Deklarata e fundit nga Hill-i/ Analisti jep një paralajmërim rreth Asociacionit!

Politika

Deklarata e fundit nga Hill-i/ Analisti jep një paralajmërim rreth Asociacionit!

Nga: M.H Më: 21 nëntor 2024 Në ora: 07:58
Albin Kurti, Aleksander Vuçiq

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka folur për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

Në konferencën e Sigurisë në Beograd, ai ka theksuar duhet shumë punë që të arrihet normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Është shumë e rëndësishme që ato procese të fillojnë dhe të krijohen kushte për normalizimin e marrëdhënieve. Por padyshim që ka shumë punë për të bërë. Kjo është diçka që është pjesë e kësaj administrate aktuale, por edhe e radhës, sepse problemi nuk mund të zgjidhet menjëherë. Duhet bërë shumë punë për të arritur statusin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, ka potencuar Hill.

Tutje, Hill ka thënë se Lajçaku ka bërë shumë propozime pozitive për tema të shumta, duke përfshirë edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Nexhat Haziri.

Ai thotë se Asociacioni është një obligim tashmë për Kosovën dhe se shmangia e tij është e pamundur pasi po kërkohet në vazhdimësi nga ndërkombëtarët.

Sipas tij, Asociacioni tashmë është kusht për heqjen e sanksioneve nga BE, gjë që vështirëson mos zbatimin e tij.

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe është tashmë obligim për Kosovën edhe me marrëveshjen e fundit të Brukselit dhe sekuencimin e saj në Oher, me të cilën Kosova është dakorduar dhe kjo po ashtu është ligjërisht e obliguar. Andaj edhe ambasadori Hill e ka pasur parasysh këtë kur është deklaruar për formimin e AKS-së. Dhe kjo nuk është vetëm kërkesë që vije vetëm nga ambasadori Hill, por nga të gjithë partnerët e Kosovës e që për fat të keq është shndërruar tashmë edhe në kusht për heqjen e sanksioneve nga BE për Kosovën, deri sa draft-statuti i propozuar nga BE nuk dërgohet në gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga e qeverisë tonë, edhe pse tashmë kemi hyrë në atë që quhet fushatë paraelektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit, dhe procedimi i qeverisë aktuale me këtë çështje ka pak gjasa të ndodhë, për arsye se partia në pushtet, ka frikë se një gjë e tillë mund t’i ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve”, u shpreh ai.

Në fund, analisti thekson që qytetarët duhet të jenë të vëmendshëm që Asociacioni do të ndodhë dhe nuk mundet asnjë parti politike ta evitojë.

“Por cila do qeveri që vije pas zgjedhjeve të 9 shkurtit do ta ketë obligim të pakalueshëm formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe se qytetarët e Kosovës duhet të jenë të vëmendshëm që mos t’i besojnë asnjë partie politike e cila në fushatën zgjedhore premton se nuk do ta realizojë apo formojë AKS-në”, përfundoi Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat