Gjatë ditëve të fundit, Policia e Kosovës ka gjetur uniforma, municion dhe pajisje tjera ushtarake në pjesën veriore të Kosovës.
E sipas ekspertit të sigurisë, Drizan Shala ky armatim është pjesë e armatimit që mbeti në veri pas sulmit terrorist serb në fshatin Banjskë në veri të Kosovës.
“Armatimet janë ato që kanë mbetur si rezultat i sulmit të Banjskës, nuk është armatim i ri i futur në republikën e Kosovës. Autoritetet e Kosovës po e kontrollojnë pjesën veriore dhe nuk është futur armatim i ri. Ana tjetër është interesante të theksohet se ky armatim, përdoret për të kryer sulme të caktuara terroriste në drejtim të institucioneve të Republikës së Kosovës”, shprehet Shala.
Ai thotë se uniformat ushtarake që janë gjendur në veri të Kosovës, padyshim që janë planifikuar të përdorën për të sulmuar institucione të ndryshme në vendin tonë.
“Madje uniforma e ushtrisë së Serbisë, elementë të tjera të uniformës së policisë Kosovës, këtu del në pah ajo që ne kemi theksuar se në pjesën e veriore duket ky grup duke u veshur qoftë si ushtarë të Serbisë, duke sulmuar institucione të Kosovës, qoftë si policë të Kosovës, duke sulmuar komunitetin serb për të paraqitur situatën e një konflikti ndëretnik, të cilin e ka paralajmëruar edhe në kongresin në senat të SHBA-ve të ish drejtoresha e shërbimeve inteligjente amerikane”, thekson Shala.
Ai shton se bashkësia ndërkombëtare duhet t’i bëjë presion më të madh Serbisë.
“Tashmë është i faktuar dhe i dëshmuar ky element. Faktori ndërkombëtar do duhet ti bëjë presion Serbisë dhe ti kërkojë llogaridhënie e të mos përdoret Kosova si fushë e lejimit të aktivitetit të Aleksandër Vuçiç në këtë fazë”, nënvizon Shala.
“Por mesazhi është që Policia e Kosovës përmes bashkëpunimit me komunitetin serb në Kosovë, po krijohen mundësit e reja të goditjes se grupeve në pikat e tyre të kontaktit siç quhen e njihen në fushën ushtarake të pjesa logjistik të tyre”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë, Drizan Shala.