Ballkani dhe në përgjithësi bota nuk është në një situatë të favorshme.
Lufta në Ukrainë dhe kërcënimet e vazhdueshme të Rusisë kanë bërë që shtetet e botës të fuqizohen me armatim dhe municione të ndryshme, në rast rreziku.
Edhe shtetet ballkanike po e bëjnë një gjë të tillë, duke pasur parasysh kërcënimin që po vije nga Serbia, sidomos për Kosovën.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka njoftuar të mërkurën se ka nënshkruar vendimin për themelimin e një komisioni ndërministror për siç thuhet, vlerësimin dhe nisjen e procedurave e negociatave për hapjen e fabrikës për prodhimin e municioneve dhe laboratorit për projektimin e dronëve.
“Një ushtri që për një kohë kaq të shkurtër është armatosur kaq shumë sa kjo e jona, ka nevojë për ta siguruar e garantuar operacionalitetin e plotë dhe qëndrueshmërinë tërësore. Andaj, me sot hedhim hapat tonë të parë për ngritjen e industrisë ushtarake”, ka thënë kryeministri Kurti.
Edhe Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci thotë se prodhimet do të bëhen sipas standardeve të NATO-s.
“Ne asnjë hap nuk e ndërmarrim pa u konsultuar me gjithë partnerët, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që janë partneri ynë kryesor strategjik në zhvillimin e kapaciteteve dhe të mbrojtjes e sigurisë”, tha ministri Maqedonci.
Halimi: Nevoja për krijimin e mundësive vetanake, as që duhet diskutuar
Njohësi i sigurisë, Armend Halimi shprehet se prodhimi i municioneve apo edhe armatimit do të reflektonte në fuqinë e shtetit.
Sipas tij, kësaj nuk duhet frikësuar askush sepse e tëra kjo është me qëllimi mbrojtje e jo sulmi.
Nevoja për krijimin e mundësive vetanake, as që duhet diskutuar, sikurse aspiron çdo shtet në avancim ushtarak apo rritje të kapaciteteve.
Ndryshe, hapja e fabrikës për prodhim municioni apo edhe armatimit, do të reflektonte në fuqinë e shtetit, sepse një prej matësve të fuqisë, është edhe prodhimi në industrinë ushtarake.
Kësaj përveç se duhet gëzuar të gjithë, as nuk duhet frikësuar asnjë, ngase vendi ynë si shtet demokratik investon në këtë lami me qëllim mbrojtje dhe jo sulmi”, deklaron Halimi.
Bilalli: Është një vendim i qëlluar edhe pse i vonuar
Njohësi Lutfi Bilalli, në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se ky është një vendim i qëlluar, ndonëse i vonuar.
Sipas tij, duke pasur parasysh gjendjen në Ballkan, Kosovës i nevojitet me urgjencë një strategji kombëtare për sigurinë dhe forcimin e kapaciteteve ushtarake.
Ai jep detaje duke përmendur tre faktorë kyç që sipas tij ky vendim të jetë i zbatueshëm.
“Mendoj që është një vendim i qëlluar edhe pse i vonuar. Sigurisht që në këtë kohë krizash dhe konflikteve globale aq më tepër kur në kontekstin e aktiviteteve të ngritjes së kapaciteteve ushtarake në Ballkan, Kosovës i nevojitet me urgjencë një strategji kombëtare për sigurinë dhe forcimin e kapaciteteve ushtarake. Besojmë që një vendim i tillë të mos jetë një marketing apo vetëm ide në letër !Fabrika për prodhimin e municioneve dhe laboratorit për projektimin e dronëve mund të jetë një hapë i parë por jo i mjaftueshëm. Për të qenë i zbatueshëm ky vendim, rolë kyç luajnë tre faktor:
a)Skema buxhetore-financimi
b)Kuadri profesional (pergaditja e stafit teknik)
c)Lënda e parë dhe materiali riprodhues
Por a mjafton kjo për nivelin e balancave ushtarake në raportet ushtarake me kundërshtarin tonë Serbinë e cila është kërcënim serioz për integritetin shtetëror të Republikës së Kosovës! Përgjigja është se jo!”, thotë ai.
Sipas tij, Kosovës i nevojiten kapacitete në aspektin e sigurisë dhe mbrojtjes duke përmendur disa nga to.
Ai shton, se pasi jetojmë në kohë të konflikteve, siguria duhet të njëra ndër prioritetet më kryesore.
“Çka ka nevojë Kosova për të siguruar kapacitete në aspektin sigurisë dhe mbrojtjes:
1.Ngritjen e kapaciteteve të njësive tankiste dhe të njësive të artilerisë
2.Furnizim nga importi të raketave anti-tank dhe raketa për mbrojtjen kunderajrore
3.Skuadra të njësive të helikopterëve
4.Në koordinim me Republikën e Shqipërisë të formojnë dhe të furnizohen me flotilen e avionëve sulmues luftarak. (nga importet dhe në bashkëpunim me vendet mike)
5.Shërbimi i detyrueshëm ushtarak për moshat 18-30 vjeç
Të gjitha këto nuk arrihen për një natë ngase nevojiten financa dhe kuadro (sidomos kuadri nuk formohet shpejt)!
Shteti ynë sa po punon në drejtim të një strategjie afat-mesëm në drejtim të ngritjes së komponentes së fuqisë ushtarake për formimin e kapaciteteve tona të armatosura, shpresoj por nuk jam fort optimist.
Siguria duhet të jetë njëri ndër prioritetet më kryesore ngase jetojmë në një kohë luftrash dhe konflikteve latente sidomos, ne këtu në Ballkan ku jemi të kërcënuar varësisht nga gjeopolitika dhe gjeostrategjia e nivelit global aq më tepër kur baraspesha e forcës ushtarake me armikun tonë dallojnë bukur shumë”, përmbyll ai.