Formimi i Asociacionit po i kërkohet Kosovës në vazdhimësi nga ndërkombëtarët, mirëpo këtë kryeministrit Albin Kurti po e refuzon në çdo mënyrë.
Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi për zbatimin e saj duhet ta kenë pikënisje tërësinë, e jo vetëm pjesë të saj, ka thënë kryeministri Albin Kurti.
“Nuk është marrëveshja bazike një tryezë suedeze ku mund ta marrësh gjellën tënde të preferuar dhe t’i hedhësh të tjerat. Gjashtë fjali në preambulë, 11 nene në marrëveshje, plus aneksi i zbatimit nga Ohri i marsit të vitit të kaluar me 12 pika, pra duhet ta kemi pikënisje tërësinë, jo ndonjë pjesë duke mohuar tërësinë. Unë e kam diskutuar edhe në Bruksel këtë”, tha Kurti.
Tek i është referuar Asociacionit, kryeministri Kurti ka përmendur një kusht, që sipas tij, themelimi i kësaj trupe nuk mund të bëhet pa e njohur Serbia rendin kushtetues të Kosovës.
“Nuk mund të ofrojë unë kafe pa filxhan. Cili është burimi legal juridik i asociacionit, a është Kushtetuta e Kosovës, apo diçka tjetër. Beogradi thotë nuk e pranoj Kushtetutën e Kosovës. Atëherë pse jemi duke diskutuar. Nuk mund të thuash: Unë kam marrë sa kam marrë, dua të marr edhe më shumë, por ti nuk ekziston. Ata duhet ta pranojnë Kosovën, çkado që kërkojnë për serbët në Kosovë duhet ta kërkojnë përbrenda rendin juridik dhe kushtetutës të Republikës së Kosovës”, shtoi ai.
Për këtë çështje ka folur edhe analisti politik Binak Maxharraj.
Ai shprehet se, marrëveshjen e Brukselit të shkurtit 2023 dhe të Ohrit të qershorit 2023 po e refuzon Serbia dhe jo Kosova e cila po insiston që të nënshkruhet.
Ai shprehet se gabimi i madh dhe dështim i pafalshëm qëndron tek ndërkombëtarët të cilët nuk insistuan që kjo marrëveshje të nënshkruhet, sepse marrëveshjet ndërkombëtare të panënshkruara ligjet dhe juridiksioni ndërkombëtar nuk i njeh si të vlefshme.
“Ndërkombëtarët si nga BE permes Borellit dhe Lajçakut së bashku edhe me deklaratat e ambasadorëve të Amerikës Hovenier në Kosovë dhe Hill në Serbi e vunë opinionin në lajthitje se marrëvshjet ndërkombëtare edhe të pa nënshkruara janë valide, çfarë nuk është e vërtetë, është një mashtrim nga ana e tyre sepse çdo marrëvshje e panënshkruar ndërkombëtarisht nuk njihen, janë inekzistente”, thotë ai.
Sipas tij, këtë e theksojnë edhe shumë opinionist, jurist të shquar nga vendet më të fuqishme të botës si nga BE dhe SHBA.
“Vlenë të theksohet me këtë rast se këto marrëvshje të Brukselit dhe Ohrit janë inekzistente të papranueshme, të paqëndrueshme që do të thotë se ligjet dhe juridiksioni ndërkombëtar nuk i njeh si të tilla dhe çdo gjykatë ndërkombëtare as që pranon ti shqyrtojë”, potencon ai.
Ai shton se, për pasoj e kësaj erdhi draft statusi i BE-së për të cilën sot opozita dhe ndërkombëtarët po kërkojnë që të dërgohet në Kushtetuese.
“Draft statusi i BE-së ka shumë “mish dhije” përmbrenda që nuk mund të kapërdihet që sipas mendimit tim është hap i parë i formimit të tentimit serb që bie në kundërshtim me kushtetutën dhe karakterin shumë etnik të Kosovëë. Pastaj ky draft statut është pa autorsi por vjen në emër të BE-së pa autorsi s’dihet autorsia, a është bie fjala i Vuçiqit apo i Edi Ramës apo i dikujt tjetër por që i është dërgu Kosovës duke kërkuar që ai të dërgohet në Kushtetuese”, thekson ai.
Ndryshe, BE e kanë përsëritur qëndrimin se përparimi në dialog është thelbësor për rrugët respektive evropiane të Kosovës dhe Serbisë.
Zëdhënësi Peter Stano, tha se palët kanë marrë përsipër zbatimin e Marrëveshjeve dhe theksoi se është duke u punuar në planin e sekuencimit.
“Nga të dyja palët pritet t’i zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre e dialogut pa ndonjë vonesë apo parakushte sipas mënyrës hap pas hapi. Diskutimet për finalizimin e planit të sekuencimit janë duke vazhduar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.
Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Marrëveshjen Bazë në shkurt të vitit 2023 në Bruksel, e një muaj më vonë në Ohër edhe për Aneksin e zbatimit të saj. Por asnjëra prej pikave të Marrëveshjes nuk ka nisur së implementohet.
Marrëveshja 11-pikëshe mes tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore dhe që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.