Bisedimet teknike në mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë filluar në vitin 2011.
Deri më tani janë arritur mbi 23 marrëveshje në dialogun në nivelin teknik dhe politik.
Por, jo të gjitha marrëveshjet e arritura janë zbatuar.
Takimi i radhës në nivel kryenegociatorësh në Bruksel do të zhvillohet më 17 dhjetor dhe kjo është konfirmuar edhe nga zyra e zv/kryeministrit Besnik Bislimi.
Emisari për dialogun, Miroslav Lajçak, në përmbledhjen e tij javore të punës njoftoi se takimi i ri në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi mbahet në dhjetor.
“Këto biseda janë kritike në formësimin e punës që po bën ekipi im ndërsa përgatitemi për takimin e ardhshëm të Kryenegociatorëve në dhjetor. Pres me padurim periudhën e ardhshme”, tha Lajçak.
Duhet theksuar që procesi për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit nuk ka nisur, ndonëse ka prodhuar një draft-statut të Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe.
Kujtojmë që në BE, por edhe në NATO gjithnjë e më shumë po shprehin pakënaqësi lidhur me rrjedhën aktuale të dialogut, duke thënë se procesi nuk po prodhon rezultatet e pritura. Kështu ka konstatuar edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke shprehur shqetësim për këtë.
Gjithashtu emisari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka mandat në këtë post deri në fund të muajit janar të vitit 2025.
Ndërkaq, në BE presin të shohin se çfarë qasje rreth dialogut do të ketë përfaqësuesja e e re e lartë për politikë të jashtme, Kaja Kallas, pasi ajo të marrë mandatin. Mandati i saj do të nisë kur të jetë gati i tërë ekipi i ri i Komisionit Evropian, pasi të konfirmohet nga Parlamenti Evropian.
Mirëpo cilat janë pritshmëritë nga ky takim i radhës më 17 dhjetor?
Shabani: Ka pasur një mungesë të koordinimit strategjik
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur deputeti Isak Shabani.
Ai shprehet skeptik që ky takim i radhës mund të sjellë përparim të vërtetë.
Sipas tij, pavarësisht angazhimeve, është e qartë që ka pasur një mungesë të koordinimit strategjik.
“Edhe pse një takim tjetër është planifikuar për në dhjetor, dyshoj që do të ketë përparim të vërtetë. Këtë e bazoj në rezultatet e pakta nga takimet e mëparshme dhe se shumë herë ka munguar një koordinim i mirëfilltë me miqtë tanë ndërkombëtarë. Pavarësisht angazhimeve, është e qartë që ka pasur një mungesë të koordinimit strategjik, që ka çuar në pasiguri dhe në mungesë të një qëndrimi të përbashkët”, u shpreh deputeti.
Deputeti më tej thekson që një angazhim i përbashkët me ndërkombëtarët mund të sjellë rezultate, në të kundërtën sipas tij nuk mund të shohim ndryshime.
“Kjo ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet tona me partnerët ndërkombëtarë dhe ka kontribuar në vendosjen e sanksioneve ndaj Kosovës, që po i ndjejmë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kjo situatë tregon se pa një angazhim të përbashkët dhe një strategji të qëndrueshme, dialogu ka më shumë gjasa të vazhdojë pa rezultate konkrete”, foli deputeti Shabani për “Bota sot”.
Ahmeti: BE-ja duhet të ndryshojë qasje
Ndërsa analisti politik, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, gjithashtu shprehet skeptik për ndryshime në këtë takim.
Ai thotë se BE duhet të ndryshoj qasjen e tij pasi me këtë mënyrë nuk mund të kemi finalizim të dialogut.
“Me këtë qasje të njëanshme të BE- së nuk do të ketë rezultate, pasi BE-ja në vazhdimësi ka përdorur standarde të dyfishta në bisedime.
BE-ja duhet të ndryshoj qasje, pasi me këtë logjikë nuk mund të ketë finalizim të dialogut”, thotë ai.
Analisti në fund nënvizon që dialogu po ka filluar dhe po vazhdon në mënyrë të gabuar nga Serbia.
“Dialogu ka filluar, por edhe po vazhdon mbrapshtë, pasi Serbia në vazhdimësi e ka caktuar agjendën e dialogut”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.
Vlen të theksohet që Lajçak pas takimit të fundit është shprehur se ka pasur konsultime me palët.
Por, përpos pohimeve se po shqyrtohet rruga përpara në dialog, nga ana e BE-së – që ndërmjetëson këtë proces që ka nisur më 2011 – nuk kanë dhënë hollësi se me cilat tema do të merren palët në takimet e radhës.