Janë bërë një vit që kur ka ndodhur sulmi në Banjskë, kur terroristët serbë vranë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Policia e Kosovës, ditë më parë zhvilloi aksione të ndryshme në veri të Kosovës, më saktë në komunën e Zubin Potokut dhe atë të Zveçanit.
Atje janë gjetur sasi të konsiderueshme armatimi dhe pajisje tjera ushtarake.
Pas kësaj reagoi edhe ministi i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Ai tha se gjetja e tyre ishte plan i errët i bandave kriminale.
“Këto nuk janë thjeshtë mbetje të bandave kriminale e terroriste por edhe vendstrehim i armëve për planifikimet e tyre të errëta”, ka thënë ai.
Dashevci: Siguria e ka mposhtur pasigurinë në veri
Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se në veri nuk do të përsëritet më një ‘Banjskë e dytë’, sepse rendi dhe siguria në atë pjesë janë më në nivel se që kanë qenë përpara.
“Republikës së Kosovës i ka ndodhur 24 Shtatori 2023, që është sulmi më i madh që nga pavarësia e Kosovës.
Dhe këto kontrolla ose konfiskime të shpeshta armatimi në ato pjesë dëshmojnë se për çka kanë qenë në gjendje të bëjnë ato grupe terroriste të cilësuara si terroriste nga shteti i Kosovës.
Pra, pjesa matanë lumit Ibër ka qenë vatër e nxehtë, por pas 24 Shtatorit 2023 çdo gjë ka ndryshuar në Republikën e Kosovës mendoj unë në aspekt sigurie, qëllimet e atyre grupeve kanë qenë dhe mbeten të errëta, pra gjithmonë në dëm të Kosovës.
Por tash vigjilenca është e madhe, bashkëpunimi qytetarë me organe të sigurisë është për lakmi dhe një Banjskë e dytë nuk mund të përsëritet më sipas mendimit tim, ka bashkëpunim/bashkërendim dhe koordinim mes reaguesit të parë (Policisë), reaguesit të dytë si monitories (Eulex) dhe reaguesit të tretë (KFOR).
Këto janë fakte që tashmë siguria e ka mposhtur pasigurinë në atë pjesë të Kosovës”, shprehet ai.
Dashevci thotë se çështja me Serbinë do të përfundojë, me ardhjen e Trumpit në pushtet e të Kallas-it n BE.
“Dhe ajo pjesë mendoj unë çlirohet nga bandat kriminale ose përpjekjet për destabilizim me arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, kjo arrihet me ardhjen e Presidencës Trump 2 gjithashtu Kaja Kallas nga BE dhe mendoj që do të përfundojë në vitin 2025”, thekson ai.
Elezi: Gjetja e provave atje, janë mbetje të sulmit që ndodhi në Banjskë
Kurse, eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, thotë se gjetja e provave atje janë mbetje të sulmit terrorist që serbët organizuan në Banjskë.
Elezi thotë se mes Policisë dhe ministrit duhet të ketë më shumë koordimin sepse për këtë rast ka pasur mendime të ndryshme mes tyre.
“Rasti i fundit ku Policia e Kosovës pas një aksioni mirë të organizuar ka gjetur dhe ka sekuestruar armatim në katër komunat në veri të Mitrovicës, mund të themi se është tregues i qartë se akoma nuk ka përfunduar sa i përket Banjskës, për faktin se Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë.
Gjetjet e provave atje, janë mbetje të sulmit që ndodhi në Banjskë, është gabim ngritja e shpejtë e aktakuzës nga Prokuroria Speciale, dhe nëse ka mundësi të rikualifikohet ngase ka edhe prova të tjera të cilat po gjenden në atë zonë.
Prandaj, duhet të kemi më shumë kujdes në veprimet që kanë të bëjnë me rastet e ndjeshme, siç është rasti në Banjska dhe provave të cilat do të konsiderohen gjatë konfirmimit të aktakuzës.
Ajo që është në interes për t’u diskutuar janë deklarimet e ndryshime të Policiës së Kosovës dhe Minsitrit të Brendshëm.
Policia e Kosovës thotë se këto janë mbetje të sulmit në Banjska, në anën tjetër ministri Sveçla thotë të kundërtën. Në aspektin e sigurisë deklarimet e ndryshme të institucioneve të njëjta i konsiderojmë si një moskoordimin”, përfundoi Bedri Elezi për “Bota sot”.