Ditë më parë Uashingtoni hoqi kufizimet ndaj Ukrainës për përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi për të goditur brenda territorit rus.
Madje, nuk shkoi shumë kohë e gjatë derisa Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se Ukraina hodhi gjashtë raketa ATACM të prodhuara nga Shtetet e Bashkuara në rajonin rus të Bryanskut.
Moska tha se copat e raketës nuk kishin shkaktuar dëme materiale, apo viktima.
Megjithatë, vendimi i Presidentit Biden për heqjen e kufizimeve ndaj Ukrainës për përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi për të goditur brenda territorit rus, rriti tensionet ndërmjet dy vendeve që tashmë kanë shënuar 1000 ditë të luftës së ashpër ndërmjet tyre.
Nga zhvillimet e luftës Rusi-Ukrainë nuk kanë mbetur të paprekura as vendet e tjera Evropiane.
Kështu, Suedia ka nisur t’iu dërgojë banorëve rreth pesë milionë pamflete, duke iu bërë thirrje që të përgatiten për mundësinë e luftës.
Njëjtë edhe shteti fqinj, Finlanda, ka lansuar një faqe të internetit me thirrje të ngjashme, raportuan mediet ndërkombëtare.
Të dyja këto shtete tashmë kanë hequr dorë nga neutraliteti që kanë ruajtur për dekada, dhe i janë bashkuar aleancës ushtarake të NATO-s, pasi Rusia ka nisur luftën në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
Por, indiferentë ndaj ngjarjeve në vatrën e luftës, po konsiderohet se nuk mund të qëndrojnë Kosova dhe Ballkani Perëndimor në përgjithësi.
Kjo për shkak të afërsisë së shprehur në vazhdimësi të Serbisë me Rusinë.
Nisur nga parapërgatitjet që po bëhen në vendet evropiane për një krizë të mundshme të luftës, me të drejtë shtrohet pyetja se sa është i përgatitur shteti ynë në rast të ndonjë rreziku.
Ish- Komandanti i Njësisë Policore Ushtarake të UÇK-së, Hafir Hoxha, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në Ukrainë dhe kërcënimeve bërthamore të presidentit rus, Vladimir Putin.
Ai ka theksuar rrezikun e rritjes së tensioneve globale dhe ka shprehur shqetësimin për mungesën e reagimit të liderëve të G20-ës, të cilët po mblidhen aktualisht në Brazil.
“Vendet e G20 takohen në Brazil. A thanë gjë? Asgjë”, u ankua z. Zelensky në një konferencë shtypi në Kiev, duke shprehur keqardhje për mungesën e një “strategjie të fortë” nga këto vende.
Arma bërthamore: Shtëpia e Bardhë denoncon "retorikën e papërgjegjshme" të Rusisë
Shtëpia e Bardhë dënoi të martën "retorikën e papërgjegjshme" të Rusisë, pas rishikimit të doktrinës bërthamore ruse, e cila zgjeron mundësinë e përdorimit të armëve atomike, duke siguruar që kjo të mos kërkojë rishikimin e doktrinës amerikane.
Ky është një demonstrim i ri i retorikës së papërgjegjshme që Rusia ka demonstruar për dy vite. Këto kërcënime nuk merren seriozisht, por një veprim të tillë me siguri do ta marrë Putin. Ai kurrsesi nuk do të dalë nga kjo luftë si humbës pa i përdorur të gjitha armët që ka në dispozicion, përfshirë ato bërthamore. Në sulmin e Ukrainës me raketa amerikane ATACM, Putini kërcënon me përdorimin e mjeteve bërthamore, duke shkaktuar frikë të madhe për forcat e Ukrainës. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, denoncoi të martën mungesën e reagimit të liderëve të G20-ës, të cilët po takohen aktualisht në Brazil, ndaj rishikimit të doktrinës bërthamore ruse, e cila zgjeron mundësinë e përdorimit të armëve atomike”, ka deklaruar Hoxha për “Bota sot”.
Ai gjithashtu ka paralajmëruar se Kosova dhe shtetet e Evropës Juglindore duhet të jenë të përgatitura për mundësinë e një eskalimi të krizës, duke apeluar për masa të tjera mbrojtëse për qytetarët.
“Në këtë konflikt, Kosova nuk është e involvuar dhe nuk pritet që kriza luftarake të eskalojë këtu, por sikur për shtetet e BE-së, vlen edhe për Evropën Juglindore, pra edhe për Kosovën, që të përgatisë popullatën dhe të informojë se si të veprojë në këto raste”, ka theksuar ai.
Sipas ish-ushtarakut strehimoret kolektive për evakuim janë të pamjaftueshme dhe të pa inspektuara nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave.
“Pra, duhet t’u shpjegohet qytetarëve cilat mund të jenë pasojat e përdorimit të këtyre armëve dhe si duhet të mbrohemi nga to. Ka mbi 20 vjet që flas për strehimoret kolektive për evakuim dhe strehim të qytetarëve; në këtë rast, ato janë të pamjaftueshme dhe ato që ekzistojnë nuk janë inspektuar nga AME (Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave) për t’u pastruar dhe pajisur me mjete të duhura për strehimin e qytetarëve”, ka thënë Hoxha.
Po ashtu, ai ka thënë se nuk janë informuar qytetarët se si mund t’i përgatisin podrumet e tyre në objekte private për t’u shfrytëzuar si strehime.
Në fund, Hoxha theksoi se nëse SHBA vazhdon të mbështesë Ukrainën në luftën me raketat amerikane, atëherë është e sigurt që SHBA ka siguruar mundësinë e fikjes ose zhdukjes së satelitëve rusë, duke i lënë ata në errësirë dhe pa mundësi për të përdorur raketa me rreze të gjatë!