Nesër është festë për të gjithë shqiptarët, festohet 28 nëntor, dita e Pavarësisë së Shqipërisë.
Me rastin e 28 nëntorit Ditës së Flamurit, analisti Driton Tali, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se kur festojmë këtë festë duhet të kujtojmë Lidhjen e Prizrenit, duke thënë se po të mos ishte kjo, do të kishim një 28 nëntor tjetër.
“Unë në vazhdimësi them se "sa herë që ta festojmë 28 Nëntorin duhet ta kujtojmë Lidhjen e Prizrenit". Sepse sikurse kërkesat kryesore të Lidhjes së Prizrenit, si bie fjala nga katër vilajtet të krijohej një Vilajet (pra të bëhej demarkimi i territorit tonë), pastaj të futej gjuha shqipe në administratën e atij Vilajeti, ruajta e rendit dhe ligjit të bëhej nga vendoret etj, pra me fjalë të tjera të hidhej fara e Shtetit Shqiptar, atëherë edhe Luftërat Ballkanike nuk do të ndodhnin, ose nëse do të ndodhnin do të kishin një formë dhe kahje tjetër. Thënë shkurt e shqip, ne sot do ta kishim një 28 Nëntor krejt tjetër.
Po ja që ndodhi ajo që ndodhi, dhe jemi ku jemi”, shprehet ai.
Sipas tij, aktualisht gjendja është ndryshe dhe goxha komplekse, sepse tanimë kemi Republikën e Kosovës.
“Tashti situata është goxha komplekse. Kemi një Republikë të Kosovës si kompromis të rrethanave, e të cilën e krijuam me mund të madh.
Një Republikë qytetare ku të gjitha komunitetet janë të barabarta, pa marrë parasysh madhësinë. Bile për shkak të specifikave të komunitetit serb, ne komuniteti shqiptar si më i madhi, kemi pranuar edhe privilegje të veçanta për ta. Madje e kemi farkuar një idiomë në vete kontradiktore "diskriminim positiv" por t'ju shmang termit privilegj. Sepse kur dikë e privilegjon atëherë tjetrin e ke diskriminuar. Pastaj nga fshatrat e vogla kemi krijuar komuna etj. Megjithatë, përkundër qasjes tonë dashamirëse, Serbia edhe më tutje bënë presion mbi serbë që ata ta sabotojnë Republikën e Kosovës.
Pra, akoma kemi një Serbi e cila edhe më tutje lëngon nga sëmundja e hegjemonizmit, kjo sëmundje e shekullit 19. Dhe kemi një Rusi, po ashtu të sëmurë nga e njejta sëmundje, e cila e ushqen Serbinë.
Kështu që "derisa Serbia të jetë e sëmurë i tërë Ballkani do të kollitet, dhe për më tepër derisa Rusia të jetë e sëmurë e tërë Bota do të kollitet", thekson ai.
Kurse, për idenë e Bashkimit Kombëtar, Tali thotë se Serbia dhe Rusia janë ato dy vendet që nuk po e lënë këtë ëndër që të zbehet pa marrë parasysh qasjen tonë.
Tutje, thotë se ne duhet të jemi të unifikuar si Kosovë dhe Shqipëri, por në ndërkohë duhet të angazhohemi me tërë qenien tonë në funksionalizimin dhe zhvillimin e Republikës së Kosovës.
“Prandaj në pyetjen tuaj se "a po zbehet ëndrra e Bashkimit Kombëtar" unë them se "Serbia dhe Rusia nuk po e lënë këtë ëndërr që të zbehet pa marrë parasysh qasjen tonë".
Ne shqiptarët në këtë "epidemi" të hegjemonizmit duhet të jemi të kujdesshëm kësaj radhe që mos të sillemi përsëri në situatën e njejtë sikur kur ishim në "Shën Stefan - Kongres Berlinit", apo sikur që ishim gjatë 'dy Luftërave Ballkanike".
Prandaj opsionin e unifikimit gjithmonë duhet ta kemi parasysh, por në ndërkohë duhet të angazhohemi me tërë qenien tonë në funksionalizimin dhe zhvillimin e Republikës së Kosovës.
Fundja, nëse "erërat globale" na shtyjnë në atë drejtim, atëherë unifikimi i një Kosove të emancipuar dhe zhvilluar me një Shqipëri të emancipuar dhe zhvilluar do të jetë shumë më e lehtë dhe e suskesshme sesa unifikimi i një Kosove të pa zhvilluar, patrimonialiste të korruptuar me një Shqipëri të tillë”, përfundon ai për “Bota sot”.