Zbërthehet mesazhi i Daniel Serwer-it: Ja pse paralajmërohet Kosova në rast se rikthehet Grenelli-i!

Politika

Zbërthehet mesazhi i Daniel Serwer-it: Ja pse paralajmërohet Kosova në rast se rikthehet Grenelli-i!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 26 nëntor 2024 Në ora: 20:33
Profesori në Universitetin amerikan, Daniel Serwer

Për Qeverinë e Kosovës, shkëmbimi i territoreve me Serbinë, si mundësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, nuk duhet të vihet në diskutim.

Këto ide, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi kanë hasur në reagime për dhe kundër.

Edhe aleatët kryesorë të Kosovës në Evropë, Britania dhe Gjermania, kanë thënë se thirrjet për ndryshim të kufijve të Ballkanit mund të sjellin destabilizim.

Mirëpo, e prerë që nuk do të ketë shkëmbim të territoreve vazhdon të jetë Qeveria e Kosovës.

E së fundmi për këtë çështje ka folur profesori universitar, Daniel Serwer.

Profesori në Universitetin amerikan, Daniel Serwer thotë se në rajonin e Ballkanit mund të rikthehen idetë për ndarjen e territoreve, nëse Richard Grenell siguron një pozitë të lartë në administratën e re amerikane. Megjithatë, thekson se lufta në Ukrainë dhe Kina janë ndër prioritetet kryesore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Të gjithë janë në pritje për të parë se çfarë qasje do të ketë në Ballkanin Perëndimor, administrata e re amerikane nën udhëheqjen e liderit republikan, Donald Trump.

“Në këtë pikë është e vështirë të parashikohet se çfarë qasje do ta ketë administrata e re amerikanë në Ballkanin Perëndimor. Mirëpo ajo çfarë mund të them është se momentalisht rajoni i Ballkanit nuk është top prioritet për Uashingtonin. Për SHBA-në prioritet është lufta në Ukrainë, Kina, tarifat si dhe çështje të tjera. Pra, në nivelet e larta në SHBA askush nuk po mendon për Ballkanin”, thotë ai.

Megjithatë Serwer thotë se situata mund të ndryshojë nëse ish i dërguar special i Trumpit për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, siguron një pozitë të rëndësishme në administratën e re amerikane.

Tutje, ai shton se me kthimin eventual të Grenell mund të rikthehen edhe idetë për ndarjen e territoreve në Ballkan, e që sipas tij do të përbënin lajm të mirë për Vuçiqin dhe Dodikun.

Të gjendur në këtë situatë a mund të përballemi me një rikthim të kësaj ideje?

Mehmeti: Nëse rikthehet Grenell në pozitën e mëhershme mund të jemi në ‘rrezik’

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik,

Image
Faton Mehmeti

.Ai thotë se me shumë gjasë Grenell do të jetë i dërguari i SHBA në Ukrainë dhe kjo largon rrezikun nga Kosova mirëpo se i njëjti rikthehet në pozitën e mëhershme atëherë mund të rrezikohet edhe rikthimi i idesë së ndarjes.

“Siç po flitet z.Grenell do të jetë i dërguar i SHBA për Ukrainë, me çka largohet rreziku nga Kosova. Gjithsesi, nëse ndodhë që Grenell të rikthehet në pozitën e mëhershme bashkë me atë rikthehet është ideja e ndarjes. Kjo ide do të mbështet nga opozita vetëm që të rrëzohet Kurti, pavarësisht kostos së shtetit. Në këtë kuptim është e qëndrueshme deklarata e z.Serwer, si njohës i zhvillimeve politike është krejtësisht e kuptueshme se Grenell është pro serb dhe si i tillë çdo kthim i tij është rrezik për Kosovën”, u shpreh ai.

Më tej, analisti thekson që ideja e ndarjeve territoriale është projekt serbo-rus dhe si i tillë ka synim shtim hegjemonist sllavë në rajon në kurriz të shqiptarëve.

“Dua të besoj se s’do të jetë në pozitën ku ishte duke mënjanuar rrezikun, ndonëse klasa politike në Kosovë duhet të jetë unike kur është në pyetje interesi i shtetit. Ideja e ndarjeve territoriale është projekt serbo-rus dhe si i tillë ka synim shtim hegjemonist sllavë në rajon në kurriz të shqiptarëve”, foli Mehmeti për “Bota sot”.

Duhanaj: E gjithë kjo temë e nxehtë, është e pamundur të trajtohet pa rreziqe lufte

Ndërsa analisti tjetër politik, Leon Duhanaj në një bashkëbisedim për “Bota sot”, thotë që derisa vazhdon të jetë dialogu Kosovë – Serbi atëherë nuk janë të përjashtuara ende të gjitha mundësitë.

Mirëpo ai përmend disa nga parametrat nëse mund të rikthehet ideja për shkëmbim të territoreve.

Image
Leon Duhanaj

“Vetë fakti që Kosova dhe Serbia vazhdojnë të jenë në proces negociator, respektivisht në tavolinën e bisedimeve, nënkupton se asgjë nuk përjashtohet plotësisht.

Megjithatë, për të rikthyer temën e shkëmbimit të territoreve në tavolinë, kërkohen disa parametra tjerë:

1. Duhet të ndryshohen parimet mbi të cilat Kosova shpalli pavarësinë e sajë.

Ndër to edhe ndalesa për të iu bashkuar ndonjë shteti tjetër.

2. Kosova është e njohur në gjithë territorin e sajë.  Pra kërkohet konsensus i plotë ndërkombëtar.

3.Palët do duhet të ishin të dakorduara për temën dhe formën, gjë që është mision tejet i vështirë, për t ‘mos thënë i pamundur”, shpjegon analisti.

Në fund, Duhanaj nuk përjashton rreziqet e luftës nëse kjo ide mund të rikthehet.

“Nëse do të fillohej ndryshimi i kufijve,  atëherë do të duhej të ndryshonin kufijtë e disa shteteve në rajon, sepse për shqiptarët do të duhet të ishte vetëm një opsion i pranueshëm, ai i bashkimit të trojeve shqiptare, e që nënkupton të gjithë hapësirën, jo vetëm Kosovë- Shqipëri.

E gjithë kjo temë e nxehtë, është e pamundur të trajtohet pa rreziqe lufte, prandaj nuk besoj që është gjë e thjeshtë të flitet për këtë temë, apo të fillohet nga ndonjë faktor i vetëm.

Megjithatë, prapë e them, se asgjë nuk është e pamundur dhe duhet të jemi syçelë dhe unik për të gjitha temat”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat