Populli i Kosovës ka vuajtur shumë ndër vite nga krimet makabre të shkaktuara nga Serbia.
Krah i fortë i Kosovës kanë qenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), të cilat vazhdojnë ta mbajnë në fokus çështjen e shtetit tonë.
Kjo është konfirmuar edhe nga senatori amerikan, Richard Blumenthal, i cili dërgoi një letër sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken, ku theksohet rreziku që Serbia ia ka paraqitur Kosovës gjatë viteve, duke përmendur veçanërisht sulmin në Banjskë të shtatorit të vitit 2023.
Ai gjithashtu shfaqi shqetësimin se me ardhjen e Donald Trump në krye të SHBA-ve, mund të bëhet shumë pak për të inkurajuar paqen mes Serbisë dhe Kosovës.
“Duke pasur parasysh qasjen e mëparshme të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, ndaj Rusisë administrata e re Trump do të bëjë shumë pak për ta inkurajuar paqen mes Serbisë dhe Kosovës”. “Gjatë kësaj faze tranzicioni, ju kërkoj të përdorni të gjitha instrumentet që keni në dispozicion për t’u siguruar që Serbia të mbahet larg dhe e paaftë për të shkelur në territorin e Kosovës. Ne gjithashtu kërkojmë që ju t’i vazhdoni përpjekjet të kushtuara për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe pranimit të Kosovës në OKB”.
Lama: Adminisrata Trump t'i mbajë sytë kah Kosova?
Ish-ambasadorja Alma Lama në një bashkëbisedim me “Bota sot”, shprehet se ajo çfarë ka thënë senatori amerikan është e mirëpritur, e që sipas saj, senatori me siguri ka informacione të shërbimeve inteligjente për synime të Serbisë që të shfrytëzojë periudhën e tranzicionit mes dy administratave.
“Çdo iniciativë që vjen nga ligjvënësit amerikanë drejtuar administratës për të pasur më shumë vëmendje në çështje të sigurisë së Kosovës është ë mirëpritur. Me siguri senatori amerikan Richard Blumenthal, i kampit të demokratëve ka informacione të shërbimeve inteligjente për synime të Serbisë që të shfrytëzojë periudhën e tranzicionit mes dy administratave për të shtuar forcat ushtarake në afërsi të Kosovës ose për të krijuar ndonjë incident të ndjeshëm që do të tensiononte situatën në terren”, thekson ajo.
Më tej, ajo thotë se diçka po ndodh në terren. Madje, Lama shprehet se bota po hyn në një fazë të re të gjeopolitikës
“Senatorët informohen vazhdimisht nga raportet e shërbimeve inteligjente dhe mendoj se diçka po ndodh në terren. Për sa i përket qasjes së administratës së ardhshme amerikane ndaj Kosovës është e vështirë të thuhet apo parashikohet tani, por unë mendoj se do të ketë një lloj vazhdimësie. Pastaj pjesa tjetër do të varet edhe se si do të sillen palët në terren, p.sh Kosova dhe Serbia. Një gjë dihet me saktësi se bota po hyn në një fazë të re të gjeopolitikës, dhe kësaj nuk do t’i shpëtojë as Kosova. Deri tani qeveria aktuale nuk ka ditur ta lexojë situatën dhe ka bërë gabime të shumta duke i acaruar raportet si me SHBA-në ashtu edhe me BE-në”, deklaron ajo.
Rugova: Si republikanët ashtu edhe demokratët kanë qenë shumë të angazhuar për dhe rreth Kosovës
Ish-deputeti Naser Rugova, thekson fatin se Amerika ka qenë e fokusuar për Kosovën si me republikanët ashtu dhe me demokratët.
“Kjo letër e Senatorit Blumenthal është edhe një dëshmi se SHBA si aleati dhe partneri jonë kryesor kujdeset për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Kosovës.
Politika amerikane ndaj Kosovës vlerësoj se ka qenë e fokusuar njësoj këto 35 vitet e fundit ndaj çështjes së Kosovës pa marrë parasysh se kush ishte në Shtëpinë e Bardhë, apo në Senat e Kongres, si republikanët ashtu edhe demokratët kanë qenë shumë të angazhuar për dhe rreth Kosovës. Pa angazhimin dhe mbështetjen e SHBA-ve Kosova nuk do ishte e lirë dhe e pavarur. Pres angazhim konkret dhe dinamikë të shtuar nga administrata e re dhe ekipi i Presidentit Trump, në veçanti janë inkurajuese disa emërime në pozita kyçe nga Presidenti të cilët janë njohës të mirë të situatës por edhe miq të Kosovës”, thotë ai.
Në fund, ai shprehet se edhe lobi shqiptar ka mbështetur dhe vazhdon akoma në funksion të afirmimit të Kosovës.
“Lobi shqiptar ka qenë dhe vazhdon të jetë aktiv në funksion të afirmimit dhe mbështetjes së Kosovës në institucionet e shtetit amerikan por edhe në qarqet akademike dhe mediale. Pres një angazhim më të madh nga institucionet e Kosovës që të intensifikoj veprimet dhe të koordinohen më shumë me lobin tonë në SHBA, lob ky që ka merita të jashtëzakonshme për lirinë dhe shtetësinë që gëzojmë sot.
Shteti dhe populli i Kosovës duhet të kenë besim të plotë në mbështetjen e madhe që e gëzojmë nga SHBA dhe që është dëshmuar për dekada të tëra”, përfundon Rugova.