë syçelë dhe t’i mbajnë për fjalë zotimet e së hënës.

“Opozita në të dy shtetet, si dhe opinioni publik, duhet të rrijë syçelë dhe t'i mbajë për fjale, për zotimet e sotme”, përfundon politologu.

Mbledhja e së hënës është mbledhja e dytë e përbashkët e qeverisë së Kosovës me atë të Maqedonisë së Veriut, e cila pason mbledhjen e shtatorit të vitit 2021. Takimi i së hënës përkon me 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat