Eurodeputeti austriak, Thomas Waitz, në një bashkëbisedim me “Bota sot” ka folur në lidhje me sanksionet që BE ka vendosur ndaj shtetit tonë, si dhe për dialogun Kosovë-Serbi.
Sipas tij, sanksionet ndaj Kosovës duhet të hiqen sa më parë, derisa tha se BE duhet të flaës me “një gjuhë më të qartë” me Vuçiqin.
“Unë personalisht mendoj se nëse jemi seriozë për procesin e anëtarësimit të bazuar në merita dhe fokusimin e tij në bazat e të drejtave të qytetarëve, BE-ja duhet të flasë një gjuhë më të qartë me presidentin e Serbisë. Sa i përket sanksioneve, në kohën kur janë vendosur ato ndaj Kosovës, unë jam shprehur kundër kësaj dhe ende jam i mendimit se ato duhet të hiqen”, u shpreh ai.
Kurse, sa i përket dialogut në Bruksel, eurodeputeti austriak tha se dialogu kërkon lëshime dhe vullnet të mirë nga të dyja palët.
Ai u shpreh optimist se gjërat do ndryshojnë për të mirë, pas ardhjes së komisionereve Kallas dhe Kos.
“Kam besim se me emërimin e Komisioneres Kallas dhe Komisioneres Kos do të shohim një ndryshim. Gjatë seancave u bë e qartë se ato e kishin kuptuar situatën dhe nuk ishin të interesuar të qetësonin Vuçiqin. Sigurisht që dialogu kërkon lëshime dhe vullnet të mirë nga të dyja palët, kështu që unë shpresoj se ngërçi i muajve të fundit mund të zgjidhet me njerëzit e rinj në krye të BE-së, por kjo kërkon edhe vullnet të ri politik nga liderët në Kosovë dhe Serbi”, tha ndër të tjera Thomas Waitz për “Bota sot”.
Kosova vazhdon të jetë ende nën masa sanksionuese, të cilat janë vendosur vitin e kaluar nga ana e Bashkimit Evropian.
Këto masa janë cilësuar si të padrejta, madje ato do duhej të largoheshin tash e sa kohë, marrë parasysh se situata në veri është e qetë, pasi edhe de-eskalimi në këtë pjesë të Kosovës ka ndodhur.
Josep Borrell, muaj më parë kishte dhënë një rekomandim për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, por për marrjen e vendimit duhet dakordimi i të gjitha shteteve anëtare.