Ende nuk ka lista të kandidatëve për deputetë, vjen thirrja për partitë politike: Kujdes kë e vendosni në garën zgjedhore!

Politika

Ende nuk ka lista të kandidatëve për deputetë, vjen thirrja për partitë politike: Kujdes kë e vendosni në garën zgjedhore!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 26 nëntor 2024 Në ora: 17:20
Foto ilustrim

Zgjedhjet parlamentare po afrohen, nuk ka mbetur edhe shumë deri te data që ato pritet të mbahen, me 9 shkurt 2025.

Partitë politike, janë mobilizuar me fushatat e tyre parazgjedhore, derisa po synojnë që ta rikthejnë elektoratin e tyre,

Pavarësisht se, në terren subjektet politike po punojnë, ato ende nuk kanë vendosur t’i bëjnë publike listat e tyre me kandidatët për deputetë.

E për këtë gjë, afati ka filluar më 1 qershor për subjektet politike që të dorëzojnë kërkesat për certifikim dhe listat e kandidatëve për deputetë.

Mirëpo, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi konfirmoi se një gjë të tillë nuk e ka bërë akoma asnjë parti.

“Deri më 11 dhjetor të këtij viti, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesat e tyre për certifikim për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listat e tyre me emrat të kandidatëve për deputetë. Kjo periudhë ka filluar më 1 shtator, por mund t’iu konfirmoj se deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë aplikim nga ana e subjekteve politike.”

Elezi shtoi se KQZ do të kërkojë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që të verifikojë kandidatët për deputetë.

 “Këshilli Gjyqësor i Kosovës është njëri prej institucioneve që KQZ-ja do të kërkojë verifikim të kandidatëve. Në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person nëse “është dënuar në 3 vjetët e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv”. Prandaj, me qëllim të zbatimit të këtij përcaktimi ligjor, do të kërkojmë nga KGjK-ja që të verifikojë listën e kandidatëve nëse ndonjëri prej tyre nuk është në përputhje me këtë kufizim ligjor”, tha Elezi.

E kur jemi, te çështja e listave të kandidatëve, sa priten ato të ndikojnë në rezultatin e subjekteve politike, derisa ka pasur kritika për shumë deputetë të cilët kanë qenë të heshtur gjatë këtij mandati qeverisës.

Bajraktari: Mos të përfshihen kandidatë që kanë probleme me ligjin apo të kaluar kriminale

E për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli avokati Ardian Bajraktari.

Image
Ardian Bajraktari

Së pari, ai tha se partitë politike kanë ende kohë për dorëzim të listave të kandidatëve për deputetë, por që kërkoi që të përfshihen kuadro profesioniste, pasi do ndikonte pozitivisht për ecurinë e tyre.

“Subjektet politike janë brenda afatit ligjor për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë.

Me rastin e dorëzimit të listave, përfshirja në listat zgjedhore të kuadrove profesionistë dhe kompetent do të shkonte në funksion të ngritjes së cilësisë së organit ligjvënës dhe rrjedhimisht ngritjes së cilësisë së përfaqësimit të qytetarëve”.

Po ashtu, në këtë pikë, tha se nuk duhet të përfshijnë assesi kandidatë që kanë probleme me ligjin apo që kanë të kaluar jo të mirë

“E në këtë funksion shkojnë edhe ofrimi i kuadrove me sa më shumë integritet, kapacitet profesional dhe të dëshmuar, duke mos përfshirë kandidatë që kanë probleme me ligjin apo të kaluar kriminale”, përfundoi Ardian Bajraktari për “Bota sot”.

Bilalli: 6 faktorë vendimtar që po ngulfatin jetën politike dhe institucionale në Kosovë

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Lutfi Bilalli tha se duhet të kenë kujdes partitë politike, në ata që zgjedhin për t’i përpiluar listat e tyre garuese.

Ai në një prononcim për “Bota sot” potencoi se në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë do ndikojnë 6 faktorë.

Image
Lutfi Bilalli

“Mendoj se partitë politike do duhej të jenë shumë të kujdesshëm sa i përket cilësisë së kandidatëve në listat për të garuar në zgjedhjet e 9 shkurtit. Por, si duket edhe kësaj radhe legjislatura e re e Parlamentit të Republikës së Kosovës do jetë riciklim i legjislaturave paraardhëse apo edhe më e dobët. Sipas mendimit tim, arsyet pse kjo mundet të ndodhë janë 6 faktorë vendimtar që po ngulfatin jetën politike dhe institucionale në Kosovë”.

Për këtë, analisti u zgjerua më tej, duke shtjelluar të gjatë faktorët, që sipas tij do kenë ndikim në këto lista.

“1. Përvoja e mangët politike dhe profesionale

2. Ngarendja për të futur në lista fëmijë të oligarkëve dhe VIP (që kanë famë-"nam", por që për fat të keq nesër në angazhmanin e organit ligjvënës shndërrohen në ngritje dhe ulje dore, thënë shkurt teknik votimi, jo mendje!

3. Do mbushet Parlamenti i Republikës së Kosovës me deputetë dhe deputete që kanë oratori dhe qasje tmerrësisht të dobët nga pikëpamja e formimit politik dhe deficit ekstrem në njohurit e ligjeve dhe ballafaqimit kualitativ në debatet parlamentare.

4. Duke marrë parasysh që partitë politike në strukturat e tyre partiake kanë kualitet të dobët, e si rrjedhojë e saj as listat e tyre nuk munden të jenë shpresëdhënëse.

5. Druaj që legjislatura që do dali nga zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025, do jetë më e dobët se legjislatura që po përfundon mandatin. Shumë njerëz kanë dëshirë të bëhen politikan/e, por halli është që kanë deficit dhe formim të vobektë intelektual dhe politik (ne kemi nevojë për lojtarë të fortë, përndryshe të dobët kemi me bollëk).

6. Kemi krijuar sindromin më të keq të mundshëm se t’i hysh garës politike të bëhesh politikan, e më pas (deputet, ministër, kryetar komune) nuk ka rëndësi sa ke formim dhe njohuri, por me të "tekur" ngase leverdia mund të jetë e madhe për çifligun tënd provincial!

Në fund, Bilalli foli edhe për mundësim e kandidimit të personave që nuk kanë të ngritura aktakuza por që janë nën hetime për vepra penale.

Në këtë pikë, tha se nuk duhet befasuar nëse ndodhë një gjë e tillë.

“Po nuk do mend që "hijeshinë" e listës së kandidatëve të partive politike e "nderojnë" figurat që janë nën hetime. Në kushte normale dhe sistem dhe shoqëri të konsoliduar ligjor, kjo nuk mund të vihet në pyetje, por mbase tek ne jonormalja mund të konsiderohet normale, mund të ndodhë edhe ky fenomen që për rrethanat dhe kohën vështirë se mund të ndryshohet (vërejtje: e tëra kjo varet nga normat ligjore se si klasifikojnë një fenomen të tillë që ka të bëjë me të drejtën e individëve për të kandiduar për deputet_”, përmbylli Lutfi Bilalli për “Bota sot”.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat