Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë Robert Bosch, ka bërë të qartë se Kosova mund të sigurojë mbështetjen amerikane duke u pozicionuar si një partner strategjik.
Ndonëse sipas tij, prirjet e presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump favorizojnë liderë autoritarë si presidenti serb Aleksandar Vuçiq, Kosova mund të krijojë marrëdhënie reciproke me SHBA-në.
Ai ka përmendur ofertat që përfshijnë baza ushtarake, investime fitimprurëse, ose përfitime të tjera konkrete për SHBA-të
“Zgjedhjet sigurisht që janë potencialisht të mundimshme pasi në dukje Trumpit i pëlqejnë regjimet autoriale (Vuçiqi), por për sa kohë që Kosova e bën të qartë se ka diçka për t'i ofruar SHBA-ve, baza të tilla ushtarake ose investime fitimprurëse, ai mund të jetë në rregull”, ka thënë Bosch për gazetën “Bota sot”.
Në këtë kontekst, sipas diplomatit është më efektive të ndiqet një qasje bashkëpunuese, duke shmangur konfrontimin dhe duke kërkuar mënyra për të qenë pjesë e orbitës së politikës së Trumpit.
“Prishtina nuk duhet të kundërshtojë, por të zvarritet më pranë tij dhe rrethinës së tij”, ka theksuar Bosch.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se do të vazhdojë komunikimin dhe bashkëpunimin me cilëndo administratë që vjen në SHBA.
Kurti ka thënë se “ne bashkëpunojmë me SHBA në mënyrë të pazëvendësueshme dhe me gjithë përkushtimin dhe seriozitetin tonë”.
“Presidenti i ardhshëm i SHBA-së, në një letër urimi që i pati dërguar një pararendësi, para nesh, pat vendosur në thelb njohjen reciproke si diçka qendrore midis raporteve Kosovë dhe Serbi, dhe jemi të interesuar që këtë bashkëpunim ta zgjerojmë” - ka thënë Kurti.
Ky deklarim i tij, erdhi një ditë pasi presidenti i Serbisë, Vuçiq, njoftoi se ka biseduar në telefon me Trumpin.
“Sapo përfundova një bisedë me presidentin e sapozgjedhur amerikan, Donald Trump. Biseda ishte e shkëlqyer, me përmbajtje, dhe do të thosha shumë e përzemërt”, ka thënë Vuçiq në Instagram.
Ai ka thënë se ndihet “mirënjohës” ndaj Trumpit që “dinte shumë gjëra për Serbinë”.
I pyetur nëse ai ka raporte më të mira me Trumpin, apo presidenti i Serbisë, Kurti ka thënë se bën raporte zyrtare shtetërore politike.