Mekuli: Gërvalla ka të drejtë, ky shtet po e luan “mashën” e Putinit: Ja si duhet t’i përgjigjemi qartë Vuçiqit

Politika

Mekuli: Gërvalla ka të drejtë, ky shtet po e luan “mashën” e Putinit: Ja si duhet t’i përgjigjemi qartë Vuçiqit

Nga: A.Zh Më: 26 nëntor 2024 Në ora: 12:59
Vuçiq dhe Putin

Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, ka paralajmëruar në mbledhjen e fundit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se Kosova mund të jetë në rrezik për shkak të planeve destabilizuese të Rusisë në Ballkan.

Njohësi i shkencave të mediave dhe retorikës Gëzim Mekuli pajtohet me këtë vlerësim, duke theksuar se Ballkani është pika e dobët e Evropës dhe një fushë e investimeve të gjera të Rusisë për destabilizim, ku Serbia luan rolin e mjetit të saj.

Mekuli thekson se paralajmërimet nuk mjaftojnë dhe bën thirrje për veprime konkrete si: Forcimi i mbrojtjes kombëtare të Kosovës, thellimi i aleancave me SHBA-të dhe NATO-n dhe qëndrim i qartë dhe i vendosur ndaj Serbisë, duke mbrojtur paprekshmërinë e Kosovës.

Image
Gëzim Mekuli

“Gërvalla ka të drejtë. Ballkani është pika e butë e Evropës, dhe Rusia ka investuar shumë në destabilizimin e rajonit. Në këtë lojë gjeopolitike, Serbia luan rolin e "mashës" së Putinit. Por paralajmërimet nuk mjaftojnë; Kosova duhet të forcojë mbrojtjen, të thellojë aleancën me SHBA-të dhe NATO-n, dhe të mos lejojë askënd të ndjekë një skenar si ai i Ukrainës. Mesazhi ynë për Vuçiqin duhet të jetë i qartë: Kosova është e përjetshme, e pacenueshme dhe e paprekshme”, ka deklaruar Mekuli për gazetën “Bota sot”.

Kritiku i shkencave të mediave ka folur edhe për mos largimin e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Ai ka kritikuar ashpër qasjen e BE-së, duke e cilësuar atë si të dobët dhe të padrejtë.

Sipas Mekulit, BE-ja po përjeton një krizë morale, politike dhe ekonomike, që po e bën të pasigurt.

Ai ka shtuar se Serbia po përdoret si një "kalë Troje" nga Rusia për të destabilizuar Evropën, ndërkohë që BE-ja mban qëndrime të pabarabarta ndaj Kosovës.

“BE-ja është në krizë morale, politike dhe ekonomike. Kjo dobësi e bën një aktor të ngadaltë dhe të pasigurt. Sanksionet ndaj Kosovës janë një ironi absurde, sidomos kur BE-ja ledhaton Serbinë, vendin që po shërben si kali i Trojës i Rusisë në Evropë. Politikat e saj të buta ndaj Serbisë, një shtet që po bën flirtime të hapura me Rusinë, janë të frikshme. BE-ja ka frikë të konfrontohet me Serbinë dhe për këtë arsye mban qëndrime të pabarabarta ndaj Kosovës”, ka theksuar ai.

Mekuli sheh shpresë në udhëheqës të rinj evropianë, si Kaja Kallas dhe Riho Terras, që mund të sjellin ndryshime pozitive. Por ai thekson se çdo përparim do të varet nga gatishmëria e BE-së për t’u reformuar dhe nga aftësia e Kosovës për të ndikuar në këto reforma.

“Megjithatë, udhëheqës të rinj si Kaja Kallas mund të sjellin një frymë të re, por kjo varet nga sa e gatshme është BE-ja të reformohet nga brenda. Dhe kjo punë varet edhe nga ne”, ka shtuar Gëzim Mekuli për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat