Takim në dhjetor/ Politologu tregon çka mund të ndodhë nëse BE nuk i rrit përpjekjet e saj/ Ja vendi që mund ta thotë “fjalën” e fundit për dialogun

Politika

Takim në dhjetor/ Politologu tregon çka mund të ndodhë nëse BE nuk i rrit përpjekjet e saj/ Ja vendi që mund ta thotë “fjalën” e fundit për dialogun

Nga: N.E Më: 25 nëntor 2024 Në ora: 19:00
Albin Kurti- Aleksander Vuciq

Bashkimi Evropian është duke u përgatitur për një takim në nivel kryenegociatorësh në dhjetor.

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se ai bashkë me ekipin e tij po përgatiten për një takim në nivel kryenegociatorësh, Besnik Bislimi dhe Petar Petkovq, teksa ka treguar për agjendën e tij javore.

Lajçak ka thënë se ka pasur dy javë produktive dhe të thella sa i përket detyrave për të cilat është i ngarkuar, duke përmendur takimin me QUINT në Paris.

“Dy javët e fundit kanë qenë sa produktive dhe të thella, me vizita në Gjenevë, Tiranë dhe Paris. Me bashkëbiseduesit e mi në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Quai d’Orsay, u angazhova në diskutime të rëndësishme mbi Dialogun dhe rrugën përpara. Këto biseda janë kritike në formësimin e punës që po bën ekipi im. ndërsa përgatitemi për takimin e ardhshëm të Kryenegociatorëve në dhjetor. Pres me padurim periudhën e ardhshme”, ka shkruar Lajçak në Facebook, të dielën.

Në postimin e tij Lajçak ka treguar që ka vizituar edhe Tiranën pa dhënë detaje më shumë. Emisari sllovak kohë më parë ka thënë se nuk pret shume nga procesi i dialogut për shkak të zgjedhjeve në Kosovë.

Takimi i dhjetorit do të jetë në vazhdën e takimeve në nivel kryenegociatorësh, takime të atilla që ka pasur pothuajse në gjithë vitin 2024. Madje sipas shumë raportimeve, kjo domethënë ngecje të dialogut.

Për këtë çështje ka folur për “Bota sot”, politologu Ramadan Gjanaj, i cili konsideron se bllokimi i dialogut është rezultat i dallimeve themelore ndërmjet palëve.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës po merr një qasje jo fleksibile, padyshim popullore, por bllokuese, ndërsa Aleksandar Vuçiç po përdorë këtë bllokim për të forcuar lidhjet e tij me Rusinë dhe Kinën.

“Bllokimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rezultat i dallimeve themelore ndërmjet palëve. Kosova kërkon njohje reciproke, kurse Serbia refuzon ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe kërkon të ruajë ndikimin e saj mbi komunitetet serbe. Me thënë të drejtën, Qeveria e Kosovës po merr një qasje jo fleksibile, padyshim popullore por bllokuese, ndërsa Aleksandar Vuçiç po përdorë këtë bllokim për të forcuar lidhjet e tij me Rusinë dhe Kinën. Në të njëjtën kohë, ndërmjetësimi ndërkombëtar është i dobësuar nga mungesa e unitetit midis BE-së dhe Shteteve të Bashkuara dhe levave të pamjaftueshme të presionit mbi palët”, shprehet Gjanaj.

Image
Ramadan Gjanaj

Sipas tij, për t’u ringjallur dialogu duhet koordinimi BE- SHBA, pasi sipas tij, ai është vendimtar.

“ Lufta në Ukrainë është një element shtesë në ketë ekuacion ku duket se Serbia më shumë po favorizohet nga BE-ja dhe SHBA. Për të « ringjallur » dialogun, koordinimi BE-SHBA është vendimtar, por pa lëshime të ndërsjellta (si në diskutim mbi Asociacionin e komunave serbe pa autonomi të tepruar) asgjë nuk do të ecë. E ardhmja do na tregojë nëse administrata e re amerikane është ajo që do ta përkrahë dialogun, por sidomos si do t’i përkrahë veprimet e BE-së në këtë dialog”, pohon politologu.

Nga Kosova shpesh herë kemi dëgjuar akuza ndaj qasjes jo neutrale të ndërmjetësuesit te BE-se, për dialog dhe shefit të BE-së. Me emërimin e Kaja Kallas, është parë një entuziazëm dhe shpresë për neutralitet, ndërsa në seancën dëgjimore para PE-së, ajo nuk ka prekur dialogun si temë, i pyetur nga “Bota sot”, nëse po bie në “hije” dialogu Kosovë- Serbi nga BE-ja, Gjanaj thotë se prezantimi i Kaja Kallas para deputetëve evropianë, pa asnjë përmendje të dialogut, pasqyron një mungesë të dukshme prioriteti për këtë çështje dhe natyrisht dhe e la një shije të hidhur në sytë e shqiptarëve, që presin shumë nga emërimi i saj në krye të EEAS në vend të Josep Borrell-it.

Por, sipas tij,, ndjeshmëria e saj ndaj sovranitetit kombëtar mund të forcojë mbështetjen për Kosovën si dhe të balancojë presionet nga të dyja palët.

“BE-ja akuzohet nga Kosova për anëshmëri në favor të Serbisë dhe përfshirja e saj në dialogun Kosovë-Serbi është dobësuar pjesërisht për shkak të krizave të brendshme si lufta në Ukrainë duke parë edhe krediibilitetin e saj në ulje, sidomos në sytë e shqiptarëve të Kosovës. Prezantimi i Kaja Kallas para deputetëve evropianë javën e kaluar, pa asnjë përmendje të dialogut, pasqyron një mungesë të dukshme prioriteti për këtë çështje dhe natyrisht dhe e la një shije të hidhur në sytë e shqiptarëve, që presin shumë nga emërimi i saj në krye të EEAS në vend të Josep Borrell-it. Megjithatë, ndjeshmëria e saj ndaj sovranitetit kombëtar mund të forcojë mbështetjen për Kosovën si dhe të balancojë presionet nga të dyja palët”, nënvizon Gjanaj.

Tutje, sipas Gjanajt, për ta rifituar besueshmërinë në dialog, BE-ja do të duhet të sqarojë objektivat e saj për rajonin, të sigurojë ndërmjetësim të balancuar në kuadër të dialogut si dhe dhe të ofrojë perspektiva konkrete për integrimin evropian për gjithë rajonin.

“Nëse BE nuk rrit përpjekjet e saj, SHBA mund të luajë një rol në rritje, duke komplikuar një strategji të unifikuar. Për ta rifituar besueshmërinë në dialog, BE-ja do të duhet të sqarojë objektivat e saj për rajonin, të sigurojë ndërmjetësim të balancuar në kuadër të dialogut si dhe të ofrojë perspektiva konkrete për integrimin evropian për gjithë rajonin. Mbas zgjedhjeve evropiane të 9 qershorit, institucionet e reja të BE-së kanë për t’i caktuar prioritetet e tyre për legjislaturën e re. Shpresojmë se dialogu Kosovë-Serbi do të zë vend kyç në këto prioritete!”, përfundon politologu.

Gjatë dialogut të fundit Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është arritur marrëveshje e Brukelit ( 2023) dhe aneksi i Ohrit( 2023), por ende pa u respektuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat