“Ide e rrezikshme…”/ Vjen një paralajmërim për Kosovën: Ky skenar e pret nëse “shkëmbimi i territoreve” rikthehet në tryezën e bisedimeve!

Politika

“Ide e rrezikshme…”/ Vjen një paralajmërim për Kosovën: Ky skenar e pret nëse “shkëmbimi i territoreve” rikthehet në tryezën e bisedimeve!

Nga: M.Haziri Më: 25 nëntor 2024 Në ora: 11:46
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë është rikthyer si temë diskutimi përsëri.

Ani pse një ide e tillë nuk thuhet që mund të gjejë zbatueshmëri, diskutimi po vazhdon të jetë i pranishëm.

Së fundmi është Profesori në Universitetin amerikan, Johns Hopkins, Daniel Serwer tha se në rajonin e Ballkanit mund të rikthehen idetë për ndarjen e territoreve, nëse Richard Grenell siguron një pozitë të lartë në administratën e re amerikane.

Megjithatë, thekson se lufta në Ukrainë dhe Kina janë ndër prioritetet kryesore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mirsad Voca.

Image
Mirsad Voca

Ai thotë se rikthimi i idesë për ndarje të territoreve është një skenar i rrezikshëm.

Sipas tij, rikthimi i kësaj ideje mund të nxisë ambicie separatiste në rajone të tjera dhe të destabilizojë jo vetëm Ballkanin, por edhe Evropën.

Rikthimi i idesë së ndarjes së territoreve në Ballkanin Perëndimor është një skenar i rrezikshëm, pasi nuk ofron një zgjidhje të qëndrueshme, por vetëm sa e thellon pasigurinë dhe tensionet në rajon. Në vend të kësaj, bazë për paqen afatgjatë duhet të jetë njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, e cila do të hapte rrugën për një marrëveshje të drejtë dhe të qëndrueshme.

-Pse ndarja e territoreve është e rrezikshme?

Historikisht, ndryshimet territoriale në Ballkan kanë shkaktuar konflikte të reja dhe ndarje etnike më të thella. Rikthimi i kësaj ideje mund të nxisë ambicie separatiste në rajone të tjera dhe të destabilizojë jo vetëm Ballkanin, por edhe Evropën. Një zgjidhje e tillë nuk do të trajtonte problemet themelore, por do të hapte plagë të reja, duke rrezikuar paqen dhe sigurinë”, u shpreh ai.

E sa i përket rolit të Grenellit dhe ndikimit të tij, Voca thotë që ndikimi i tij do të varet nga mbështetja e administratës amerikane dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.

Ndërsa lidhur me rolin e Richard Grenell dhe ndikimin e tij, nëse ky i fundit siguron një pozicion të lartë dhe promovon përsëri idenë e ndarjes së territoreve, kjo mund të krijojë tensione serioze në rajon. Megjithatë, ndikimi i tij do të varet nga mbështetja e administratës amerikane dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Deri më tani, shumë vende të BE-së, si Gjermania, e kanë kundërshtuar fuqimisht ndarjen e territoreve, duke e bërë të vështirë implementimin e saj”, thotë Voca.

Gjithashtu Voca thekson që mbyllja e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë është njohja reciproke.

Njohja reciproke duhet të mbetet si themel për paqe afatgjate sepse është e vetmja rrugë për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme. Kjo do të përmbyllte konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë, duke hapur rrugën për marrëdhënie të reja fqinjësore. Po ashtu kjo, do të forconte sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, duke garantuar sigurinë e komuniteteve pakicë. Për më tepër, kjo do të mundësonte integrimin e plotë të të dyja vendeve në strukturat euroatlantike dhe në BE. Si rrjedhojë, Do të rriste stabilitetin në rajon, duke shmangur çdo mundësi për tensione të mëtejshme apo konflikte të reja”, shpjegon tutje ai.

Në fund, bashkëbisedimin Voca e përmbyllë duke nënvizuar që paqja dhe stabiliteti afatgjatë në Ballkanin Perëndimor nuk mund të arrihen përmes ndarjeve territoriale apo marrëveshjeve të imponuara.

Lidhur me prioritetet e SHBA-së dhe sfidat për Ballkanin, natyrisht se lufta në Ukrainë dhe rivaliteti me Kinën janë në qendër të politikës së jashtme të SHBA-së. Në këtë kontekst, rajoni i Ballkanit mund të mos marrë vëmendjen e duhur. Kjo e bën edhe më të rëndësishme idenë për të gjetur një zgjidhje që shmang destabilizimin dhe ndjek rrugën e njohjes reciproke.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të bazohet në:

-Njohjen reciproke si parakusht për çdo marrëveshje të qëndrueshme.

-Respektimin e të drejtave të pakicave në Serbi dhe Kosovë dhe garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët.

-Promovimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rajonal si një mjet për zhvillim dhe stabilitet.

Unë shoh se paqja dhe stabiliteti afatgjatë në Ballkanin Perëndimor nuk mund të arrihen përmes ndarjeve territoriale apo marrëveshjeve të imponuara. Kurse njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është e vetmja zgjidhje që adreson rrënjësisht problemet ekzistuese dhe siguron një të ardhme paqësore dhe të integruar për të gjithë rajonin”, përfundoi doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mirsad Voca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat