‘Beteja’ e RMV-së me fletarrestimet ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, juristi nga Belgjika ‘godet’ Ali Ahmetin – ia përmend këtë rast!

Politika

‘Beteja’ e RMV-së me fletarrestimet ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, juristi nga Belgjika ‘godet’ Ali Ahmetin – ia përmend këtë rast!

Nga: A.M. Më: 29 nëntor 2024 Në ora: 21:01
Ali Ahmeti

Ministri maqedonas i Drejtësisë, Igor Filkov, ka thënë të mërkurën se fletarrestimet e lëshuara nga INTERPOL-i, me kërkesë të Serbisë, për ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), vazhdojnë të jenë të zbatueshme në Maqedoninë e Veriut.

Ai theksoi se deklaratat e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski për këtë çështje gjatë një vizite në Kosovë, janë “keqkuptuar”.

Mickoski kishte thënë gjatë vizitës së tij në Prishtinë javë më parë se “kushdo që nuk i shkel ligjet” e vendit të tij është i “mirëseardhur” në Maqedoninë e Veriut, kur ishte pyetur në lidhje me kërkesat e Serbisë për arrestimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët Beogradi i akuzon për gjoja krime lufte.

E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.

Si fillim, ai u shpreh se shteti serb përmes Interpol-it ka lëshuar fletarreste kundër pjesëtarëve të UÇK-së, dhe jo vetëm në RMV, por edhe në disa shtete të tjera.

“Që nga përfundimi i luftës, e në veçanti pas pavarsisë së Kosovës në vitin 2008-, Serbia përmes INTERPOL-it, në vazhdimësi ka » lansuar » fletarreste kundër pjesëtarëve të UÇK-së, madje edhe ndaj zyrtarëve të lartë të UÇK-së, të cilët vite më parë ishin ndaluar në Francë, Slloveni, Hungari, Mal të Zi, Maqedoni e tj., madje nuk janë raste të rralla kur ish ushtarët e UÇK-së janë ndaluar dhe mbajtur padrejtësisht në burgjet e Serbisë.

Në këtë kontekst, autoritetet e drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, në muajin korrik të këtij viti, në pikëkalimin kufitar Kosovë – Maqedoni, në Jazhincë, arrestuan ish ushtarin e UÇK-ës Blerim Ramadani, në bazë të një fletëarresti të Gjykatës nga Beogradi, përmes INTERPOL-it, nën akuzën për krime lufte në rajonin e Nerodimës gjatë vitit 1999”.

Image
Juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.

Po ashtu, Musliu e theksoi rastin e arrestimit të ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadanit, e që sipas tij prokurori dhe gjyqtari i këtoj rasti ishin shqiptar.

Madje, ai tha se ishein edhe njerëz të afërt me Ali Ahmerin, e për të cilin kishte disa kritika.

“Me kërkesë të prokurorit të rastit, që ishte nga Kërçova, në vend që t’a linte të lirë, ai i propozon gjykatësit për procedurë paraprake, që Blerim Ramadanin t’a mbajë në arrest shtëpiak te një familiar i tij, deri në fillimin e procesit gjyqësor. Dhe për të qenë ironia edhe më e madhe, është fakti se, prokurori i rastit dhe gjyqtari, ishin shqiptarë dhe të afërt me Ali Ahmetin, mbase gjatë 22 viteve të bashkqeverisjes së BDI-së me partitë suksesive maqedone, prokurorët dhe gjyqtarët shqiptar i ka caktuar -  rekrutuar Ali Ahmeti me shokët e tij, për t’ua mbrojtur interesat e tyre inkriminuese.

Mirëpo Blerim Ramadani, edhe pse ishte i obliguar të qëndrojë në arrest shtëpiak deri me 16 gusht, kur do të duhej të paraqitej në gjykatë, ai disa ditë më parë, nga dyshimi për ekstradimin e tij drejt Serbisë, vendosi të ikë nga arresti shtëpiak drejt Kosovës, edhe pse më vonë, pas angazhimeve të VLEN-it, Gjykata e Shkupit e hodhi poshtë kërkesën e Serbisë për ekstradim”, vlerësoi ai.

Në vazhdim, juristi nga Belgjika rastin e Ramadanit e vlerësoi si lojë të ulët politike të Ahmetit të BDI-së.

“Në gjykimin tim, rasti i Blerim Ramadanit, ishte një « lëvizje » dhe lojë e ulët politike e Ali Ahmetit dhe BDI-së, me të vetmin qëllim, që ta fajsojë dhe denigrojë punën dhe angazhimet konstruktive të koalicionit VLEN, duke dashur t’iu tregojë shqiptarëve se VLEN-i nuk punon për interesat e shqiptarëve, që në realitet, është krejtësisht e kundërta, mirëpo edhe ky rast është një manipulim i rradhës, midis shumë të tjerave”.

Tutje, ai komentoi edhe deklaratën e Mickosit në lidhje me këtë çështje, e që i cili la të kuptohej se Shkupi zyrtar, nuk do të vazhdojë t’i zbatojë fletëarrestimet e iniciuara nga Serbia përmes INTERPOL-it.

“Tani, me të drejtë shtrohet pyetja se, në të ardhmen, si do të veprohet ndaj fletëarresteve tjera serbe, a do të ketë ndalime të reja, apo ato, nuk do të përfillen nga aurotitet e drejtësisë maqedone?!  Duke u nisur nga mbledhja e fundit e përbashkët e dy qeverive, të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, që u mbajt ditë më parë në Prishtinë, kemi dy përgjigje, së pari, njëra vjen nga ministri i Drejtësisë së Maqedonisë, Igor Filkov, i cili në një konferencë për shtyp, kishte deklaruar se fletëarresimet e lëshuara nga INTERPOL-i me kërkesë të Serbisë ndaj ish ushtarëve të UÇK-së, vazhdojnë të jenë të zbatueshme në Maqedoninë e Veriut, dhe së dyti, ajo çka ka rëndësi për ish ushtarët e UÇK-së, është deklarata e kryeministrit Mickovski se, « kushdo që nuk i ka shkelur ligjet dhe Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut …. mund të vijë të shëtis në Shkup, në Maqedoninë e Veriut, unë i ftoj të vijnë, ne jemi shtet mikpritës ». Edhe në intervistën e kryeministrit Mickovski dhënë RTK-së me 18 Nëntor, la të kuptojë se Shkupi zyrtar, nuk do të vazhdojë t’i zbatojë fletëarrestimet e iniciuara nga Serbia përmes INTERPOL-it për ish ushtarët e UÇK-ës.  Këto deklarata të kryeministrit Mickovski, mund të konsiderohen si qëndrime zyrtare të Maqedonisë së Veriut, që paraqet një garancë se në të ardhmen nuk do të përsëriten rastet e tilla, që mund të ndikojnë në marrëdhëniat midis dy shteteve. Edhe përkundër reagimeve të Beogradit zyrtar për ikjen nga arresti shtëpiak të Blerim Ramadanit, si dhe kërkesave të Ivica Daçiqit që autoritetet maqedone të japin sqarime për mosekstradimin e tij, fatmirësisht Shkupi zyrtar ngelë në qëndrimin se këto fletëarreste nuk do t’i zbatojë”.

Në fund, Musliu shtoi se BDI po e politizon këtë çështje, vetëm për ta destabilizuar Qeverinë aktuale në dëm të VLEN-it.

Madje, juristi me bindje thotë se raste të ngjashme si ai i Ramadanit, nuk do të përsëriten.

“Unë konsideroj se, rasti i Blerim Ramadanit, është rast i inskenuar dhe i dramatizuar politik nga BDI-ja dhe Ali Ahmeti, që mori përmasa jashtëdimensionale, ndoshta, fatkeqësisht edhe për t’i influencuar  marrëdhëniet mes dy shteteve, por edhe për ta destabilizuar Qeverinë aktuale në dëm të VLEN-it, sepse BDI-ja ende nuk po mund të pajtohet me fatin se pas dy dekadave, sovrani e dërgoi në opozitë, prandaj tani bëjnë ç’mos që VLEN-in në mënyrë artificiale ta paraqesin si të paaftë në zgjidhjen e çështjeve të shqiptarëve, që BDI-ja për 22 vite nuk arriti t’i zgjidhë. Në këtë kuptim, vlenë të theksoj se, në kohën kur e BDI-ja ishte në pushtet, ka pasur shumë raste kur janë ndaluar ish ushtarët e UÇK-së nga autoritet maqedone, mirëpo asnjëherë kjo çështje nuk ishte politizuar dhe problematizuar sikur tani nga BDI-ja.

Personalisht, ngeli me bindje se këto raste nuk do të përsëriten, në veçanti tani, me ardhjen e VLEN-it në pushtet, gjërat janë vendosur në baza të shëndosha dhe parimore, mbase Kosova dhe Maqedonia janë të angazhuara për fqinjësi të mirë dhe kanë projekte të përbashkëta infrastrukturore, sikurse rruga Tetovë -  Prizren, hekurudha Shkup – Prishtnë, pjesa e autostradës Shkup Bllace, dhe jo vetëm”, përmbylli Skënder Musliu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat