“Luajtja bixhoz me ndërkombëtarët” – Kritikohet ‘gjuha’ e presidentes Osmani: “Kosova është shtet i pavarur dhe sovran”

Politika

“Luajtja bixhoz me ndërkombëtarët” – Kritikohet ‘gjuha’ e presidentes Osmani: “Kosova është shtet i pavarur dhe sovran”

Nga: N. Sh. Më: 21 nëntor 2024 Në ora: 23:16
Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani sot i është adresuar Kuvendit të Kosovës.

Ajo ndër tjera ka deklaruar se bashkëpunimi dhe koordinimi me aleatët nuk është nënshtrim e as shantazhim.

Osmani ka thënë se vënia në rrezik, luajtja bixhoz apo cenimi i këtyre aleancave, e cenon vetë mbrojtjen e Kosovës.

”Aleancat janë për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik, luajtja bixhoz me to apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtjen e Republikës sonë. Shihni deklarimet e superfuqive botërore: do të shihni qindra fjalime se si çdo sfidë angazhohen ta kapërcejnë bashkë me aleatët sepse nuk munden t’ia dalin të vetëm. Prandaj asnjëherë nuk e kam kuptuar e as mirëkuptuar, as talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre, e as keqpërdorimin e emrit të tyre për të fituar pushtet. As njëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës. Përkundrazi, duhet shumë punë e shumë angazhim për mirëmbajtjen e aleancave e partneriteteve bazuar në parime e vlera. Vetëm kjo rrugë mund t’i çojë interesat e Kosovës përpara”, ka thënë Osmani.

Mirëpo, me këtë deklaratë nuk janë pajtuar as nga kabineti qeveritar.

Këto deklarime i ka komentuar sonte ministri i Bujqësisë, Faton Peci.

“Në rastet e konstatimeve të tilla, unë mendoj që është mirë me qenë më konkret. Si ministër i kam rritur partneritetin me organizatat ndërkombëtare. Unë si ministër nuk kam ba naj veprim të tillë, për qeverinë nuk e di që ka luajtur bixhoz me partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë Peci.

Me këtë deklaratë të presidentes nuk është pajtuar as Naim Miftari, ish epror i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut.

Ai thotë se mbrojtja e shtetit nuk është bixhos.

“Përkundrazi, miqtë tan nëse i kemi të vërtetë duhet ta pranojnë faktin se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran”, thotë ai teksa shton se këtë fakt duhet ta kuptojnë miqtë dhe armiqtë e shtetit të Kosovës.

Ai thotë se problemet e brendsha të shtetit dhe ruajtjen e integritetit duhet ta bëjmë vet dhe për këtë Kosova është e zonja.

“Mos të harrojë se miqtë nuk zgjasin përjetshëm. I përjetshëm është interesi, prandaj edhe serviliteti i tepruar ndaj miqve e të huajve të shndërron në rob në vendin tëndë. Pra mendoj se kemi nevojë për miq e më shumë për këshilla por edhe për kritika nëse gabojmë, prandaj nuk kemi nevojë për mbretër, tutor e skllavo pronar modern”, përfundon Naim Miftari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat