Lista ‘Guxo’ e cila është partnere e Lëvizjes Vetëvendosje, ku ngjashëm si në zgjedhjet e kaluara parlamentare të 14 shkurtit 2021, edhe tani këto pritet të garojnë së bashku në zgjedhjet e reja parlamentare.
Mirëpo, papritur kanë ‘shpërthyer’ pakënaqësi dhe përçarje brenda ‘Guxo’.
Këtë gjë, e vuri në dukje deputeti nga Lista “Guxo”, Burim Meta, i cili komentoi zgjedhjen e “Guxo” për të qenë partner i vogël i Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Meta tha se shumica në listën e tyre kanë qenë kundër, por pavarësisht kësaj, Donika Gërvalla dhe Faton Peci kanë vendosur për interesin e tyre.
“Po me siguri ata duke pasur interesin e mes dyve dhe pastaj të tjerëve, dhe me siguri për ata ka qenë më mirë, një formë e tillë e bashkëpunimit, por jo edhe për partinë, jo për të tjerët.”
“Për çdo gjë mundohemi të gjejmë një arsye. Kësaj here arsyeja ka qenë e paarsyeshme,” ka thënë ai.
Ndërsa, deputeti tjetët i Listës “Guxo”, Haxhi Avdyli hodhi poshtë mundësinë për ‘përçarje’ brenda partisë, por tha se ka vetëm mendime ndryshe.
“Nuk ka ndërrim të qasjes nga Peci e Gërvalla. Askush nuk ka shkuar për çështje personale me VV-në. Të gjithë bashkërisht me presidenten Osmani jemi bashkuar për qëllime më madhore”, tha Avdyli.
Sipas Avdylit, nëse kishte me qenë në pyetje arsyeja personale bashkimi me VV nuk do të ndodhte.
Ai thotë se ky bashkëpunimi VV-GUXO do të vazhdojë edhe më tutje.
“Për qëllime personale kishim ndejtë në klubin e vjetër politik e jo me u bashku me VV. Ky bashkim do të vazhdojë sepse kemi shumë punë përpara”, deklaroi Avdyli.
Mirëpo, parë deklaratate ndryshme nga ‘Guxo’, duket qartë se ka filluar një përplasje e brendshme, gjë e cila mund të konfirmohet edhe me publikimin e listës së kandidatëve për deputetë.
Natyrshëm, këto zhvillime brenda kësaj partie, mund të ndërlidhen me përçarjen e themelueses së saj, presidentes Osmani me kryeministrin Kurti, njëherësh kryetar i LVV-së.
Kapiti: Lista “Guxo” ndoshta edhe mund të shpërbëhet si parti politike
E në lidhje me këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli opinionisti Skënder Kapiti.
Së pari, ai u shpreh se politika është interes dhe se shpesh është ‘tradhtare’.
Këtë e ndërlidhi, duke thënë se politika përçahet atëherë kur përçahen bartësit kryesorë të tyre.
“Politika është interes, madje deri në atë shkallë sa për nga paturpësia, pasinqeriteti, hipokrizia dhe për nga tradhtia e saj, atë e kanë quajtur edhe me atë fjalën, “e përdalë”, madje edhe një filozof i madh e ka quajtur atë si aktivitet që punon pandershmërisht kundër demokracisë. Politika është tradhtarja më e madhe sepse sapo ndryshojnë kushtet e rrethanat habitesh se çfarë karagjozësh të padinjitet dhe halabakësh zbulohen e dalin politikanë.
Politika përçahet atëherë kur përçahen bartësit kryesorë të tyre, atëherë kur cenohen interesat e tyre. Lidershipet e partive politike, pra elita politike shohin vetëm interesat e veta, dhe elita politike që kap partinë e përdorin partinë dhe anëtarësinë e saj si material njerëzor për interesa personale”, deklaroi opinionisti.
Kapiti theksoi se anëtarët e Guxo që kanë dal tani kundër LVV, janë ata që po kërkojnë të kthehen prap në LDK, pasi e kanë parë se mund t’iu cenohen interesat e tyre personale.
“Thuhet se brenda listës “Guxo” ka përçarje sepse disa nga ata kanë qenë kundër aleancës me LVV. Ja pra morali i tyre: kanë qenë kundër, por për interesa personale u dakordësuan me atë aleancë, ndërsa ndoshta tani që e shohin se mund t’u cenohen interesat dhe mandati për deputet, kërkojnë të bëjnë akrobaci prapa dhe të kthehen në LDK”, theksoi ai.
Ndër të tjera, opinionisti kishte në koment ndryshe, për sa i përket asaj se si mund të veprojë themeluesja e partisë ‘Guxo’, në këtë rast presidentja Osmani.
Ai edhe parashikoi mundësinë e një shpërbërje të Listës ‘Guxo’, ku Osmani mund të përfundojë në LDK, kurse Gërvalla në LVV.
“Lista “Guxo” ndoshta edhe mund të shpërbëhet si parti politike, po që se drejtuesve kryesorë të saj u mundësohet që të kenë vend në listat e LVV, LDK apo edhe te ndonjë parti tjetër. “Guxo” si gjënë më të sigurt ka atë se, ajo si Partia e Presidentes Osmani mund të përfundojë si Lëvizja Socialiste për Integrim e ish-presidentit Ilir Meta në Shqipëri. LSI-në e Ilir Metës e bëri faktor politik Sali Berisha vetëm për interesin e tij personal që Berisha të bëhej kryeministër, pastaj Meta e shfrytëzoi edhe Partinë Socialiste dhe u bë edhe kryeparlamentar, edhe President. E ndoshta edhe Vjosa mund të veprojë si Meta, që e shfrytëzoi mjaft mirë LVV për Presidente, dhe ndoshta mund të besojë se tani mund të rizgjidhet Presidente me ndihmën e LDK-së, ashtu si Gërvalla, pse jo, nëse ndjehet mirë dhe e sigurt me LVV mund të përfundojë politikisht aty. Vjosa ka të drejtë në një gjë kur ajo përdori edhe fjalën “bixhoz” për politikën”, përfundoi Skënder Kapiti për “Bota sot”.
Mehmeti: Nuk është më sekret se ka divergjenca mes anëtarëve të ‘Guxo’
Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh se nuk është sekret që ka përçarje në Listën ‘Guxo’.
Madje, ai tha se përçarjet e kësaj partie janë të theksuara më shumë ne degën e saj në Ferizaj.
Në këtë rast kërkoi edhe reagim të presidentes Osamni, si themeluese e ‘Guxo’.
“Nuk është më sekret se ka divergjenca mes anëtarëve të ‘Guxo’, në veçanti dega e saj nga Ferizaj me qendrën kanë përplasje të vazhdueshme. Këtë e thekson edhe vet z.Meta që vjen nga Ferizaj, diçka që del në sipërfaqe çdo ditë e më shumë. Për të shuar këto mosmarrëveshje duhet të ndërhyjë edhe Vjosa Osmani, jo në rolin e presidentes, por të themelueses dhe identifikueses së Guxo”.
Krahas kësaj, analisti mbeti i habitur me qasjen e Osmanit ndaj këtyre përplasjeve, derisa tha se duhet të sqarohen disa gjëra në lidhje me këto zhvillime.
“E habitshme se si Vjosa hesht me gjithë këto përplasje, të cilat janë brenda Listës Guxo, pa përmendur këtu edhe me LVV-në, që janë më të përgjithshme. Është fakt se Guxo dhe LVV i mban interesi i përbashkët dhe jo ndonjë parim mbi bazën e të cilave e mbajnë koalicionin. Duhet të ndërhyjë Vjosa që të shuaj përplasjet brenda Guxo, pastaj të sqarojë me LVV paqartësitë, e të cilat do të mund të thellojnë ose përafrojnë palët kur të vjen koha e zgjedhjes së presidentit të shtetit”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.