“Nuk e vë në dyshim” - profesori universitar parashikon: Ky politikan do të jetë kryeministri i ri i Kosovës, fiton me diferencë të madhe

Politika

“Nuk e vë në dyshim” - profesori universitar parashikon: Ky politikan do të jetë kryeministri i ri i Kosovës, fiton me diferencë të madhe

Nga: A.Zh Më: 22 nëntor 2024 Në ora: 09:59
Albin Kurti

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Enver Bytyçi, ka dhënë një këndvështrim të thelluar mbi situatën aktuale politike në Kosovë dhe pritshmëritë për zgjedhjet e ardhshme. Në një analizë dhënë gazetës “Bota sot”, analisti i çështjeve politike ka përmendur sukseset e Qeverisë aktuale dhe presidencës në shtrirjen e sovranitetit në territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe veriun e vendit.

Sipas tij, veprimi kundër grupit të Banjskës, ishte momenti më i rëndësishëm për qeverinë e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.

“Sa i përket shtrirjes së sovranitetit në veri, Kurti e Osmani, Vetëvendosje dhe Lëvizja Guxo kanë folur me akte konkrete. Asgjësimi i grupit terrorist të Banjskës më 24 shtator të vitit të kaluar është fitorja më e madhe e këtij koalicioni, sigurisht bazuar në patriotizmin e profesionalizmin e jashtëzakonshëm të policisë. Fakti që Vetëvendosje e Guxo, pra Kurti, Osmani, Gërvalla, etj. bënë të mundur me politikat e tyre ta shtrijnë sovranitetin në veri, likuidimin e bandave dhe krimit të organizuar flet më shumë se çdo fushatë elektorale”, ka thënë Bytyçi.

Kryeministri Kurti, duke folur për pritshmëritë e tij lidhur me rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit, është shprehur optimist se Vetëvendosje do të fitojë sërish mbi 50 për qind të votave.

Megjithatë, sipas profesorit universitar, nëse Vetëvendosje dhe Guxo synojnë mbi 50% të votave, duhet të marrin në konsideratë efektin e konsumit politik pas disa viteve në pushtet.

Image
Enver Bytyçi

“Kur Kurti thotë se do të fitojë në zgjedhjet paralamentare të ardhshme më shumë se 50 për qind të votave, është e diskutueshme. Nuk them se është e pamundur të ndodhë kjo. Por them se pushteti edhe pas katër a pesë vitesh të konsumon, sado që të kesh punuar mirë. Nëse Kurti i merr mbi 50 përqind të votave, sigurisht së bashku me Lëvizjen Guxo, do të thotë më së shumti se mungon besimi i qytetarëve te opozita”, është shprehur Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Ai ka përmendur edhe një tjetër aspekt të rëndësishëm si mungesën e një opozite të fuqishme dhe të organizuar. Sipas tij, një fitore absolute e mazhorancës së sotme mund të jetë më shumë reflektim i dobësive të opozitës.

“Një fitore absolute e mazhorancës së sotme zbulon dobësitë e opozitës së sotme. Që do të thotë se opozita nuk është e organizuar mirë. Madje politikanët opozitarë më duket se kur deklarohen nuk koordinohen midis tyre. Secili bë garë për të sulmuar qeverinë e qeverisjen pa vërejt se plotëson shijet e Beogradit. Kjo është e gabuar dhe dëshiroj sinqerisht të ndryshohet”, ka nënvizuar analisti.

Ai ka parashikuar që Kurti do të mbetet kryeministër i Kosovës, edhe pas 9 shkurtit. Sipas tij, Kurti nuk do ta ketë të vështirë të gjejë një aleat për qeverisjes, pasi shumë prej opozitarëve janë të gatshëm për pushtet.

“Se Kurti do të jetë sërishmi kryeministër i Kosovës, këtë nuk e vë në dyshim. Ai do të fitojë një numër votash me diferencë me partinë e dytë. Për pasojë nuk do ta ketë të vështirë të ndërtojë një koalicion qeverisës. Se kush mund të jetë aleati i Kurtit në qeveri, këtë do ta shohim, por mendoj se shumë prej opozitarëve janë të gatshëm t’i bashkohen pushtetit!”, ka thënë analisti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat