Situata në veri tash e një kohë është e qetë, pavarësisht disa operacioneve të Policisë së Kosovës, qytetarët e kësaj pjesë po jetojnë qetë dhe pa ndonjë tension.
Mirëpo, ditët e fundit, u shfaqën disa provokime, ose më saktë disa posterë me ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe me mesazhin “Po vijmë për Krishtlindje”.
Këto mbishkrime po konsiderohen si provokime dhe kërcënime të radhës nga njerëz ose grupe serbe të lidhura me qeverinë e Beogradit,
Policia e Kosovës njoftoi se, pas konsultimit me prokurorin, është vendosur që rasti të mos hetohet, pasi sipas tyre "nuk ka rast".
Kujtojmë se Krishtlindja ortodokse festohet më 7 janar, ku me këtë rast edhe mund të ketë dyshime mbi atë se çfarë mund të ndodhë në këtë periudhë.
Pavarësisht kësaj, shfaqja në veri e postareve të tillë apo grafiteve me mesazhe që bëjnë thirrje për kthimin e Ushtrisë Serbe në Kosovë ose thirrje për rezistencë ndaj Qeverisë së Kosovës, nuk është gjë e re.
Në fillim të qershorit u shfaq një pamflet me portretin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me mesazhin: “Komandant suprem, po të presim”.
“Komandat suprem, po të presim”, shkruan në posterin e vendosur në Mitrovicë të Veriut. 30 qershor 2024.
Më herët, në shkurt, persona të panjohur lanë fletëpalosje në ndërtesat e Mitrovicës së Veriut me thirrje për rezistencë, të cilave u paraprinë edhe mbishkrimet grafiti si, “Kur ushtria të kthehet në Kosovë, Brigada e Veriut jeton”.
Por, a janë sinjal këto grafite dhe postera provokues, se Serbia ka ndonjë plan për destabilizim të situatës në fund të këtij viti?
E për këtë folën ekseprtët e sigurisë.
Gecaj: Dhjetori është një periudhë që shpesh ka parë ngritje tensionesh në rajonin e Ballkanit
E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” ka folur eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj.
Si fillim, ai u shpreh se këta posterë të shfaqur në veri përbëjnë një kërcënim, përmes të cilit po tentohet të ngriten tensione në veri të vendit tonë.
“Shfaqja e posterve me mesazhin “Po vijmë për Krishtlindje” në komunat veriore të Kosovës, veçanërisht duke përdorur ngjyrat e flamurit të Serbisë, përbën një provokim që mund të interpretohet si përpjekje për të ngritur tensionet në prag të festave dhe mundësisht për të sinjalizuar një formë të organizuar të presionit politik ose simbolik ndaj autoriteteve të Kosovës. Një frazë e tillë në atë kontekst lexohet si kërcënim për disa dhe si mesazh simbolik për të tjerët, që mund të ketë për qëllim të frikësojë ose nxisë reagime të mëdha nga qytetarët lokalë dhe institucionet e sigurisë”, nënvizoi eksperti.
Po ashtu, Gecaj foli edhe për vendimin e policisë për të mos e hetuar rastin, e që sipas tij kjo mund të shihet në disa këndvështrime.
“Vendimi i policisë për të mos e hetuar rastin mund të shihet në disa këndvështrime. Nga njëra anë, mund të ketë qenë një përpjekje për të minimizuar vëmendjen publike për një provokim që ndoshta nuk përmban elemente të drejtpërdrejta të paligjshmërisë. Nga ana tjetër, neglizhimi i sinjaleve të tilla provokuese mund të dërgojë mesazhe të përziera për popullsinë vendase, të cilët mund të ndihen të pambrojtur apo të lënë pas dore”.
Gjithashtu, eksperti potencoi faktin se muaji dhjetor shpesh ka qenë periudhë që ka pasur tensione.
Në këtë pikë, kërkoi nga institucionet e vendit të bashkëpunojnë ngushtë me KFOR-in dhe ndërkombëtarët në lidhje me këtë çështje.
“Në lidhje me mundësinë e provokimeve të mëtejshme, dhjetori është një periudhë që shpesh ka parë ngritje tensionesh në rajonin e Ballkanit, si pasojë e ngjarjeve historike dhe festave me rëndësi simbolike. Për të shmangur përshkallëzimin, institucionet e Kosovës duhet të tregojnë vigjilencë dhe të përforcojnë praninë e tyre në veri, duke bashkëpunuar ngushtë me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë për të ruajtur qetësinë dhe për të parandaluar incidentet e mundshme”.
Ndër të tjera, shtoi se duhet të jetë prioritet dialogu me komunitet lokale, pasi mesazhet e qarta mund ta ndihmojnë stabilizimin e situatës.
“Po ashtu, dialogu me komunitetet lokale dhe mbështetja për një atmosferë të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët në veri të Kosovës duhet të jenë prioritet. Mesazhe të qarta nga lidershipi i Kosovës dhe komunikimi i vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë mund të ndihmojnë në stabilizimin e situatës dhe në shmangien e një përshkallëzimi potencial të tensioneve”, përfundoi Hysen Gecaj për “Bota sot”.
Elezi: Duhet të bashkëpunohet ngushtë edhe me faktorin ndërkombëtar, e veçmas me ato të NATO-s
Kurse, eksperti tjetër, Bedri Elezi theksoi se mbishkrimi i fundit i shfaqur në veri të vendit është paralajmërim për aktivitete kundër rendit dhe ligjit.
Ai përmendi faktin se aktivitete të tilla kanë ndodhur edhe në të kaluarën.
“Në katër komunat me shumicë serbe është shfaqur edhe një flamur me ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe me mesazhin “Po vijmë në Krishtlindje”, mund të themi se është një paralajmërim i aktiviteteve të cilat mund t'i konsiderojmë edhe paralajmërime për aktivitete kundër rendit, ligjit dhe Kushtetutës të Republikës së Kosovës.
Marrë në konsideratë veprimet që kanë ndodhur në të kaluarën, këto lloj paralajmërimesh bëhen pikërisht për të nxitur popullin serb në drejtim të aktiviteteve të dhunshme, sepse ka ndodhur në të kaluarën”.
Elezi në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” komentoi faktin se pse policia dhe prokuroria nuk kanë hapur rast në lidhje me këtë gjë, derisa tha se porosia e serbëve është kamuflu me Krishtlindjet, kjo që mos të merret si kërcënime.
“Policia e Kosovës në konsultim me prokurorin, nuk kanë hapur rast, për faktin se këto lloje paralajmërime mund të konsiderohen si paralajmërime që kanë të bëjnë me zhvillimet e krishtlindjeve, përkatësisht gjoja masivitetin që përfshihet në aktivitetin e këshillindjeve dhe besoj këtu është kamuflu porosia. Në këtë rast, mesazhi që kanë bërë ata, që mos të konsiderohet komplet mesazh kërcënues apo paralajmërues i aktiviteteve, siç janë protestat apo gjërat e ndryshme, por në të vërtetë është ai.
Ne mendojmë se Prokurori i Shtetit e ka pas problem që të konsiderojë hapjet e rastit, bazuar tash në atë se në ato mesazhe nuk është qartësuar saktë se për çfarë bëhet fjalë, se për cilën arsye ata mund të vijnë, por njëkohësisht është në drejtën e Prokurorisë shtetit dhe prokurorit të shtetit të konstatojë edhe gjërat që kanë ndodhur në të kaluarën, ku të ketë edhe një rrjedhë të zhvillimeve që kanë ngjashmëri apo që kanë qenë paralajmërime, të cilat më pas edhe kanë siguruar aktivitete të dhunshme”, shpjegoi ai.
Tutje, eksperti tha se inteligjenca e Policisë së Kosovës dhe AKI duhet të siguruar informacione në kohë reale për qëllimin e këtyre mesazheve dhe të koordinohen me NATO-n dhe ndërkombëtarët.
“Në këtë rast e kujtoj që, meqë nuk ka pasur mundësi t'i kemi një procedurë, një rast nga Prokuroria e Shtetit dhe për shkak se janë kriju kushte që në këtë lloj porosie të bëhet nxitja e urrejtjes ndër etnike, atëherë mendoj që minimalisht inteligjenca e Policisë së Kosovës, Agjencia e Inteligjencës së Kosovës, duhet që të marrin të gjitha veprimet e tyre për të siguruar informacione në kohë reale për qëllimin e këtyre mesazheve, protestat që do të organizohen apo aktivitetet të cilat mendohen në këtë lloj porosie.
Prandaj, janë çështje mjaft komplekse dhe duhet të trajtohen si të tilla. Duhet të bashkëpunohet ngushtë edhe me faktorin ndërkombëtar, e veçmas me ato të NATO-s, të cilët e kanë edhe burimet e tyre jashtë territorit të Kosovës apo brenda këtyre organizimeve në Serbi”, nënvizoi ai.
Në fund, ai potencoi se shteti serb ka ndryshuar qasjen pas zgjedhjeve në SHBA dhe tranzicionin që po ndodh atje, ku në këtë rast duhet të kemi vigjilencën e shtuar dhe duhet të marrim të gjitha planet operative.
“Ne mendojmë që është tejet e nevojshme që të kemi në kohë reale informacionet e duhura, sepse është e vetmja mënyrë eventuale për të parandaluar çdo aktivitet të cilin mund të organizojnë serbët në këto protesta, të cilët mund pas mund të dalë edhe jashtë kontrollit.
Gjithashtu, duhet të theksojmë faktin se Serbia ka një qasje ndryshe pas zgjedhjeve në SHBA, e sidomos këtë kohën e tranzicionit, ku mund të shfrytëzohet nga Serbia dhe strukturat kriminale serbe në veri të Mitrovicës për të organizu aktivitete të cilat janë kundër rendit dhe Kushtetutës të Republikës së Kosovës. Andaj, duhet të kemi vigjilencën e shtuar dhe duhet të marrim të gjitha planet operative në dispozicion për t'i zbatuar në terren dhe për të krijuar kushte që Kosova të mos sfidohet nga organizimi fillimisht i protestave, më pas ndoshta edhe eskalimi i tyre”, përmbylli Bedri Elezi për “Bota sot”.