E bojkotuan fjalimin e presidentes Osmani, kritikohen ashpër PDK dhe AAK: Mesazh shumë negativ!

Politika

E bojkotuan fjalimin e presidentes Osmani, kritikohen ashpër PDK dhe AAK: Mesazh shumë negativ!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 22 nëntor 2024 Në ora: 20:03
Adresimi i presidentes Vjosa Osmani në Kuvendin e Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ditës së djeshme mbajti fjalimin vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Edhe këtë vit, ngjashëm si në atë të kaluarin, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e bojkotuan këtë fjalim të presidentes Osmani

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu thotë se bojkoti nga kjo parti ka ndodhur për shkak se presidentja Osmani nuk e ka përmbushur rolin e saj Kushtetues.

 “Ne nuk kemi parë si një seancë ku duhet të jemi pjesë në radhë të parë për shkak të mos përmbushjes së rolit të saj kushtetues të unitetit të popullit të Kosovës dhe të përfaqësimit të politikës së jashtme që do të duhej ta bënte zonja Osmani. Kemi parë absolutisht jo vetëm zbehje të rolit të saj kushtetues si e para e vendit, por ka pas raste që vetë zonja Osmani ka qenë në linjë më pushtetin qoftë në kohën kur janë cenuar institucionet e pavarura, qoftë në kur janë sulmuar institucionet e drejtësisë, por edhe kur kemi pas shpërfaqje arbitrare të aferave të shumta korruptive”, theksoi ai.

Kurse, edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi tregoi arsyen e mos pjesëmarrjes në fjalimin vjetor të presidentes.

 “Po duke e parë që presidentja asnjëherë nuk ka bërë diçka të mirë për vendin e vetë, gjithmonë ajo i është adresuar vetës çka është si presidente. E kemi se si shtet ajo si presidente çka i bërë të mirë shtetit dhe kjo është arsyeja që ne nuk kemi marr pjesë. Megjithëse e pamë sot që e kishte një fjalim krejt të kundërt me atë të viteve të kaluara dhe ndoshta ka qenë mirë me marr pjesë në atë fjalim kaq madhështor sa ka qenë”, theksoi ai.

Në këtë seancë, në të cilën presidentja Osmani mbajti fjalimin vjetor, pjesëmarrëse ishin vetëm dy partitë politike, LVV dhe LDK.

Megjithatë, me vendimin e fundit të PDK-së e AAK-së, po del në pah që ka mungesë të unitetit në skenën politike të vendit.

Mirëpo, sa mund të dëmohet Kosova nga kjo mungesë unitetit, në momentet vendimtare për të ardhmen e vendit.

E për këtë qasje dhe vendime të dy partive opozitare, folën njohësit e çështjeve politike.

Elezaj: Ky veprim i tyre nuk ka guxuar të ndodhë në asnjë rrethanë

Image
Rexhep Elezaj

E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli publicisti Rexhep Elezaj.

Së pari, tha se bojkotimi i fjalimit të Osmanit nga PDK e AAK jep mesazh negativ te populli, derisa tha se kjo gjë është edhe shkelje e betimit të deputetit.

Po, pa asnjë dyshim, se bojkotimi i fjalimit të presidentes Osmani, i mbajtur në Kuvendin e Kosovës, nga deputetët e PDK-së dhe AAK-së, dërgon mesazh tejet negativ tek populli si dhe tek votuesit në Kosovë, akt të cilin nuk e justifikon asgjë, përkundrazi, bojkotimi i tyre të fjalimit të presidentes së vendit, pa marrë parasysh se si quhet ai apo ajo, së pari është shkelje e betimit të deputetit, dhe së dyti, Kuvendit të Kosovës i jep një pamje të zymtë dhe joserioze në punën e tij, ngase bëhet fjalë për raportin vjetor të institucionit më të lartë të shtetit, siç është Presidenca, raport të cilin e ka obligim kushtetues që ajo ta paraqet para deputetëve, i cili pikërisht iu drejtohet atyre si përfaqësues legjitim të popullit”.

Po ashtu, Elezaj u shpreh se kjo tregon qartë se shumë deputetë ende nuk e kanë kuptuar rolin dhe obligimet e tyre, ku potencoi se kjo gjë nuk do duhej të ndodhte.

“Pra, kur një pjesë e deputetëve, për çfarëdo shkaqesh, e bojkotojnë seancën në të cilën njeriu i parë i shtetit raporton për punën e tij/saj, kjo flet qartë, se shumë deputetë ende nuk e kanë kuptuar rolin dhe obligimet e tyre që kanë para popullit i cili i ka zgjedhur, dhe ky veprim i tyre nuk ka guxuar të ndodhë në asnjë rrethanë, ngase me bojkotim të kësaj seance, akuzën drejtuar presidentes, se gjoja ajo nuk e ka kryer misionin e saj unifikues në spektrin politik të Kosovës, e marrin pikërisht mbi vete, ngase si të zgjedhurit e popullit nuk mund ta luajnë rolin përçarës dhe as sabotues brenda Kuvendit të Kosovës, si organi më i lartë juridik dhe legjislativ i shtetit”, nënvizoi opinionisti.

Ndër të tjera, ai shtoi se bojkotimi i kësaj seance është një mesazh negative për votuesit, derisa tha se mos unitet brenda spektrit politik është i dëmshëm për shtetin e Kosovës.

Natyrisht, se ishte ky një veprim i gabuar i deputetëve të këtyre dy partive parlamentare, PDK-së dhe AAK-së, i cili çon mesazh shumë negativ tek votuesit tanë, kur dihet fakti se presidentja Osmani nuk është fare pjesë e garës zgjedhore, andaj pikërisht për këtë fakt bojkotimi i fjalimit të saj në Kuvend nga këta deputet, rolin e tyre negativ për mos unitet brenda spektrit politik të Kosovës, e bën më të dëmshëm për shtetin e Kosovës, mjerisht me pasoja në shtet-ndërtimin e Kosovës si dhe në dobësimin e faktorit politik shqiptar në Ballkan dhe më gjerë”, përfundoi Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

Kapiti: I pari që duhet ta respektojë presidentin e shtetit duhet të jetë politika, parlamenti i cili e zgjedh presidentin

Image
Skënder Kapiti

Kurse, opinionisti Skënder Kapiti thotë se respektimi i Presidentit të Kosovës nga Parlamenti i shërben dhe është tregues i pjekurisë politike.

Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh se bojkotoi i PDK-së e AAK-së tregon papërgjegjshmëri politike të deputetëve të këtyre partive.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, është personaliteti më i lartë i shtetit, është përfaqësuesi kryesor i shtetit, është simbol i unitetit të shtetit.

Mos respektimi i Presidentes së shtetit si rasti i bojkotimit të fjalimit të presidentes Osmani nga PDK dhe AAK, tregon papërgjegjshmëri të lartë institucionale, politike e kombëtare të deputetëve të këtyre dy partive politike sepse Presidenti i Kosovës nuk është detyrë apo diçka private, grupale e partizane, por është posti më i lartë i shtetit demokratik të Kosovës. Respektimi i Presidentit të Kosovës nga Parlamenti i shërben dhe është tregues i pjekurisë politike, moralit politik dhe është respekt për institucionin e lartë të Presidentit”.

Po ashtu, Kapiti vlerësoi lartë figurën e presidentes Osmani, derisa tha se nuk e justifikon asgjë bojkotimin e AAK-së e PDK-së.

“Asgjë nuk mund ta justifikojë mospjesëmarrjen e AAK dhe të PDK në fjalimin e Presidentes Osmani në fjalimin vjetor të saj, aq më tepër kur Kosova sot më shumë se kurrë duhet të tregojë se shteti i Kosovës funksionon demokratikisht, dhe të gjitha hallkat shtetërore të tij janë të përgjegjshme para Ligjit, Kushtetutës dhe Republikës: janë të përgjegjshme para sfidave me të cilat po përballet sot Kosova. Nuk ka asnjë arsye që të bojkotohej fjalimi i saj, kur në fakt edhe ne nga Shqipëria konstatojmë se veprimtaria e saj në kryerjen e detyrës së Presidentit të Republikës është mbi partitë politike, dhe e znj. Osmani ka treguar shkallë të lartë përfaqësimi dinjitoz të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare si dhe të Respektimit të Kushtetutës së Kosovës”, nënvizoi ai.

Në fund, opinionisti bëri një vlerësim të madh, duke e cilësuar Osmanin si një nga presidentet më të mira që ka pasur Kosova.

Asnjë president i mëparshëm nuk i ka shërbyer më mirë se znj.Osmani agjendës shtetërore e kombëtare, dhe kjo është arsyeja  kryesore e bojkotit të fjalimit të saj nga deputetët e opozitës, sepse ata nuk ndjehen mirë nga aftësia, profesionalizmi dhe as nga përgjegjshmëria dhe as nga suksesi i saj , si dhe as nga  respekti publik dhe ai demokratik ndërkombëtar që gëzon Presidentja Osmani”, përmbylli Skënder Kapiti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat