Gazmend Halilaj kërkon të ndalet mbështetja financiare ndaj të akuzuarve të Speciales, tregon pse

Politika

Gazmend Halilaj kërkon të ndalet mbështetja financiare ndaj të akuzuarve të Speciales, tregon pse

Nga: P.R. Më: 26 nëntor 2024 Në ora: 08:01
Gazmend Halilaj dhe ish-pjesëtarët e UÇK

Avokati i njohur, Gazmend Halilaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot” po kërkon që Qeveria e Kosovës të ndalë përkrahjen financiare ndaj të akuzuarve të Gjykatës Speciale, të cilët ndër tjerash po akuzohen edhe për vrasjen e kundërshtarëve politikë, anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish përkrahës të presidentit historik, Ibrahim Rugova.

“Bazuar në dispozitat ligjore, mbrojtja u paguhet vetëm skamnorëve. Tutje Gjykata Speciale ka buxhet pikërisht për të pandehurit që nuk kanë mundësi të paguajnë mbrojtës, por ajo u paguan një mbrojtës sipas radhës në listën e të licencuarve. Në rastin konkret të pandehurit kanë zgjedhur një formë tjetër, duke angazhuar ekip për mbrojtje dhe atë nga më të shtrenjtit ne botë”, thotë Halilaj.

Sipas tij, kjo është fyerje për viktimat dhe familjet e tyre.

“Nëse shteti i Kosovës me institucionet e tij nuk ka qenë i aftë të vë drejtësi për viktimat të paktën mos t’i fyej në këtë formë, duke u paguar të pandehurve avokatët, vizitat e etj. Nuk është kontestuese që të pandehurit janë pronar, posedues ose zotërues të pasurive multi milionëshe. Veprat supozohet që i kanë kryer për interesa klanore, andaj edhe shpenzimet procedurale duhet t’i bartin vet”, shprehet Halilaj.

Madje Halilaj kërkon edhe hetimin e fondeve, të cilat janë hapur në mbështetje të të akuzuarve të Speciales.

“Tutje, janë të hapura edhe disa Fonde, për kinse mbrojtjen e disa të akuzuarve atje, shtrohet pyetja cila është transparenca e atyre fondeve? Nëse duhet te paguhet dikush nga buxheti shtetit, pikërisht janë familjet e të vrarëve dhe të mbijetuarit (ata që kanë mbet në karrocë)”.

“Mjerisht, na duhen dekada fillimisht për të guxuar të mendojmë drejtë, pastaj të veprojmë e pastaj të nxjerrim nga pozitat te gjithë ata që për interesa personale dhe klanore, mbyllen sytë para çdo krimi të këtyre skuadrave vrastare, nga veprimet e së cilëve përjetësisht do të vuajnë. Një pjesë e madhe e njerëzve më të ndershëm të këtij vendi”, përfundon avokati Gazmend Halilaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat