24 vjet pa Sabahate Tolajn e Isuf Haklajn, kush pagoi 25 mijë euro për këtë vrasje, përmenden edhe shkaqet

Politika

24 vjet pa Sabahate Tolajn e Isuf Haklajn, kush pagoi 25 mijë euro për këtë vrasje, përmenden edhe shkaqet

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 24 nëntor 2024 Në ora: 07:59
Sabahate Tolaj e Isuf Haklaj

U bënë 24 vjet që nga vrasja e dy policëve, Sabahate Tolaj e Isuf Haklaj. Edhe pse kanë kaluar mbi dy dekada, kjo vrasje nuk është zbardhur ende.

Ngjashëm sikurse kjo vrasje ende nuk janë zbuluar edhe shumë vrasje të tjera, që ndodhën afërsisht në periudhë të njëjtë kohore, në kohën e pasluftës.

Familjarët e të vrarëve shprehen se shpresat e tyre kanë mbetur tashmë vetëm tek Gjykata Speciale.

Për këtë vrasje, deri më tani ishte dënuar vetëm Bedri Krasniqi, e që pretendohet se ka pasur edhe të involvuar të tjerë.

Për këtë vrasje, ka folur në një intervistë televizive, kohë më parë edhe i burgosuri Shkumbin Mehmeti. Ai kishte treguar si është ekzekutuar pjesëtarja e Shërbimit Policor të Kosovës, Sebahate Tolaj, nga pjesëtarët e grupit kriminal që i takonte ai vet.

Arsyeja pse u bë atentati ndaj saj kishte të bënte me faktin se policja ishte mike e mirë e Tahir Zemajt dhe se pas vrasjes së këtij, ajo po hetonte rastin e ish-komandantit të FARK-ut.

“Sebahate Tolajn e kam pasur pjesëtar të grupit, ajo është vrarë për dy arsye. Është përplasur me Tahir Zemajn, një person është dënuar për këtë vrasje, pra, Bedri Kraniqi. Unë kam dhënë deklaratë me 7 dhjetor 2014, dhe kam shpjeguar detajet se ka e kam marrë këtë informacion. Sebahata Tolaj prej që është bërë pjesë e grupit u kanë cak për tu vrarë. Një person që nuk dua të bëjë publik kush është ka paguar 25 mijë euro që i njëjti është ende aktiv, ai nuk ka pozita politike në Kosovë, por ka qenë kriminel në Evropë”, kishte rrëfyer ai.

Por, se ҫfarë është bërë deri më sot nga drejtësia, sa i përket hetimeve dhe zbardhjes së kësaj vrasje? Një zbardhje eventuale e këtij rasti a mund të çojë në zbardhjen e vrasjeve të tjera politike të pasluftës

Zogaj: Vrasjet politike janë shfrytëzuar për përfitime mafioze, për përfitime politike

Image
Skender Zogaj

Lidhur me këtë ҫështje ka folur veprimtari i LDK-së, bashkëpunëtor i Presidentit Ibrahim Rugova e bashkëpunëtor i kolonel Ahmet Krasniqit, Skender Zogaj.

Ai thotë se, ҫështja e vrasjeve politike në Kosovë siç po shihet është më komplekse se sa që e kemi menduar, sepse asnjëherë nuk ka qenë preokupim i vërtetë i atyre që është dashur ta trajtojnë seriozisht për hir të lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të merituar.

Vrasjet politike janë shfrytëzuar për përfitime mafioze, për përfitime politike dhe për pengmbajtje të përparimit të vendit, që as pas një çerek shekulli ende nuk po mund të bëhet shtet i lirë dhe i pavarur! Vrasjet politike janë neglizhuar sepse vrasësit me kohë e kanë kapur shtetin dhe e kanë diktuar drejtësinë! Kjo pos familjarëve të të vrarëve, u ka konvenuar të gjithë atyre që kanë dashur të përfitojnë privilegje shoqërore e materiale! Këtu bëjnë pjesë edhe partitë politike për të cilat janë therorizuar figurat e dalluara. E kam fjalën te LDK-ja së cilës iu kanë vra militantët më të devotshëm, por kjo, nuk ka bërë asgjë për zbardhjen e vrasjeve, edhe kur e ka pasur këtë mundësi. Ka folur nëpër fushata elektorale dhe pastaj asnjë veprim konkret”, thotë Zogaj.

Sa i përket vrasjes së para 24 viteve të policëve të Kosovës, Zogaj thotë se, vrasjet nuk mund të zbardhen nëse shteti i mbyll në arkiva të zeza.

“Ja u bënë 24 vjet nga vrasja në detyrë e policëve Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj! Se moszbardhja e vrasjeve është e diktuar, e tregon heshtja e drejtësisë, së cilës i vidhen dosjet e dëshmive, pengohen përpjekjet e familjarëve që të hetojnë vrasjet e të dashurve të tyre. Sigurisht se vrasjet nuk mund të zbardhen nëse shteti i mbyll në arkiva të zeza! Tashmë pas çerek shekulli, pritja e rëndon peshën e zhgënjimit dhe fillon harresa, e cila edhe zbardhjes ia humb kuptimin. Na mbetet vetëm që të themi "mjerë ata që e patën fatin e keq" dhe, nga thellësia e shpirtit të mallkojmë vrasësit”, thekson Zogaj për ‘Bota sot’.

Tahiraj: Si policë hetues që ishin filluan të merren me hetimin e vrasjeve politike dhe pikërisht mu për këte edhe u ekzekutuan pabesisht në pritë

Image
Saim Tahiraj

Po ashtu, për këtë ҫështje ka folur edhe bashkëpunëtori i Salih Ҫekajt, Saim Tahiraj.

Ai ka folur për këtë vrasje duke përmendur disa detaje për policët e vrarë.

“Në vazhdën e vrasjeve politike që ndodhën gjatë lufte dhe pas saj është edhe vrasja e dy policëve, luftëtarë të lirisë që nga fillimi i luftës e gjerë në përfundim. Isuf Haklaj ishte edhe pjesë e Ministrisë së Brendshme që nga viti 1991, dhe vazhdoi të ishte pjesë besnike e vijës institucionale të presidentit Rugova gjerë në vrasjen tinzare të tradhtarëve të kombit shqiptar. Si policë hetues që ishin filluan të merren me hetimin e vrasjeve politike dhe pikërisht mu për këte edhe u ekzekutuan pabesisht në pritë, për të u zhdukur gjurmët e krimeve të vrasjeve politike”, thekson Tahiraj.

Ai thotë po ashtu se, ata që dhanë urdhër për këtë vrasje, jetojnë të lirë.

“U mbajt një proces gjyqësorë ku u dënuan gjoja ata që e kanë kryer krimin, por mendoj se ata që dhanë urdhër për ekzekutim nuk u gjykuan dhe jetojnë të lirë. Kjo ndodh sepse kemi një sistem të drejtësisë të kapur nga krimi dhe korrupsioni i organizuar”, thotë ai.

Sipas Tahirajt, për këto shkaqe të defekteve në sistemin e drejtësisë në Kosovë u krijua Gjykata Speciale, me seli në Hagë.

“Mbesim me shpresë se kjo gjykatë do merret edhe me këtë rast ku mendoj se është e vetmja shpresë. Pa zbardhjen e vrasjeve politike nuk ka liri të plotë në Kosovë. Një shtet i lirë, demokratik nuk mund të jetë i lirë me barrën e rëndë të gjitha këtyre krimeve me karakter politik. Si shoqëri demokratike, së paku që pretendojmë, duhet të jemi me familjarët e viktimave dhe të kërkojmë drejtësi për ta. Pa vënien e drejtësisë për të gjithë të ekzekutuarit, nuk mund të konsiderojmë se kemi një shtet demokratik ku drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë”, thotë Tahiraj për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat