“Diaspora nuk duhet parë vetëm si infuzion ekonomik”- LVV e bindur në mbështetjen e mërgimtarëve, ka një paralajmërim

Politika

“Diaspora nuk duhet parë vetëm si infuzion ekonomik”- LVV e bindur në mbështetjen e mërgimtarëve, ka një paralajmërim

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 21 nëntor 2024 Në ora: 19:01
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Gjermani në takim me diasporën

Kanë mbetur edhe disa muaj deri te zgjedhjet e reja parlamentare, ndërsa partitë tashmë para fushatë janë duke bërë. Ajo se çfarë bie në sy në këtë para fushatë, është angazhimi i partive politike te mërgimtarët.

Nuk kalon ditë pa raportuar se zyrtarë si nga VV, PDK, LDK e AAK të cilët kanë qëndruar në vende të ndryshme të Evropës, me  ç' rast kanë zhvilluar edhe takime e tubime nga më të ndryshme.

Analistët thonë se votimi jashtë vendit mund të ketë ndikim substancial në rezultatet e zgjedhjeve dhe si pasojë në jetën politike brenda shtetit.

Sipas tyre, diaspora ka rëndësi në zgjedhje, sidomos kur është në pyetje fitorja absolute.

Statovci: Ne presim një mbështetje akoma më të madhe nga diaspora

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci, thotë se ata presin një mbështetje akoma më të madhe nga diaspora.

Sipas saj, çështja nuk është se a do të dalin më të votuarit edhe në diasporë, por a do të ketë shumë më tepër pjesëmarrje nga diaspora.

Image
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci

“Po, votuesi plotësisht i pavarur nga ndikimet e pushtetit politik partiak, gjendet në diasporë. Këta votues janë idealistë, dhe i ndjekin zhvillimet në Kosovë shpesh herë më shumë se vet ne. Në të kaluarën ata kanë pasur pengesa të mëdha për të votuar, jemi munduar t'i zvogëlojmë këto pengesa, por një vendim i KQZ-së e minimizoj mundin tonë, meqë nuk u morën pothuajse fare parasysh rekomandimet e MPJ-së. Megjithatë, ne presim një mbështetje akoma më të madhe nga diaspora, dhe çështja nuk është se a do të dalim më të votuarit edhe në diasporë, por a do të ketë shumë më tepër pjesëmarrje nga diaspora”, shprehet deputetja Statovci.

E pyetur rreth programit të tyre për diasporën, ajo thotë se diaspora nuk duhet parë vetëm si infuzion ekonomik peridoik në Kosovë, por si pjesë kulturore, politike dhe inovative e shtetit.

“Programi dhe ideja jonë për diasporën bazohet në idenë se ne nuk duhet të shkëpusim, por duhet të avancojmë lidhjet e Kosovës me diasporën. Diaspora nuk duhet parë vetëm si infuzion ekonomik periodik në Kosovë, por si pjesë kulturore, politike dhe inovative e shtetit tonë. Andaj fokusi do të vazhdojë të jetë që ata të mos trajtohen ndryshe nga qytetarët tjerë të Kosovës që jetojnë brenda, dhe lehtësimi për investim, kontribut burimesh njerëzore, dhe forcim lidhjesh do të vazhdoj edhe në mandatin e ardhshëm”, përfundon deputetja.

Faktori diasporë dhe ndikimi i saj në zgjedhje

Kurse, analisti politik, Ali Hertica, thotë se diaspora është e madhe, por përqindja e atyre që votojnë nuk është aq e madhe.

Por, sipas tij, ata mund të jenë faktor për ta shtyrë vendin që të vendos kush do të jetë në pushtet.

Image
Ali Hertica

“Votimi jashtë vendit mund të ketë ndikim substancial në rezultatet e zgjedhjeve dhe si pasojë në jetën politike brenda shtetit, veçanërisht kur një shtet ka diasporë të madhe në proporcion me popullsinë brenda vendit – siç është edhe rasti i vendit tonë. Kosova  është pjesë e grupit të vogël të shteteve që nuk kanë në kushtetutën apo ligjin e tyre duke i nxitur vendet anëtare t’u krijonin kushtet ligjore qytetarëve që jetonin jashtë vendit të merrnin pjesë në proceset zgjedhore. Në rrafsh ndërkombëtar, janë kristalizuar metoda të ndryshme të pjesëmarrjes në votimin nga jashtë vendit ,mes këtyre proceduarve mund të dallojnë. Edhe pse diaspora është e madhe, përqindja e atyre që votojnë nuk është aq e madhe, sikur që mendohet apo kur liderët politikë bëjnë fushata, por në çdo rast mundet të jetë faktor për ta shtyrë vendin dhe të vendos kush do të jetë në pushtet, pra diaspora ka rëndësi në zgjedhje”, shprehet Hertica.

Sipas Herticës, përfshirja e emigrantëve apo diasporës shqiptare në proceset zgjedhore ka rëndësi sepse disa parti mund edhe të mos ishin në Kuvend pa votën e tyre.

“Lidhur me vlerësimin se diaspora ata duhet të jenë shumë te kujdesshëm se nuk e njohin situatën faktike  në shtetin e tyre ku nuk ka pasqyrë të gjendjes së vërtetë reale  dhe zhvillimin në Kosovë. Madje mund ta quash krejt jodemokratike që grupet e sipërpërmendura  mund të lënë një gjurmë kaq të madhe në politikën e qeverisë që ka rolin dhe rëndësinë. Për më tepër, një disa sondazhe jo të vërteta ku  opinionit tregon se disa parti politike  që tani janë në qeveri do të humbisnin shumicën  vendeve në Parlament në kulmin e diskutimit për finalizimin e Reformës Zgjedhore është një moment për t’u vlerësuar  përfshirja e emigrantëve apo diasporës shqiptare në proceset zgjedhore, duke vlerësuar pa kushte të drejtën e tyre kushtetuese. Diaspora padyshim luan një rol të rëndësishëm në zgjedhjet në Kosovë, sidomos tani kur është në pyetje mbështetja absolute për Vetëvendosjen. Gjithashtu, roli i diasporës shqiptare është i rëndësishëm për Kosovën edhe nga aspekti ekonomik, sepse shumica e parave që vijnë në Kosovë janë nga diaspora”, pohon analisti.

Ai nuk parashikon një rezultat sikur zgjedhjet e fundit dhe sipas tij, diaspora tani do të mendohet mirë se ku do të vendos pikën e tyre dhe cilës parti e lider.

“Nuk besoj se do të ndodhë ajo e 14 shkurtit të vitit 2021, sepse shumë subjektet politike nuk i kanë mbajtur premtimet të cilat i kanë pasur në platformat e tyre politike dhe besoj se janë zhgënjyer. Edhe diaspora është e zhgënjyer që shteti nuk bëri asnjë hap drejt integrimit të Kosovës në instancat evropiane dhe nuk shpalli luftë korrupsionit e nepotizmit, por çdoherë me skandale brenda dhe jashtë shtetit duke filluar nga gruri e deri te pasaportat, shumë skandal të tjera ku e fundit është edhe Ministria e Bujqësisë me grande të konfliktit të interesit. Besoj se tani diaspora do të mendohet mirë se ku do të vendos pikën e tyre dhe cilës parti e lider”, shton Hertica.

Rikujtojmë se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, kanë votuar 816.421 votues, ndërsa nga fletëvotimet e marra me postë, Vetëvendosje ka marrë 44.252 vota, PDK 5.321, LDK 4.287 dhe AAK 1.112 vota. AAK-ja, p.sh. në ato zgjedhje ka fituar gjithsej 62.111 vota, që krahasuar me votat që kanë ardhur përgjithësisht nga diaspora tregon se ky rezervuar nuk është i papërfillshëm.

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka qëndruar “duarkryq” sa i përket mërgimtarëve dhe fushatës para zgjedhore.

Së fundmi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka publikuar pamje nga takimi me mërgatën në Oslo të Norvegjisë.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se mërgata gjithmonë ka qenë ura që lidh Kosovën me vendet ku ata jetojnë e punojnë.

“Mërgata jonë gjithmonë ka qenë ura që lidh Kosovën me vendet ku ata jetojnë e punojnë. E ne po kujdesemi që të jemi ura që i shton lidhjet e mërgatës me vendit tonë. Zinxhiri, që e forcon bashkëpunimin tonë por edhe më e rëndësishmja, kontribuon në zhvillimin dhe progresin e vendit”, ka thënë Kurti.

Në mbledhjen e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ata kanë miratuar propozimin për hapjen e kutive postare për procesin e votimit jashtë Kosovës.

Kutitë postare sipas këtij vendimi do të hapen në 22 shtete.

“Me qëllim të ofrimit të mundësisë për votim për shtetasit që regjistrohen suksesshëm dhe që zgjedhin mënyrën e votimit duke dërguar fletëvotimin në kutinë postare jashtë Kosovës, KQZ do të kërkojë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës hapjen e nga një kutie postare në këto shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Mal i Zi, Maqedonia e Veriut, Norvegji, SHBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi, Mbretëria e Bashkuar dhe Zvicër”, njoftoi KQZ-ja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat