Partitë politike në kërkim të votave në diasporë, a do të arrijë diaspora ta përmbysë rezultatin e zgjedhjeve?

Politika

Partitë politike në kërkim të votave në diasporë, a do të arrijë diaspora ta përmbysë rezultatin e zgjedhjeve?

Nga: N.E Më: 22 nëntor 2024 Në ora: 15:28
Foto ilustrim

Australia, Austria, Belgjika, Çekia, Danimarka, Franca, Gjermania, Holanda, Hungaria, Italia, Kanada, Kroacia, Mal i Zi, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, SHBA, Shqipëria, Sllovenia, Suedia, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe Zvicra, ja vendet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i hap kutitë postare për procesin e votimit jashtë Kosovës.

“Me qëllim të ofrimit të mundësisë për votim për shtetasit që regjistrohen suksesshëm dhe që zgjedhin mënyrën e votimit duke dërguar fletëvotimin në kutinë postare jashtë Kosovës, KQZ do të kërkojë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës hapjen e nga një kutie postare në këto shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Mal i Zi, Maqedonia e Veriut, Norvegji, SHBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi, Mbretëria e Bashkuar dhe Zvicër”, kështu ka njoftuar KQZ-ja ditë më parë.

Gjersa, vazhdon procesi i regjistrimit proces ky i hapur që nga 29 gushti deri më 26 dhjetor 2024, ua mundëson shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, partitë politike tashmë kanë filluar fushatën para zgjedhore për mërgimtarët.

Lëvizja Vetëvendosje në krye me kandidatin e saj, kryeministrin aktual, Albin Kurtin, kanë qëndruar si në Norvegji, Gjermani, e Zvicër duke mbajtur mbledhje nga më të ndryshme në këto vende.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës, nuk ka lënë prapa angazhimet në diasporë, kandidati i tyre për kryeministër Bedri Hamza, ka qëndruar javën e kaluar në Zvicër, madje duke iu drejtuar përkrahësve të tij se ata do të veprojnë së bashku dhe do ta dërgojnë Kosovën përpara.

As Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk i është ndarë mërgimtarëve, kreu i kësaj partie dhe kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka qëndruar në vendet e ndryshme të diasporës për të kërkuar votën e tyre, gjersa ka prezantuar në Augsburg të Gjermanisë edhe programin e tyre zgjedhor, ku premtoi uljen e taksave për bizneset e vogla dhe të mesme, thjeshtësimin e procedurave administrative dhe mbështetje të dedikuar për start-up-et.

Analisti Afrim Kasolli, thotë se sigurimi i votave nga ata që nuk kanë pasoja ditore nga veprimet qeverisëse e zbeh peshën e përgjegjësisë në politikë.

Sipas tij, qytetarët që jetojnë në Kosovë po zhgënjehen nga partitë politike dhe këto të fundit janë në kërkim të kompensimit të kësaj humbje nga votat e diasporës.

“Ajo që po shihet është se në dallim nga zgjedhjet e vitit 2021, tash edhe partitë opozitare janë më aktive në diasporë. Pra edhe ato janë duke u dalluar me organizimin e tubimeve me bashkëkombësit tanë që jetojnë në shtetet perëndimore, në mënyrë që mos t’ia lenë terrenin e pastër partisë në pushtet. Se sa do t’u përkthehet ky angazhim në mbështetje elektorale mbetet të shihet. Është fakt se deri më tani në masë të madhe votat e kësaj shtrese kanë qenë në favor të Lëvizjes Vetëvendosje. Personalisht jam kritik ndaj kësaj forme të mobilizimit partiak. Sepse sigurimi i votave nga ata që nuk kanë pasoja ditore nga veprimet qeverisëse e zbeh peshën e përgjegjësisë në politikë. Madje kjo formë duket që rrjedh edhe nga fakti se sa më shumë që qytetarët që jetojnë në Kosovë po zhgënjehen nga partitë politike, këto të fundit janë në kërkim të kompensimit të kësaj humbje nga votat e diasporës,” shprehet Kasolli.

Image
Analisti Afrim Kasolli

Diaspora ka nevojë për tjetër mbështetje nga shteti i Kosovës, thotë Kasolli, gjersa shton se përfaqësimi i saj në institucioneve të Kosovës mund të bëhet në një mënyrë tjetër.

“Ndërkohë, ky realitet krijon një formë paradoksale të “përfaqësimit” politik. Sepse qytetarët më orgjinë nga Kosova në ato shtete nuk varen nga (mos)veprimet e qeverive në Kosovë. Dhe kjo qasje e shndërron politikën vetëm në një spektakël elektoral dhe operim me nostalgjinë e mërgimtarëve për vendlindjen me synim për të fituar mbështetje momentale nga kjo atmosferë emocionale. Diaspora ka nevojë për tjetër mbështetje nga shteti i Kosovës, sikur se për organizim të eventeve kulturore, artistike etj., Kurse përfaqësimi i saj në institucione të Kosovës mund të bëhet në një mënyrë tjetër, siç e ka bërë për shembull Kroacia me vende të garantuara, por jo mbi bazën e një aktiviteti “turistik elektoral””, përfundon analisti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat