Kosova vazhdon të jetë ende nën masa sanksionuese, të cilat janë vendosur vitin e kaluar nga ana e Bashkimit Evropian.
Këto masa janë cilësuar si të padrejta, madje ato do duhej të largoheshin tash e sa kohë, marrë parasysh se situata në veri është e qetë, pasi edhe de-eskalimi në këtë pjesë të Kosovës ka ndodhur.
Josep Borrell, muaj më parë kishte dhënë një rekomandim për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, por për marrjen e vendimit duhet dakordimi i të gjitha shteteve anëtare.
Mirëpo, tash e një kohë kjo situatë vazhdon të mbetet e paqartë.
Së fundi, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një konferencë për medie në Bruksel se masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura në vitin 2023, janë të përkohshme dhe se ato mund të hiqen, varësisht prej veprimeve të Kosovës në terren, sidomos në veri të Kosovës.
“Përgjigja është sikurse herën e fundit dhe çështja është duke u shqyrtuar në Këshill dhe do të vendoset nga vendet anëtare pa marrë parasysh se kur do të nisin mandatin institucionet e reja”, tha Stano.
Megjithatë, nuk kishte një përgjigje nga ana e zëdhënësit të BE-së, nëse masat ndëshkuese ndaj Kosovës mund të hiqen para përfundimit të mandatit të Komisionit aktual Evropian, apo do të pritet përbërja e Komisionit të ri.
Ndërsa, presidentja e vendit, Vjosa Osmani vlerësoi se “vazhdimi i masave ndaj Kosovës është i padrejtë dhe se vendi i ka plotësuar kushtet që përfundimisht të largohen ato”.
Kosova fatkeqësisht po vazhdon me ndëshkime, pavarësisht se situata në veri është e qetë dhe pa ndonjë konflikt, por ka mundësi që këto masa janë të ndërlidhura edhe me ndonjë kërkesë të thënë në ‘prapaskenë’ nga ana e Bashkimit Evropian.
Koci: Është evidente që në një periudhë të afërt nuk do të ketë heqje të masave, sepse ato shërbejnë si instrument presioni dhe shantazhi kundër Kosovës
Kurse, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ish-kryeredaktori i Radio Evropa e Lirë, z. Melazim Koci foli në lidhje me mos largimin e masave ndëshkuese.
Fillimisht, ai kritikoi ashpër politikat e BE-së në raport me Kosovën, derisa përmendi disa fakte se pse “BE nuk është faktor kredibil”.
“Propozimi i Borrelit për heqjen e masave kundër Kosovës nuk është miratuar, sepse ka pasur vende të BE-së që nuk janë pajtuar. Kjo sërish dëshmon qëndrimin e njëanshëm të BE-së në raport me Kosovën. Kur u zbatuan masat, nuk u gjend një vend i BE-së që do t'i ndalte ato me veto. Tash kur propozohet heqja e tyre, dalin disa vende që kundërshtojnë. BE-ja kështu dëshmon se nuk është faktor kredibil dhe i besueshëm dhe sidomos jo në raport me Kosovën”.
Gjithashtu, Koci komentoi edhe qasjen e Brukselit në raport me dialogun Kosovë-Serbi, si dhe mosnjohjen e pesë shteteve evropian.
Këtë e ndërlidhi me masa ndëshkuese, që sipas tij janë sinjale se ato nuk do hiqen në një periudhë të afërt.
“Si është e mundur të kërkosh ujdi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nëse vetë (Brukseli) nuk ka arritur konsensus dhe unanimitet në çështjen e Kosovës!?
A është e mundur që Brukseli nuk ka forcë të bind asnjë nga 5 vendet mos njohëse të njohin shtetësinë e Kosovës? Apo ndoshta Brukselit i konvenon mosnjohja nga 5-shja për të arsyetuar pozitën ambivalente në raport me Kosovën!
Është evidente që në një periudhë të afërt nuk do të ketë heqje të masave, sepse ato shërbejnë si instrument presioni dhe shantazhi kundër Kosovës. Ato janë pasqyrim i paaftësisë së BE-së për t'u marrë seriozisht me raportin Kosovë - Serbi. Nëse do të kishte një minimum objektiviteti të BE-së, Serbia është dashur të vihet nën sanksione të ashpra pas agresionit në Banjskë. Mjerisht, kjo nuk ka ndodhur dhe për më shumë mbahet e sanksionuar Kosova”, shpjegoi ai.
Më tej, ish-kryeredaktori i REL, shpresat i ka te Trump dhe politikat e tij, kur dihet se ky i fundit ka një qëndrim të ashpër karshi BE-së.
“Kjo është e padrejtë, por në politikë e drejta shpesh nuk jetësohet. Kosovës i mbetet të pret se çfarë mund të sjellë administrata e re amerikane e Donald Trump. Ish presidenti Trump është i njohur për qëndrim të ashpër ndaj BE-së, për shkak të politikave ambivalente të Brukselit. Besoj që administrata Trump fillimisht do të merret me Ukrainën dhe Lindjen e Mesme dhe vetëm pastaj me Kosovën. Por, besoj shumë se plani eventual i ri amerikan për Kosovën do të jetë shumë më efikas se ky i tashmi i Bashkimit Evropian (plani franko - gjerman).
Zaten nga viti 1990, ishin SHBA-të që nxorën Kosovën nga humnera dhe jo Bashkimi Evropian. Nuk ka përse të jetë ndryshe as kësaj radhe”, përfundoi Melazim Koci për “Bota sot”.
Xani: Kjo situatë reflekton një ngërç politik, ndërsa masat mund të zgjasin me vite
Ndërsa, analisti politik, Visar Xani tha se BE po ka vështirësi të marrë vendime ndaj Kosovës, pasi ka ende shtete që nuk na njohin si shtet.
Krahas kësaj, ai në bashkëbisedimin me “Bota sot” potencoi se situata në fjalë konfirmon ngërç politik, e që fatkeqësisht masat mund të zgjasin edhe për një kohë të gjatë.
“Bashkimi Evropian vazhdon të përballet me vështirësi në marrjen e vendimeve sa i përket Kosovës, veçanërisht për shkak të mosnjohjes nga pesë shtete anëtare dhe qëndrimeve hezituese të disa vendeve, siç është rasti i Hungarisë. Kjo situatë reflekton një ngërç politik, ndërsa masat mund të zgjasin me vite, veçanërisht në mungesë të një epilogu nga dialogu i Brukselit dhe arritjes së një marrëveshjeje madhore, ku pastaj BE-ja, në një formë, mund të përdorë heqjen e këtyre masave si "shpërblim politik””.
Ndër të tjera, analisti kërkoi që Kosova të ushtrojë presion ndaj BE-së për të zhvilluar dialog me shtetet e saj, me synim të largimit të sanksioneve.
“Kosova duhet të intensifikojë përpjekjet për të ushtruar presion dhe për të zhvilluar dialog të ngushtë me shtetet e BE-së për heqjen e masave. Megjithatë, është e qartë se shumëçka tashmë varet nga vendimet politike të Bashkimit Evropian dhe jo vetëm nga veprimet e Kosovës”, përmbylli Visar Xani për “Bota sot”