“Duart e pastra” nga krimi vrastar dhe hajnia zyrtare - Thirrja për LDK-në: Koalicioni me këtë parti, zgjidhje për të ardhmen e vendit

Politika

“Duart e pastra” nga krimi vrastar dhe hajnia zyrtare - Thirrja për LDK-në: Koalicioni me këtë parti, zgjidhje për të ardhmen e vendit

Nga: M.L. Më: 28 nëntor 2024 Në ora: 18:06
Ramush Haradinaj, Lumir Abdixhiku dhe Memli Krasniqi

Në pjesën e dytë të bisedës me gazetën "Bota sot", veprimtari i LDK-së në diasporë, Idriz Zeqiraj ka folur rreth zhvillimeve të fundit, të ardhmes së këtij subjekti politik dhe mundësisë së rikthimit të ish-anëtarëve që krijuan subjekte më vete si LDD e Lista GUXO.

"Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, (LDD), për Gjermani, Ilmi Gashi, më ftoi për ta pasqyruar një mbledhje të Kuvendit të LDD-së, me praninë e të gjitha Degëve të saj në Mërgatë. Kryetari, Akademik Nexhat Daci, bëri një ekspoze të punës, veprimtarisë të këtij subjekti dhe shtroi para delegatëve të Kuvendit, të ardhur nga Evropa dhe bota, idenë për kthimin në partinë amë-LDK. Pati kërkesa, nga disa delegatë, për të kërkuar kushte për këtë bashkim. Kërkova fjalën, duke u prezantuar: Jam I.Z., kryetar i Nëndegës të LDK-së,  për Republikën e Bavarisë gjermane. Por, sot jam këtu në cilësinë e gazetarit, i ftuar nga kryetar Gashi. Ju ftoj ju, drejtues dhe delegatë të LDD-së të Mërgatës dhe anëtarësinë Tuaj, të bëheni sërishmi anëtarë të LDK-së, për ta forcuar atë dhe të djathtën shqiptare. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, me rrethin vicioz të tij, nuk e donë kthimin Tuaj as pa kushte, e lëre më me kushte. Jini modest, kërkoni të ribëheni anëtarë të thjeshtë të LDK-së. Lutja ime "në veshë të Perëndisë" dhe u mirëprit me duartrokitje. Akademik Daci tha se "duhet të kthehemi në shtëpinë tonë, LDK-e, pa asnjë pretendim  për poste dhe pa asnjë kusht". Dhe, ashtu u bë. Por, të pafismit, të katapultuar, dyshueshëm, në krye të LDK-së, uzurpatorë të dhunshëm, të kthyerit i anashkaluan, shpërfillshëm, duke mos i futur në strukturat e partisë, madje as Akademik  Dacin!", u shpreh Zeqiraj.

Sipas tij, lidershipi aktual i LDK-së, tashmë, e ka shembullin bizar të pararendësve, në trajtimin hiç miqësor të të kthyerve individual dhe gruporë, në partinë e Rugovës, dikur siç e quan ai "kryezonjë". 

Image
Idriz Zeqiraj

"LDK-ja, si parti e Qendrës së Djathtë, duhet ta këtë mision bashkimin e së djathtës, të poshtëruar, deri në përtokje, nga ata që nuk kishin asnjë ndjenjë, asnjë afeksion, asnjë lidhje me të djathtën e mirëfilltë të Kosovës. Jo vetëm ata që kishin për mision rrënimin e LDK-së, por edhe heshtakët, që lejuan plojën e së djathtës, nuk mund të justifikohen dhe as të amnistohen, për gjendjen e krijuar.

 Andaj, është detyrë e shenjtëri e Lidershipit aktual, t`i bashkojë të gjithë të anashkaluarit, të larguarit e dhunshëm, me sjelljet dhe veprimet provokative, që kulmonin me koalicionet me partitë-banda të së majtës, të cilat, falsifikueshëm, thirrën si të djathta! Dhe, e gjithë kjo bëhej si për inat të elektoratit nacionalist të Kosovës, të përgjakur në Jugosllavinë e Vjetër, në Luftën e Dytë Botërore dhe të vazhduar në Jugosllavinë komuniste dhe së fundi në Luftën e Kosovës, të ekzekutuar në pusira, gjatë dhe pas luftës, nga bastardët shqipfolës, agjentë të Shërbimeve agjenturore të shteteve armike të Kosovës", u shpreh ai.

Më tej,  Zeqiraj ka rikujtuar se si LDK-ja dhe përkrahësit e presidentit Rugova kanë qenë pre e atyre që në vend se ta organizonin luftën kundër pushtuesit serb, ekzekutuan Ministrin e Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqin, nipin e kaçakut luftëtar, Aziz Krasniqi-Zhilivoda, për të vazhduar me ushtarakët tjerë luftë-bërës.

"IV. "Ajo që i ka ndodhur Kosovës, mos i ndodhtë as armikut",- po e perifrazojmë një shprehje që përdorë populli, në raste të një fatkeqësie, të një gjëmë të madhe. Në një luftë me armikun e pabarabartë, pushtuesit serbë, me aleatën Francën, Tiranën zyrtare social-komuniste, instruktuan agjentët e tyre, në radhët e LPK-së, për ta marrë pushtetin me dhunë e përgjakje, pas përfundimit të luftës. Me metodën e gatshme të veglës sllavo-ruse të Enver Hoxhës, të përdorur gjatë Luftës së Dytë Botërore, filluan përndjekjen, deri në vrasjen e kundërshtarëve politikë, për t`i hapur rrugën sundimit të përgjakshëm të stalinistëve  të ideologjisë së huazuar sllave.

Trinomi Serbia-Franca-Shqipëria, përkatësisht, Shërbimet Informative të tyre, në vilat e "Bllokut të Zi", të Tiranës, kompozuan Qeverinë e Përkohshme, të kryesuar nga agjenti i trefishtë, Hashim Thaçi, me bandën e tij të LPK-së. Në vend që ta organizonin luftën kundër pushtuesit serb, ekzekutuan Ministrin e Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqin, nipin e kaçakut luftëtar, Aziz Krasniqi-Zhilivoda, për të vazhduar me ushtarakët tjerë luftëbërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës.

Bëra këtë parantezë-retrospektivë, për të qenë sa më realist, në shprehjen e mendimit personal, se si duhet të kompozohet një qeveri e koalicionit, e painkriminuar, stabile dhe të pastër kombëtarisht", u shpreh Zeqiraj. 

Kështu sipas tij, jetën politike në Kosovë e kanë kontaminuar, helmuar argatët e Serbisë dhe të aleatëve të saj. 

"Me propagandën lehaqene enveriste dhe shantazhin e dhunën vratare, PAN-i me organizmat e tij SHIK, "Shqiponjat e Zeza", BIA terrorizuan popullin e shumëvuajtur të Kosovës. Dhe, përgjatë dy dekadave, e bënë të pa qenë Sistemin e Drejtësisë, korruptuan, më troç, e blenë dhe e shantazhuan edhe UNMIK-un, i cili zbuloi dhe i arrestoi banditërit e bandave të PAN-it, autorët faktik të vrasjeve politike dhe i liruan pa ndëshkime!

Në një Kosovë të tillë, me situatat e krijuara, nuk ka mbetur hapësirë të bollshme, për të zgjedhur partnerët e dëshiruar për koalicion. Megjithatë, qeveria duhet krijuar, duke e zgjedhur "të keqen më të vogël",- siç ka thënë e vepruar Presidenti Rugova, në situata të ngjashme me sot. Ka një diskrepancë në organizimin partiak. Subjektet e majta, të shtirura, falsifikueshëm, si të djathta, siç janë PAN-i, me bishtrat e tij, e bëjnë shumicën, nëse u bashkohet LVV, e cila, përjashto disa nga krerët, është heterogjene dhe dallon nga LPK-ja, nga mitra e përgjakur e të cilës, ka lindur PAN-i", shtoi ai.

Dallimet LVV-PAN

Nisur nga kjo, Zeqiraj foli edhe rreth dallimeve ndërmjet PAN-it dhe LVV-së, 

"Vërtet, të imponuar nga disa ideologë me bindje majtiste, përfshi edhe Albin Kurtin, e filluan jetën partiake me "kruzhokët leniniste" dhe përrallat sllaviste të Enver Hoxhës. Por, përgjatë këtij çerek-shekulli, rrjedhjet e anëtarësisë nga LVV, sidomos të individëve dhe grupeve të "yrishnikëve", për pozita partiake e pushtetare, kanë spastruar LVV nga ekstremistët majtistë, duke filluar nga tipiku Dardan Molliqaj e deri te Haki Abazi, tashmë, tellall i çakorduar të PAN-it. Andaj, LVV ka evoluar, dukshëm, duke filluar nga vet kreu i saj, Albin Kurti", u shpreh ai .

Veprimtari tha më tutje se nuk ka asnjë mëdyshje që elektorati i LVV, në shumësinë absolute, sot është heterogjen dhe me bindje tradicionale të djathta. 

"Hashim Thaçi, me dinakërinë, poshterësinë dhe mujshinë e tij, me banda, shantazhoi, korruptoi dhe i katapultoi në drejtimin e LDK-së, kuadro që nuk kishin asgjë të përbashkët me LDK-në rugoviane. Dhe, me porosi, e degraduan, deri në gërditje, partinë e Rugovës. Kjo ishte edhe arsyeja e largimit të përkohshëm të anëtarësisë masive nga LDK-ja, me qëllimin, tashmë, të pranuar se duhej bërë ndryshimi, duke larguar argatët e pakët, por vendimmarrës, të Hashimit, për t`i lëshuar vendin Lidershipit të ri aktual.

 Pas shumë turbulencave politike, aleancave të poshtra, idioteske e kriminale, populli i Kosovës, elektorati i saj, me votën e lirë e demokratike, bëri zgjedhjen e duhur, duke krijuar mundësinë që LVV-LDK, ta kompozojnë një qeveri të pa kriminalizuar, pra, të pastër nga vrasjet politike dhe pa hajninë zyrtare. Populli, në masën absolute, e mirëpriti, i lehtësuar nga barra e rëndë e komandantëve kriminelë në pushtet dhe e aprovoi këtë koalicion të pranueshëm.

Por, kundërshtarët politikë, komandantët e kriminalizuar, në vrasje dhe hajni zyrtare të PAN-it, të kryesuar nga Hashim Thaçi, të frikësuar nga të bëmat e tyre të trishtme dhe tradhtare, filluan intrigimin, duke u bashkuar në njësh: Hashim Thaçi, Edvin Rama, Isa Mustafa, Aleksandër Vuçiq dhe agjenti i paguar serb, Richard Grenell, për prishjen e koalicionit dhe rrëzimin e qeverisë së ligjshme LVV-LDK. Dhe, këtë të vërtetë absolute e kanë pranuar, madje publikisht, shefi i Grupit Parlamentar të deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, se "Grenell na dha afat një javor, për ta prishur koalicionin me LVV". Edhe Isa Mustafa flet në veten e parë: "Unë e prisha koalicionin e LDK me LVV". Por, "harron" të thotë se kjo ishte porosi e shefit të tij, Hashim Thaçit! Këtu bie poshtë shpifja se Kurti prishi koalicionin, me shkarkimin e dy ministrave të LDK-së", potencoi ai.  

Vërtet, sipas tij,  Albini mësoi ujdinë dhe vendimin e pesëshes së zezë, të cituar më lart, për rrëzimin e qeverisë, madje në kohën zezonë të Pandemisë së përbotshme. 

"Dhe, si kapriçioz, siç është Kurti, për -ngile-, ua grabiti me shkarkimin e dy ministrave të LDK-së, të akuzuar për mos bindje ndaj Kryeministrit.

Opozita PAN-iste, me shpifjet e sforcuara dhe serike, karshi pozitës aktuale, ka humbur sensin e masës, më saktë, është tërbuar me intriga e sulme, pa doganë fare, me qëllim të kthimit, madje, me çdo kusht në pushtet. Çuarja në Gjykatën Kushtetuese, të kapur nga PAN-i, për shqyrtim të të gjitha vendimeve të Qeverisë, të cilat prekin interesat e PAN-it kriminal, tregon panikun e tyre. Kulmon rasti i VETTING-ut dhe Ligji për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë pa mbulesë, nga të ardhurat e punës, është tregues i qartë i panikut të kësaj opozite, të zhytur në krime vrastare dhe hajni zyrtare", theksoi Zeqiraj.

Në fund, ai tha se LDK-ja duhet të bëjë opozitë dinjitoze, të argumentuar dhe të ndarë nga PAN-i "kriminal". 

"Sepse LDK-ja i ka -duart e pastra- nga krimi vrastar dhe hajnia zyrtare. Andaj, nuk ka asnjë arsye për të qenë palë me opozitën PAN-iste. Sepse koalicioni i kujtdo qoftë me atë, e bën pjesë të krimit, duke provokuar dhe fyer shumë qindra familje të viktimave dhe rivrasjen e viktimave, duke e kthyer PAN-in në pushtet.

Rrjedhimisht, brenda kësaj katrahure politike, e vetmja zgjidhje e pranueshme, do të ishte përsëritja e koalicionit, të prishur dhunshëm, disa vite më parë, nga argatët e Serbisë, të lakuar më lart. Pra, koalicioni LVV-LDK, do të ishte i duhuri, për stabilizimin politik dhe ngritjen ekonomike të Kosovës", përfundoi ai.

Lexo edhe: “Përplasjet” në krye të shtetit, Zeqiraj: ‘Lista GUXO’ kishte mision kombëtar largimin e pushtetit kriminal të PAN-it, tash LDK-ja...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat