Përfundon mandatin si zëdhënës i BE-së, mirëpritet largimi i Peter Stano-s - vjen sinjali pozitiv për Kosovën

Politika

Përfundon mandatin si zëdhënës i BE-së, mirëpritet largimi i Peter Stano-s - vjen sinjali pozitiv për Kosovën

Arife Morina Nga Arife Morina Më 30 nëntor 2024 Në ora: 08:06
Peter Stano

Pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, ndryshime të mëdha priten edhe në dialogu Kosovë-Serbi.

Në këtë rast, do ketë ndryshime të zëdhënësve dhe emisarëve të deleguar për këtë çështje.

Sot, i përfundon mandati zëdhënësit të Bashkimit Evropain, Peter Stano, i cili shumëherë ka ‘goditur’ me deklaratat e tij për procesin e negociatave Kosovë-Serbi.

Edhe në konferencën e fundit të tij, Stano foli për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe për mandatin e emisarit special, Miroslav Lajçak.

Stano ka thënë se mandati i Lajçak është deri më 31 janar dhe se gjithçka që mund të thotë rreth çështjes së mandatit të emisarit special është se shtetet anëtare vendosin për këtë çështje.

“Mandati i Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, zgjat deri në janar dhe mandati ynë do të përfundojë së shpejti, këtë të shtunë. Nuk më takon mua të flas për këtë apo të komentoj se çfarë do të ndodhë më pas. Mund t’ju kujtoj vetëm se kur është fjala për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vendimi për mandatin e çdo Përfaqësuesi Special është në dorën e shteteve anëtare dhe ato duhet të vendosin për këtë”, ka thënë Stano.

Mirëpo, si mund të karakterizohet ky mandat i Stanos në raport me Kosovën dhe faktin se jo pak herë është treguar shumë kritikë ndaj shtetit tonë?

Shabani: Mendoj se ardhja e dikujt tjetër në pozitën e zëdhënësit të BE-së do të jetë një mundësi e mirë për Kosovën

E në lidhje me këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani.

Si fillim, ai u shpreh se Stano ka pasur qëndrim të ftohtë ndaj Kosovës, derisa pret që me përfundimin e mandatit të tij do vjen një shans i ri për vendin tonë.

“Sa i përket përfundimit të mandatit të zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, mendoj se do jetë një shans i ri sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, për faktin se Stano ka pasur një qëndrim mjaft të ftohtë ndaj Kosovës dhe vazhdimisht favorizonte Serbinë”.

Krahas kësaj, Shabani përmendi favorizimit që Stano ia bënte shtetit serbe, derisa bllokonte procesin integrues të Kosovës.

“Ai madje shfaqej edhe si bllokues i procesit integrues të Kosovës duke degraduar çdo tentativë për anëtarësim në institucionet ndërkombëtare, ndërsa nga ana tjetër favorizonte veprimet e Serbisë dhe arsyetonte aktet terroriste që i bënin.

Mendoj se ardhja e dikujt tjetër në pozitën e zëdhënësit të BE-së do të jetë një mundësi e mirë për rishqyrtimin e gjendjes dhe statusit të Kosovës në rajon dhe më gjërë”, përfundoi Amir Shabani për “Bota sot”.

Image
Amir Shabani

Halimi: Stano në momente të caktuara ka qenë indiferent ndaj Kosovës, në raport me Serbinë

Kurse, analisti politik Jeton Halimi vlerësoi se Stano në momente të caktuara ka qenë indeferent ndaj Kosovës, në raport me Serbinë.

Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh se Stano përçon direkt politikat e BE-së.

“Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano-s, ka qenë konstruktiv dhe çka i kanë shkruar të tjerët, ai i ka lexu ato deklarata para mediumeve dhe ka përçu direkt politikat e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor, ku në momente të caktuara ka qenë indiferent ndaj Kosovës, në raport me Serbinë”.

Image
Jeton Halimi

Gjithashtu, Halimi vlerëson se Stano nuk ka mundur t’i përballojë mirë zhvillimet në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.

E për këtë, ai shpreson që në vend të tij të vijë një njeri më profesional.

“Puna e Stanos në raport me Kosovën, gjatë mandatit të tij si zëdhënës i BE-së shpesh ka nxitur reagime rreth dialogut Kosovë-Serbi. Çështja e dialogut ka qenë sfidë për gjithë BE-në lëre më për Stanon, ku ka pasur shumë zhvillime në Kosovë dhe direktivat kanë qenë aso niveli, që nuk ka mund me i përballu.

Shpresoj shumë që në vendin e Stano-s, të vijë një njeri më profesional dhe që di më shumë se ky i fundit, ku duhet t’iu përshtatet situatave të ndryshme e jo kalkulimeve politike në favor dikujt tjetër dhe ta dëmtojë palën kundërshtare. Në CV e tij, Stano-s nuk mundet ta ketë si sukses Kosovën-Serbinë, për fat shumë të keq raportet anasjelltas janë keq shumë dhe nuk besoj se mund të thirret në sukseset e tij apo mund ta përdorë në momente caktuara”, përmbylli Jeton Halimi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat