Kosova në fokus të letrës së senatorit Blumenthal, Tali: Biden ka ndihmuar Kosovën, por Trump nuk...

Politika

Kosova në fokus të letrës së senatorit Blumenthal, Tali: Biden ka ndihmuar Kosovën, por Trump nuk...

Nga: A.SH Më: 19 nëntor 2024 Në ora: 18:00
Senatori Richard Blumenthal

Senatori amerikan Richard Blumenthal i ka dërguar një letër sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken për rrezikun që Serbia ia ka paraqitur Kosovës ndër vite, duke përmendur sulmin në Banjskë në shtator të vitit 2023.

Mes tjerash ai ka shkruar se “duke pasur parasysh qasjen e mëparshme të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, ndaj Rusisë administrata e re Trump do të bëjë shumë pak për ta inkurajuar paqen mes Serbisë dhe Kosovës”.

“Gjatë kësaj faze tranzicioni, ju kërkoj të përdorni të gjitha instrumentet që keni në dispozicion për t’u siguruar që Serbia të mbahet larg dhe e paaftë për të shkelur në territorin e Kosovës. Ne gjithashtu kërkojmë që ju t’i vazhdoni përpjekjet të kushtuara për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe pranimit të Kosovës në OKB”, ka shkruar senatori.

Ish-deputeti, Driton Tali në një prononcim për “Bota sot”, thotë se letrën e senatorit amerikan duhet ta shikojmë me dashamirësinë.

Sipas Talit, edhe Biden ka treguar se është mik i Kosovës

“Senatori Riçard Blumenthal është demokrat, një mik shumë i mirë i Kosovës dhe në përgjithësi i shqiptarëve. Këto 1000 ditët e Luftës në Ukrainë ishte një zë i fuqishëm anti Putin dhe loboi aq sa mundi që Ukraina të ndihmohet nga ShBA.

Këtë letër ne duhet ta shikojmë me dashamirësinë më të madhe dhe t'i falënderohemi për kujdesin që ka treguar në vazhdimësi. Nuk thuhet kot "miku i mirë shihet në ditët e vështira", dhe Senatori Blumenthal është miku që është parë e po shihet në vazhdimësi në ditët e vështira.

Megjithatë, unë mendoj se edhe presidenti Biden gjatë mandatit tij e bëri të mundshme, duke e patur parasysh gjithmonë gjeopolitikën e komplikuar. Jo rrallëherë kam shpreh edhe unë mospajtime, duke u nisur puro nga interesi i Kosovës, por ja që presidentit Biden i është dashtë të merret edhe me disa interese tjera të cilat në kohë të caktuara nuk ishin mbase në koordinim me interesat e Kosovës.

Sidoqoftë, ndodhi çka ndodhi, u bë çka u bë, edhe presidentin Biden duhet ta falënderojmë nga zemra për gjithë ato që i bëri për Kosovën, dhe jo vetëm gjatë këtij mandati si President”, nënvizon ai.

Kurse, për mandatin e Trump-it, thotë se as ai nuk do të sillet kundër interesave të SHBA-së, duke thënë se nuk e lejojnë mekanizmat shtetëror.

“Sa i përket mandati të ri të presidentit Trump, unë megjithatë nuk pajtohem se z Trump do të sillet kundër interesave të ShBA-së. Sepse edhe nuk do ta lejojnë mekanizmat shtetëror të ShBA-së po që se deshti edhe ai. Ato mekanizma nuk e lejojnë jo vetëm z Trump por cilindo individ që mund të bëhet President pa marrë parasysh personalitetin e tij agjil apo temperamentin që mund ta ketë. Dhe Kosova është interes Perëndimor sepse "Vija moderne e Teodosit" - mes Perëndimit dhe Rusisë - është në Merdare.

Tek e fundit ne e përjetuam një mandat të z. Trump si President. Mandat në të cilin madje përfituam edhe një njohje goxha të rëndësishme nga Izraeli.

Kësaj duhet shtuar edhe faktin se bota ka ndryshuar goxha shumë nga koha kur ai e la Shtëpinë e Bardhë.

Prandaj, unë pres që të shoh një Donald Trump ndryshe si President nga ai opozitari që ishte.

President i cili si paramont do ta ketë interesin e ShBA-së e demokracisë Perëndimore, dhe të asaj globale në përgjithësi.

Fjalët elektorale se "Luftën në Ukrainë do ta ndali për dy ditë" e dinë ai që nuk janë reale sepse ka të bëjë me Putinin. U pa edhe tashti me këtë "bisedën telefonike" që e patën se si Putini e "përgënjeshtroi".

Por edhe mbështetje bllanko nuk do t'i japi Bibit (Netanjahut) për faktin se sjelljen e tij makabre duhet stopuar patjetër ngase çka është tepër është tepër - nuk po jetojmë në Mesjetë”, përfundon ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat