Bytyçi paralajmëron opozitën: Kjo ju pret, nëse vazhdoni mjegullën për propagandë, ja cila parti po përkrahet më shumë nga elektorati

Politika

Bytyçi paralajmëron opozitën: Kjo ju pret, nëse vazhdoni mjegullën për propagandë, ja cila parti po përkrahet më shumë nga elektorati

Nga: A.Zh Më: 21 nëntor 2024 Në ora: 15:01
Albin Kurti

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Enver Bytyçi, ka analizuar fushatën e partive politike në Kosovë, për zgjedhjet nacionale, që do të mbahen me 9 shkurt.

Ai ka thënë për gazetën “Bota sot”, se të gjitha partitë politike i kanë ndezur motorët e tyre në diasporë.

“Megjithëse duhen edhe mbi tre muaj që të vijë dita e votimeve për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, fushata elektorale duket si të ishte në muajin e fundit të saj. Në diasporë i kanë ndezur motorët e kësaj fushate të gjitha partitë politike. Kurti dhe Gërvalla ishin të parët që e nisën turin e tyre në Zvicër, Gjermani e gjetkë dhe më pas e vijuan kandidati i PDK-së për kryeministër, zoti Hamza, kreu i Lidhjes Demokratike dhe zoti Haradinaj”, është shprehur Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Ndërsa, sipas tij, brenda territorit të Kosovës po bëjnë fushatë aktive e intensive të tri partitë opozitare. Ai ka përmendur akuzat e opozitës ndaj qeveritarëve, duke i quajtur ato spekulime.

“Mazhoranca, pra Vetëvendosja, duket se akoma nuk ka hyrë në garën e zgjedhjeve brenda Kosovës. Nga ana tjetër shoh se janë lëshuar aq shumë akuza kundër qeverisjes dhe qeverisë, si dhe kundër përfaqësuesve të VV dhe Lëvizjes Guxo. Në përmbajtje opozita është në sulm kundër mazhorancës dhe duket sikur ajo i jep tonin politik opinionit publik. Ministri i Bujqësisë, zoti Peci, është vënë tani së fundmi nën akuzë për dhënien e dhjetra mijëra eurove njerëzve të lidhur me pushtetin. Por, opozita ka haruar të thotë se cila është akuza?! Se kanë marrë donacione për bujqësinë konform ligjeve dhe standardeve, apo në shkelje të ligjit dhe standardeve?! Nuk thotë nëse janë zbatuar kriteret apo jo?! Thjesht akuzon pse i keni dhënë kaq e aq euro këtij apo atij personi të lidhur me funksionarët e lartë të shtetit. Ky është spekulim! Sepse ministri ose ministria, shteti pra, nuk mund të diskriminojë askënd për atë që është. Gjithkush vlerësohet e shpërblehet për atë që bën”, ka theksuar analisti politik.

Ai ka paralajmëruar opozitarët, se nëse nuk ndryshojnë, do të penalizohen. Bytyçi ka veçuar fushatën e LDK-së, duke thënë se ajo po përkrahet më shumë nga elektorati.

“Opozita është mirë të zbulojë shkeljet e ligjit. Nëse vazhdon të krijojë mjegull për propagandë, atëherë opozita do të japë mesazhin se nuk ka ndryshuar dhe nuk ndryshon. Në këto kushte do të penalizohet! Megjithatë Lidhjen Demokratike e shoh më në avantazh. Përjashtuar ndonjë gabim e rrëshqitje të lehtë në fushatë, në përgjithësi duket më shumë e përkrahur nga elektorati. Së paku nisur nga tubimet”, ka nënvizuar analisti.

Ai ka vlerësuar se VV-ja nuk ka nisur ende fushatën elektorale.

“Nuk mendoj se partitë politike po paraqesin ndonjë alternativë bindëse. Vetëvendosja thashë se nuk ka nis akoma të bëjë fushatë elektorale. Ndërsa, partitë opozitare po japin si alternativë slloganin “Kosova do të jetë më mirë me ne”! Ok! Është e drejta e opozitës të lëshojë sllogane të tilla. Por, besoj se qytetarët presin diçka tjetër. Duan të dinë çfarë ofron opozita dhe si do t’i realizojë objektivat e veta të qeverisjes. Është shpejt që qytetarët e Kosovës të besojnë thjeshtë në një sllogan, si ai që përmenda më lart. Aq më tepër kur nuk është bërë asnjë reflektim për dështimet e qeverisjeve të kaluara, sidomos nga ana e PDK-së. Ndërkohë duhet thënë se Kosova vuan ankthin e përcaktimit për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit. Asnjë qytetar i Kosovës nuk pajtohet që të rrezikohet Trepça, Ujmani dhe Kosova më pas të vuajë përjetësisht në tokën e vet. Duhet zgjidhur kjo çeshtje njëherë e në mënyrë përfundimtare, pastaj do të vijnë në radhë politikat ekonomike. Vetëvendosja ende nuk ka folur.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat