Kryetari i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – Zllatan Ellek, i ka thënë Radiotelevizionit të Serbisë se pret që partia e tij do të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.
Ai ka thënë se pret që Lista Serbe t’i fitojë 10 ulëset e rezervuara për minoritetet në Kuvendin e Kosovës.
E në lidhje me këtë vendim për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit, të partisë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka folur opinionisti Dedë Preqi në një prononcim për “Bota sot”.
Si fillim, ai theksoi koordinimin e vazhdueshëm që ka kjo parti me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Në këtë pikë, këtë e vlerësoi si një manovorim politik të Listës Serbe, pasi vlerëson se nuk përfaqëson interesat e popullit serb në Kosovë.
“Lista Serbe, një subjekt politik që përfaqëson popullin serb në Kosovë, e udhëhequr një kohë nga Goran Rakiç, tani udhëhiqwt nga një lider tjetër, i quajtur Zllatan Ellek, i cili padyshim se këshillohet dhe koordinohet me të njëjtit padron, Aleksandër Vuçiq dhe kuzhinën politike kundërmuese të Beogradit.
Ndryshimet që bëhen në Listën serbe në vitin 2023, është e rëndësishme të cekën disa prononcime të vetë qytetarëve serb, prej të cilëve edhe përfaqësues të kësaj liste, duke dhënë deklarimet e tyre dhe dyshimet se, ndryshimet e kësaj Liste, do të ishin vetëm formale, sepse llogaritjet e japin të njëjtin rezultat, me udhëheqës dhe lider të njëjtë.
Megjithatë, e gjithë kjo do të ishte vetëm një manovrim që bën ky subjekt politik në Kosovë, që nuk do të sjellë ndonjë ndryshim thelbësor në këtë Listë, pasi nga këto tendenca shohim se janë vetëm «larje hesapesh» e një mekanizmi korruptiv dhe ndoshta më shumë, që nuk i përfaqësojnë interesat e popullit serb në këtë pjesë të Kosovës, por interesat e dikujt tjetër në Beograd”.
Po ashtu, Preqi e cilësoi si një projekt të kurdisur nga Vuçiqi dhe Serbia, pjesëmarrjen e Listës Serbë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, këto ditë i thotë Radiotelevizionit të Serbisë, se partia e tij do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare që do mbahen me 9 shkurt në Kosovë, dhe partia të cilën e udhëheq, do të fitojë bindshëm 10 ulëse të rezervuara të komuniteteve në Kuvendin e Kosovës.
Organizimi i Listës Serbe, që të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Kosovës, që do mbahen me 9 shkurt të vitit 2025, paraqet një shtysë që rrjedh prej qendrës politike të Beogradit, si një projekt i kurdisur nga Vuçiqi dhe Serbia, e cila Listë, do t’i përfaqësoi serbët e veriut të Kosovës, si një element kyç, që sa herë ka nevojë dhe i konvenon Vuçiqit, do ia arrin ta tensionoi dhe destabilizoi veriun dhe Kosovën”, shpjegoi ai.
Tutje, opinionisti potencoi se nuk ka ndryshuar asgjë sa i përket qasjeve dhe qëndrimeve të shtetit serb ndaj Kosovës, kësisoj nuk mund të pritet ndonjë ndryshim as nga LS.
“Nuk ka dhënë dëshmi se Vuçiqi, e ka ndërruar strategjinë e tij, që ndoshta, këtë Listë serbe, do ta përdorte dhe trajtonte ndryshe, apo për të mirën dhe mirëqenien e serbëve në veriun e këtij vendi, që në vend të kriminelëve dhe terroristëve serbë, do të sillte njerëz të kulturuar dhe të përkushtuar ndaj vendit ku janë lindë dhe rritë, por jo, të mbetën peng dhe vegla të një politike shofeniste e kriminale, për interesa të Serbisë dhe Vuçiqit.
Lista Serbe, në nëntor të vitit 2022, i dorëzoi mandatet e deputetëve të saj në Kuvendin e Kosovës, në shenjë proteste ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës, që lidhet me konvertimin e tagrave dhe të tjera, dhe në këtë rast kryeministri Kurti, u bëri thirrje këtij subjekti politik serb, që mos t’i braktisin institucionet e Kosovës, edhe pse këtë po e kërkon dhe dikton Beogradi, në këtë mënyrë do të dobësohen shërbimet dhe interesat e qytetarëve serb në këtë pjesë të Kosovës”.
Gjithashtu, Preqi konsideron se Lista Serbe, nuk e meriton të përfaqësohet më në Kuvendin e Kosovës, madje kërkoi edhe përjashtimin e saj, e për këtë gjë dha argumentet e tij.
“Nëse marrim dhe analizojmë veprimet dhe aktivitetet e Listës Serbe, në Kuvendin e Kosovës, pa harruar sjelljet e saj në Kuvend, vetëm si vëzhguese, që sa herë i tekët të hyjë dhe të dal pa asnjë obligim që ia kërkon qytetari i vet serb këtij subjekti, por vetëm duke nënshkruar në raportin e mëditjeve, dhe atëherë kur duhet të përfaqësohen për të mos e humbur mandatin e tyre si deputet dhe kurrgjë më shumë.
Lista Serbe, nuk e meriton të përfaqësohet më në Kuvendin e Kosovës, kjo duhet të përjashtohet, sepse i ka shkelë ligjet dhe Kushtetutën e këtij vendi, kur nënkryetari i saj Milan Radoiçiq, me bashkëpunëtorët e vet serb kriminel në shtator të vitit të kaluar 1923, organizuan sulmin terrorist në Bansjkë të Zveçanit, kundër shtetit dhe policisë së Kosovës, me pretendim të aneksimit, që kishin për veriun e këtij vendi”, nënvizoi opinionisti.
Në fund, ai shtoi se komuniteti serb nuk i meriton 10 ulëse në Kuvend, e për këtë kërkoi nga Kosova që të bëjë një ndryshim kushtetues.
“Prandaj, në lidhje me këtë subjekt politik, siç është Lista Serbe, Kosova, duhet të bëjë ndryshimin e Kushtetutës, në veçanti një ndryshim për komunitetin serb, i cili nuk i meriton 10 vende të rezervuara në Kuvend, sipas paketës së Ahtisarit, duke e previligjuar këtë komunitet pa të drejtë dhe pa meritë, duke i anashkaluar komunitetet tjera.
Qëndrimi dhe përfaqësimi i kësaj Liste Serbe, në Institucionet e Kosovës, në vazhdën e këtyre rrethanave nëpër të cilat ka kaluar dhe përjetuar Kosova, do e bëjë edhe më të vështirë gjendjen dhe të ardhmen e institucioneve të këtij vendi, duke e kuptuar se një subjekt i tillë politik, nuk ka të bëjë me interesat e qytetarëve serb të Kosovës, por është vetëm një lojë e dyfishtë e Serbisë, dhe me plot rreziqe, duke e bërë veriun e këtij vendi, si një vend-burim i tensioneve dhe konflikteve të mundshme, për ta pamundësuar mirëqenjen dhe bashkëjetesën në mes etniteteve në këtë vend”, përmbylli Dedë Preqi për “Bota sot”.