“Do të mbyllen dëshmitë dhe...”, ish- agjenti i SHIK-ut “zbulon” vitin kur mund të merret vendimi për Thaçin, Veselin, Selimin e Krasniqin

Politika

“Do të mbyllen dëshmitë dhe...”, ish- agjenti i SHIK-ut “zbulon” vitin kur mund të merret vendimi për Thaçin, Veselin, Selimin e Krasniqin

Nga: N.E Më: 19 nëntor 2024 Në ora: 20:15
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë që katër vjet dhe vazhdimisht kërkesat e tyre për lirim nga paraburgimi janë refuzuar nga gjykatësit.

Janë në paraburgim në Hagë tash e katër vjet, ndërsa deri në fund të vitit 2025 pritet të përmbyllet marrja në pyetje të dëshmitarëve në rastin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-deputetit Rexhep Selimi dhe dy ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova, ka thënë javën e kaluar se u takon gjykatësve që të vendosin nëse do të lirojnë nga paraburgimi katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur Prokuroria e Specializuar të përfundojë rastin e saj.

“Nuk e di [nëse do të lirohen nga paraburgimi]. U takon gjykatësve të vendosin. E dini që gjykatësit lëshojnë vendime [për masën e paraburgimit] çdo dy muaj. Nuk e di se çfarë vendimi do të merret”, ka thënë Trendafilova gjatë një konference online për media.

Në prill, pasi ZPO-ja të ketë përfunduar marrjen në pyetje të dëshmitarëve, ekipet mbrojtëse të katër të pandehurve – të cilët janë deklaruar të pafajshëm – do të paraqesin rastin e tyre.

Duke folur për përmbylljen e këtij rasti, Trendafilova deklaroi se gjykatësit duan që ai “të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur, pa kompromentuar drejtësinë”.

Gjykimi ndaj tyre nisi në prill të vitit 2023, teksa ekipet mbrojtëse vazhdimisht janë ankuar për kohëzgjatjen e këtij procesi.

Trendafilova tha se përmbyllja e rastit, që e quajti voluminoz, varet pikërisht nga mbrojtja, pasi Prokuroria të përfundojë rastin.

“E dimë që deri së largu në prill prokuroria do të përmbyllë rastin. Më pas kemi katër ekipe të mbrojtjes. Po hamendësoj, ndoshta mbrojtja nuk do të ketë shumë.... Kjo është pyetja e njëjtë që është ngritur dy vjet më parë nga disa nga hisedarët. U kam thënë se ndoshta dëshironi të dëgjoni një përgjigje definitive, më vjen keq që do t’iu zhgënjej, unë do t’iu ofroja afate të rreme sepse njëherë është rasti i Prokurorisë, e më pas i mbrojtjes. E dimë që prilli është muaji kur përfundon Prokuroria. Kush e di, mund të jetë shumë shpejt”, pohoi kryetarja e Dhomave të Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale.

Ajo po ashtu shtoi se Prokuroria ka përshpejtuar këtë rast me largimin e 14 dëshmitarëve, ndërkaq edhe 43 të tjerë do të dëshmojnë deri më 8 prill.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ish- agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, beson se vendimi për lirim ose për dënimin e ish- krerëve të UÇK-së, mund të pritet në pranverën e vitit 2026.

Ai thotë se raportimet se Trump mund ta lirojë Thaçin nuk qëndrojnë, kjo pasi arrestimi i tij ishte bërë në qeverinë Trump 1.

“Po në prill mbyllen dëshmitë dhe e prokurorisë dhe dëshmitarët e saj, pastaj besoj deri në fund të vitit të ardhshëm përfundojnë edhe dëshmitë e mbrojtjes e dëshmitarëve. Besoj se vendimi për lirim ose për dënim pritet në pranverën e vitit 2026, ndërsa sa i përket përrallave “Ura Partizani”, se kinse gjykata do të mbyllet nga Qeveria e Donald Trump, nuk qëndron pasi mos të harrojmë se Thaçi është arrestuar në qeverinë Trump 1, kur sekretari i shtetit amerikan, Majck Pompeo, kishte ngulfatur me kundërpërgjigjen që kishte kthyer Hashim Thaçit kur ky tentonte të mbyllte gjykatën speciale me një kundër votim në parlament pasi Hashim Thaçi kishte njoftim se do të arrestohej edhe vetë, jo vetëm ish- shokët e tij, gjë që Thaçi mbante shpresë dhe kishte marrë premtime nga ata zyrtarë ndërkombëtarë se po e votuan Gjykatën Speciale do të shpëtonte, do të kishte imunitet ndaj gjykatës”, shprehet Miftari.

Image
Naim Miftari

Tutje, Miftari thotë Gjykata Speciale ishte e domosdoshme për pushtetarët.

“Vetë Gjykata Speciale ishte nisur nga një gënjeshtër e madhe e Dick Martit kinse për tregtinë me organe që etiketohej UÇK, edhe pastaj gjykata ishte bërë si një lloj biznesi i disa qendrave ndërkombëtare dhe i klanit të Hashim Thaçit. Gjykata Speciale nuk është e drejtë ndaj Kosovës, si shtet si popull, por e domosdoshme pasi pushtetarët Thaçi, Mustafa, Haradinaj, Limaj, Pacolli...kishin marrë kontrollin total ndaj drejtësisë, policisë, gjykatave, prokurorisë, inteligjencës, pra nuk kishte ligj për klanet e pushtetarëve PDK, LDK, AAK, për të korruptuarit, as për kriminelët e krimit të organizuar në Kosovë, shtetin e kishin shndërruar në pronë private të tyre, askush nuk dënohet nga Gjykata Speciale pse ka luftuar një X luftëtari kundër policisë e ushtrisë serbe, por munden të dënohen nëse kanë thyer rregullat e luftës qëllimisht ose rastësish duke i luftuar edhe kundërshtarët e tyre dhe konkurrentët politikë të tyre gjatë dhe pas luftës”, shton ish- agjenti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat